E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ekzekutohet me kallashnikov banakierja e një lokali



Një grua 50-vjeçare është vrarë me automatik, ndërsa ishte duke punuar në një lokal në Vlorë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një bar-restorant në lagjen “28 nëntori” në qytetin bregdetar. Viktima është 50-vjeçarja Solie Sherraj, e cila punonte si banakiere në një lokal që e kishte marrë me qira. Autori i ngjarjes ka arritur t’i shpëtojë policisë dhe është shpallur në kërkim. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se autori i krimit është Xhezo Habilaj, nga i njëjti fshat me viktimën. Agjentët kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, e cila i mori jetën gruas 50-vjeçare. Policia ka shoqëruar në komisariat dëshmitarët e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj. Nga hetimet e para mësohet se autori është identifikuar nga njëri prej tri fëmijëve të viktimës, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në lokal, por pa mundur të evitojë krimin.

Ngjarja

Rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, një breshëri armësh ka lënë të vdekur në vend një banakiere në një lokal në lagjen “28 nëntori”. Viktima është 50-vjeçarja Solie Sherraj. Dëshmitarët kanë parë një person, i cili kishte hyrë brenda në lokal. Ai kishte me vete një çantë. Pa paralajmërim ka nxjerrë nga çanta një automatik të tipit “Kallashnikov” dhe ka qëlluar në drejtim të gruas. Ajo është rrëzuar në tokë e mbuluar nga gjaku, ndërkohë që vrasësi me shpejtësi është futur në një automjet gri, të cilin dyshohet ta ketë marrë nën ndikimin e armës, peng, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me gjithë ndihmën e dhënë ndaj 50-vjeçares, plagët e marra nga 6 plumbat i kanë shkaktuar asaj vdekjen. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia e Vlorës. U ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Viktima kishte marrë gjashtë plumba kallashnikovi në pjesë të ndryshme të trupit, duke gjetur më pas vdekjen. Policia arriti të identifikonte autorin e krimit, i cili ishte 48-vjeçari Xhezo Habilaj. Të dy, viktima dhe autori, janë nga i njëjti fshat, nga Velça e Vlorës. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se vrasja ka ardhur për motive xhelozie. Kjo, pasi viktima dhe autori më parë kanë pasur një lidhje, por që nuk e kanë vazhduar atë më pas. Madje, nga të dhënat e para mësohet se në këtë lokal muaj më parë ka punuar edhe mbesa e autorit, e cila prej disa kohësh ishte larguar nga puna. Por, agjentët janë përqendruar edhe në pista të tjera. Policia ka ngritur postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit dhe po punon për arrestimin e autorit të ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›