Qeverisje lokale evropiane për një Tiranë evropiane
Intervistë e kandidatit Lulzim Basha dhënë për emisionin “Fakt”
“Tirana evropiane është një ëndërr, një aspiratë, një dëshirë që përkthehet në projekte të vogla të qindra mijëra familjeve që sot jetojnë në Tiranë, të qindra mijëra qytetarëve, të rinjve, studentëve, të moshuarve që i thonë Tiranës shtëpi e tyre”
Keni filluar fushatën si kandidat i “Aleanca për qytetarin”, por jeni shprehur dhe e përdorni shpesh termin “Tirana evropiane”. Çfarë do të thotë, për të mos thënë që është një klishe?
Tirana evropiane është fjalë e përdorur shpesh në politikën shqiptare, por për mua nuk është klishe. Tirana evropiane është një ëndërr, një aspiratë, një dëshirë që përkthehet në projekte të vogla të qindra mijëra familjeve që sot jetojnë në Tiranë, të qindra mijëra qytetarëve, të rinjve, studentëve, të moshuarve që i thonë Tiranës shtëpi e tyre... Por ka të bëjë edhe me faktin se si e shoh unë Tiranën sot. Një pjesë e madhe e këtyre lagjeve kanë ndryshuar shumë pak këto 20 vite. Një pjesë e tyre nuk ka pasur fare ndryshim, ka degradim të pronës private e të infrastrukturës, por jo të shpirtit të qytetarëve. Në Tiranë sot kudo që të hedhësh sytë mund të numërosh një sërë problemesh që i bashkojnë qytetarët e kryeqytetit, pavarësisht nga bindjet politike, pavarësisht nga mosha, pavarësisht nga vendosja e banesës, të cilat lidhen me cilësinë e jetës në Tiranë, lidhen me mundësinë apo pa mundësinë e qytetit... Çështja e infrastrukturës është ajo që më lidh me elementin e dytë të Tiranës evropiane të vizionit tim. Kjo ka të bëjë me cilësinë e jetës, cilësinë e rrugëve e rrugicave, në cilësinë e blloqeve të banimit, mungesën totale të infrastrukturës normale primare të shërbimit, jo vetëm të asfaltit por edhe të gjelbërimit, i cili këto vite të zmadhimit dhe të rritjes së Tiranës është gllabëruar dhe ka qenë viktima kryesore. Ka të bëjë me mungesën e thekur të infrastrukturës shkollore... Tirana evropiane do të thotë për mua vlerësim në bazë të kritereve standardeve të të drejtave të njeriut, të pronës private të qytetarëve të Tiranës, dhe shans për zhvillim të pronës së tyre. Tirana evropiane do të thotë për mua që ndërsa zhvillojmë këtë pronë private, ne rifitojmë, sipas formulave të mirë kolauduara në kryeqytetet dhe qytetet e tjera të Evropës. Hapësirat publike, të cilat i kemi humbur si shkak i presionit të klientelës dhe mungesës së instrumenteve për të mbrojtur interesat e qytetarëve në këto vite. Të gjitha këta elementë: cilësia e jetës, mungesa e shkollave, çerdheve, parqet e gjelbërimi munguara, trafiku i rënduar, rrugët, mjedisi dhe ajri i ndotur dhe mbi këto, çështja më kryesore për mua, punësimi. Lidhur me mirëqenien, të gjithë këto mund të përparojnë nëse ne, në konceptim tim për Tiranën evropiane, do të kemi qeverisje lokale evropiane. Që do të thotë; një qeverisje demokratike, në radhë të parë e hapur ndaj qytetarëve të Tiranës, që ka vite që nuk i dëgjon njeri.
Edi Rama është prej 11 vitesh kryetar bashkie. Cili është gjykimi juaj?
Nuk dua të bëj një vlerësim për kundërshtarin, nuk do të ishte etike aq më shumë që po kandidon për herë të katërt. E vetmja gjë që mund t’ju them është se unë nuk e konsideroj atë një armik. E konsideroj një kundërshtar. Duke mos e konsideruar armik, nuk i hedh poshtë kontributet e tij, që mund të ketë pasur në fillimet e tij si kryebashkiak. E vetmja gjë është se, kur zotëria është si kryetar i bashkisë ashtu edhe kryetar i PS-së, Bashkia e Tiranës ka dalë në plan të dytë dhe në plan të parë është PS-ja... Unë mendoj se, qyteti ka nevojë për një bashki dhe kryetar bashkie.
A jeni gati të përballeni publikisht në një debat me Edi Ramën?
Në çdo rast. Unë i them z. Rama të zgjedhë cilindo format televiziv, cilindo moderator për të diskutuar mbi problemet e qytetit. Një përballje të vizioneve tona. Kontributi do të jetë për qytetin dhe për qytetarinë.
Në rast se ju do të fitoni zgjedhjet, çfarë do të bëhet me projektet që janë duke u zhvilluar aktualisht, siç është sheshi “Skënderbej”?
Absolutisht në çdo projekt prioritar do të jetë vlerësimi i zbatueshmërisë dhe zbatimi i ligjit. Kjo vlen për çdo projekt, duke përfshirë dhe projektin e sheshit “Skënderbej”. Por në një vështrim afatgjatë është plani urbanistik. Vetëm plani urbanistik do të vendosë të gjitha prioritetet, në lagjet dhe në qendrën e Tiranës. Dhe po kështu humbëm sot rastin, por do ta përmend shkarazi, sepse nuk patëm mundësi tjetër, t’ju them se Tirana nuk fillon te Korpusi universitar dhe nuk mbaron te sheshi “Skënderbej” apo te stacioni i trenit. Tirana që unë kam në mend shtrihet përtej... Aksi shtrihet nga stacioni i trenit deri në lumin e Tiranës, pra në kufi të lumit funksional të territorit të Bashkisë së Tiranës. Zhvillimi i këtij aksi ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse pikërisht në këtë aks do të marrin frymë institucione të reja publike, institucione të reja kulturore, artistike, muzeale. Do të marrin frymë hapësirat e reja të zhvillimit të sektorit privat, të cilat së bashku me hapësira të tjera të zhvillimit të biznesit, do të bëjnë të mundur një transferim real të së drejtës së zhvillimit, si parakusht për zhvillimin e lagjeve tona, të cilat sot vuajnë nga banalizimi i zhvillimit pa plan.
Kemi dëgjuar për kartat e studentit dhe shumë projekte të tjera. I shihni studentët si votues të 8 majit apo janë të sinqerta ato që thoni për rëndësinë që kanë studentët?
... Unë besoj se çdo lek i ardhur nga fondet bashkiake, apo çdo përpjekje e bërë nga bashkia: kohë, punë, energji që përsëri janë fonde, sepse çdo punonjës i bashkisë nga qytetarët paguhet, i investuar te studentët i rikthehet qytetit. Prandaj edhe karta bashkiake edhe lehtësira të tjera që kanë të bëjnë me kushtet, mënyrën se si jeton sot një student, ku jeton, si lëviz, me çfarë mjetesh transporti bën ato që duhet të bëjë studenti, daljen nga banesa dhe ardhjen në auditor, përdorimin e faciliteteve për studimin, kërkimin në bibliotekë etj,etj ., janë pjesë të projektit. Të gjitha këto mund të duken në pamje të parë si një investim në një person të vetëm, për të përmirësuar kushtet e tij apo të saj të studimit, por në fakt janë investim në kapitalin më të çmuar të qytetit që sot kanë një vlerë disa herë më të madhe seç kishin para 10, 15 apo 20 vjetësh.
Projekti juaj për turizmin lidhur me Tiranën, duke pasur parasysh liqenin e Tiranës, malin e Dajtit, muzetë, po ashtu duke ditur që Tirana është edhe një qytet i vjetër dhe ka shumë monumente, objekte, shtëpi të vjetra dhe shumë shtëpi të tilla po shemben dhe disa të tjerë për të ndërtuar pallate. Si do të ishte mbrojtja juaj ndaj këtyre shtëpive të vjetra mbi 100-vjeçare? A do të ishte UNESCO apo ju bashkë me UNESCO-n të bënit një projekt lidhur me turizmin?
Unë çështjen e turizmit e shoh shumë gjerë. E shoh pikësëpari si një çështje të zhvillimit ekonomik të Tiranës dhe punësimit. Turizmi është një nga 5 pikat kryesore ku bazohet platforma ime e punësimit, së bashku me investimin e arsimit profesional dhe arsimit në përgjithësi. Me krijimin e një klime miqësore për investime në Tiranë, me rritjen dhe zhvillimin e biznesit nëpërmjet reformës fiskale, fondit special të garancive dhe vënies së infrastrukturës në dispozicion, dhe natyrisht me infrastrukturën vetë, e cila përveçse hap vende pune ndihmon në krijimin e biznesit. Turizmi është një nga këto 5 pikat e rëndësishme të rritjes së punësimit dhe gjenerimit të vendeve të punës me paga dinjitoze. Bëhet fjalë për punësim me paga dinjitoze dhe me perspektivë të qëndrueshme e jo për një punësim sezonal. Turizmi në Tiranë përballet me shumë vështirësi. Unë kam një platformë konkrete për turizmin që nis në aspektin fiskal, me thjeshtimin dhe uljen e taksave për turizmin. Tirana është i vetmi qytet në Ballkan, i cili ka një taksë prej 5 për qind të fjetjes e cila në raste të veçanta fshin 50 për qind të fitimit. Ndërkohë që, vende që kanë turizëm më masiv, si Greqia, kanë një taksë prej 0.5 për qind. Unë jam i vendosur që këtë taksë ta reduktoj ndjeshëm, por po konsideroj edhe mundësinë e heqjes së kësaj takse. Edhe po u reduktua destinimi i kësaj takse do jetë vetëm për turizmin. Pra panaire turistike. Në këtë kuadër po studioj mundësinë që me partneritet me sektorin privat të ngremë një qendër të madhe konventash, “Convention Center”, qendër kongresesh dhe qendër panairesh. Sepse, imagjinoni, qyteti nuk ka një të tillë. Një qendër e tillë sikur një aktivitet me 10 mijë persona të thithë , e imagjinoni se çfarë do të thotë për të ardhurat e qytetit, të bizneseve apo të xhepave tanë?! Pra ngritja e një qendre të tillë është një nga projektet konkrete madhore të cilat po studioj në platformën time për të mbështetur turizmin dhe po e bëj këtë me bashkëpunim të autoriteteve vendore apo përfaqësues vendorë të turizmit në Tiranë. Po ashtu po shqyrtoj mundësinë e rigjenerimit të turizmit nëpërmjet turizmit kulturor dhe artizan. Artizanati është një aktivitet i cili kërkon mbështetje, sepse prodhon në sasi të pakta dhe mbështetet tërësisht në aftësi të trashëguara brez pas brezi dhe meriton të trajtohet në mënyrë të veçantë qoftë edhe nga ana fiskale duke përfshirë këtu edhe skemën e heqjes së taksës së artizanatit. Artizanati dhe arti i cili ku tjetër është më i përqendruar se në Tiranë , por nuk është i përqendruar. Është i shpërndarë dhe nuk ndihet. Me ndihmën e Bashkisë, i evidentuar ashtu siç duhet përbën një gjenerator të jashtëzakonshëm të turizmit. Me turizëm kam parasysh çdo lloj turizmi, të huaj dhe shqiptar, i cili i drejtohet Tiranës dhe vendos të investojë kohë, parà, për shkak të këtij komponenti të fortë artistik e kulturor. Këtu një vend të veçantë ka trashëgimia kulturore e Tiranës, trashëgimia e pasur e Tiranës por që sot është e mbuluar nga bari,është e mbuluar nga pakujdesi dhe nuk evidentohet. Evidentimi mbrojtja dhe restaurimi, evidentimi i tyre në hartën turistike të Tiranës si artizanati apo arteriet artistike të qytetit do t’i japë nxitje dhe zhvillim turizmit. Së fundi një koncept më metropolitan i turizmit. Një koncept me të cilin Tirana bashkëpunon me Dajtin, Farkën, Petrelën, Paskuqanin, Kamzën... Kudo ku ka potencial turistik. Qofshin monumente historike, arkeologjike, parqe apo burime ujore që së bashku bëjnë të mundur që turizmi në konceptin metropolitan të Tiranës së madhe të gjenerojë jo vetëm mundësi zbavitjeje dhe rekreacioni për qytetarët, të cilët për fat të keq janë të detyruar t’u drejtohen me masivitet 2-3 pikave të ndryshme, siç është një restorant jashtë Tirane, në drejtim të Durrësit, por jo qendra rekreacioni që duhen, që meritojnë dhe që i kanë fare afër si parku Dajtit apo këto dy resurse të mëdha të cilat do transformohen si, liqeni Farkës e Paskuqanit. Turizmi është një element i fuqishëm i platformës sime, jo thjesht sepse qyteti ka nevojë për të, por sepse për mua turizmi është një nga drejtimet kryesore të punësimit dhe për mua punësimi dhe mirënia e qytetarëve të Tiranës janë prioriteti numër një.
Marrë me shkurtime nga TV “UFO Education”