Qeveritarët nuk i japin llogari askujt
Hajro Limaj
Kërkesa për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale nga ambasadori Arvizu u bë kur Prokuroria kishte rritur kërkesat zyrtare për heqjen e imunitetit. Ndryshimi kërkohej dhe për faktin se hapësirat ligjore të tij janë përdorur nga palët për dështimin e shumë proceseve të bujshme gjyqësore. Konflikti i Prokurorisë së Përgjithshme me Gjykatën e Lartë në lidhje me dënimin sipas ligjit të qeveritarëve dhe politikanëve të implikuar në korrupsione, krim të organizuar apo veprimtari të tjera të kundërligjshme tashmë është evident. Prokuroria është më e pavarur dhe më e vendosur se sa gjykata në luftën ndaj korrupsionit, krimit politik dhe ekonomik të qeveritarëve.
Fakti që ajo ka çuar para trupit gjykues edhe pse nën një presion dhe terror politik tre ministra: Z. Mediu, Z. Basha dhe Z. Meta e vërteton këtë. Dy ministrat e parë e mbyllën gjykimin për kalim afatesh ndërsa i treti shpëtoi nga montimi i kasetës. Ekzistenca e këtij ligji e ka futur vendin dhe shoqërinë në një pa barazi të plotë ligjore dhe në një krizë të plotë në funksionimin e shtetit demokratik ligjor. Në shkaqet kryesore për mos dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian të vendit tonë, dy herë rresht ishte edhe mos zbatimi me efikasitet i një strategjie kundër korrupsionit të qeveritarëve, mos heqja e pengesave të hetimit, të cilët i ka kthyer sundues dhe jo drejtues të vendit. Ata realisht janë kundër integrimit në BE mbasi ndryshe do të kishin ndërtuar një shtet funksional ligjor, me pushtete të ndara dhe barazi para ligjit.
Deklarimet janë vetëm retorikë. Qeveritë Nano, Berisha, Meta dhe përsëri Bersha-Meta janë përgjegjëset kryesore të kësaj gjendje. Prandaj, lufta ndaj korrupsionin dhe krimin e organizuar për nivelet qeveritare është një propagandë mashtruese pasi deri më sot edhe pse shumë qeveritarë janë akuzuar për veprimtari të tilla, përveç ish-kryeministrit Nano, asnjë tjetër nuk është dënuar me burgim kur në Kroaci u arrestua kryeministri, në Rumani, Bullgari, Maqedoni dhe shumë vende të tjera ministra të ndryshëm. Edhe Nano me riardhjen në pushtet në vitin 1997, mori pafajësinë dhe tërhoqi të gjitha paratë për dënimin e kryer. Prandaj ata e ndërtuan dhe nuk e prishin këtë sistem vetëm për përfitime politike dhe financiare. Prandaj ata luftojnë për ditë të marrin ose ta mbajnë me çdo çmim pushtetin, të sundojnë vendin dhe popullin shqiptar. Të gjitha këto vijnë se qeveritarët tanë nuk i japin llogari askujt. Llogari para pushtetit gjyqësor jo, se i mbron imuniteti, llogari në pushtetin legjislativ gjithashtu jo.
Në vend që qeveritaret të rrinë në karriget e sallës së Kuvendit si të gjithë deputetët e tjerë, janë vendosur në podiumin e hakërrimit të pushtetit legjislativ. Pra i gjithë pushteti ligjor dhe pushteti legjislativ është kthyer në vartësi dhe në funksion të pushtetit ekzekutiv. Këtë sistem krejtësisht të deformuar të ngritur dhe të mbrojtur me fanatizëm nga krye politikanët nuk e dëshiron as populli shqiptar dhe as partnerët tanë që kërkojnë ta integrojnë vendin në BE. Ndaj e gjithë shoqëria civile, media dhe intelektualët duhet të jenë të njëzëshëm për shkatërrimin e këtij sistemi të deformuar dhe ngritjen dhe funksionimin e një sistemi real të shtetit ligjor,barazisë para ligjit dhe ndarjes reale të tre pushteteve. Vetëm atëherë qeveritarët nuk do të mund të jenë më sundues por drejtues realë të pasurisë kombëtare .