E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi priti futbollistin Hakan Shykyr

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti të shtunën ish–reprezentuesin e njohur të Turqisë, futbollistin e Galatasarayit, Hakan Shykyr.

Gjatë takimit u bisedua për rezultatet e arritura të Kosovës pas pavarësisë, veçmas për raportet e mira ndërshtetërore midis Kosovës e Turqisë dhe të bashkëpunimin vëllazëror midis dy vendeve.

Thaçi e Shykur biseduan për përpjekjet që po bëhen në sportin kosovar, e veçmas për futbollin, në mënyrë që sportistët kosovarë sa më parë të mund të paraqiten në garat ndërkombëtare sportive.

Sportisti i njohur turk premtoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar ndërkombëtarizmin e sportit kosovar.

Kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë pa rezervë afirmimin e sportistëve kosovarë, si dhe bën përpjekje për anëtarësimin e federatave sportive në asociacione ndërkombëtare të sportit.

Hakan Shykyr është me prejardhje nga Kosova; babai i tij ka lindur dhe është rritur në Prishtinë, në pjesën e qytetit te Katër Llullat, ndërsa më vonë është shpërngulur për në Turqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›