E Diel, 1 Nëntor 2026

Me ndërmjetësim të QRP-së janë punësuar 157 punëkërkues

Gjilan, 21 gusht - Me qëllim të zbutjes së papunësisë, Qendra Rajonale e Punës në Gjilan në këtë 6-mujor ka aplikuar disa projekte të mbështetura nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe donatorët, ku ka ndërmjetësuar në punësim e 157 punëkërkuesve. Xhevat Aliu, drejtor i QRP-së, ka thënë se është realizuar projekti i UNDP-së, përmes tri skemave, trajnimit në vendin e punës, në ndërmarrje dhe institucione, dhe skemës së praktikantëve. Ai ka thënë se kategoria e praktikantëve ka mbështetur punëkërkuesit me përgatitje superiore shkollore, me pagë për gjashtë muaj, ndërsa ky projekt ka mbështetur kategorinë e punëkërkuesve të rinj deri në moshën 30 vjeçare. Sipas tij, nëpërmjet këtyre skemave, janë punësuar 133 punëkërkues, prej tyre 69 femra. Ai ka përmendur edhe 48 punëkërkues që kanë qenë të angazhuar për 11 ditë pune në sektorin e pyllëzimit.
Aliu ka shtuar se ka nisur realizimi i projektit "Kosvet – VI ", me ç’rast janë identifikuar shumë vende të punës. Ai tha se kanë mbetur edhe disa vende rezervë, të rezervuara për minoritarë serbë, romë e turq dhe persona me aftësi të kufizuara. Sipas Aliut, ky projekt në mënyrë të veçantë ishte i fokusuar në përfshirjen e punëkërkuesve me aftësi të kufizuara, ku edhe janë përfshirë 17 sish, të cilët janë duke punuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe administratën komunale. Aliu ka përmendur edhe projektin e Luksemburgut, i cili u dedikohet punëkërkuesve që kanë të kryer ndonjërin prej kurseve në Qendrën e Aftësimeve Profesionale në QRP. Përmes këtij projekti, sipas Aliut, janë punësuar 24 punëkërkues në nivel rajoni (Gjilan, Viti dhe Kamenicë). Sipas evidencës së QRP-së, në nivel rajoni janë të regjistruar rreth 36 mijë punëkërkues.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›