Qindra ankesa nëpër shkolla për testet e letërsisë në provimet e maturës
Janë me qindra maturant të cilët kanë kërkuar rishikim të testit të letërsisë. Vetëm në kryeqytet numri i kërkesave ka vajtur në 150, ku maturantët kanë kërkuar rishikim të testit. Këto ankesa do të marrin një përgjigje gjatë javës së ardhshme. Në dukje interesimi i ditëve të para duket sikur ka rënë, por në brendësi të shkollave rezultatet e provimit të parë me detyrim në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, mbeten ende në qendër të bisedave.
Ndërsa kanë kaluar disa ditë, nga dita e afishimit të rezultateve, komisionet shkollore të maturës shtetërore të ngritura në shkolla vazhdojnë punën për mbledhjen e ankesave që maturantët kanë në lidhje me rezultatet që ata kanë marrë në provimin e parë. Gjatë këtyre ditëve, vetëm në Tiranë, pa përfshirë qytetet e tjera, paraqitën kërkesën për rishikim të testit rreth 150 maturantë. Sipas mësuesve të shkollave të mesme është deklaruar se përgjithësisht maturantët që kanë kërkuar rishikimin e testit, janë ata që në provim kanë marrë notën 8 dhe që pretendojnë se kanë dhënë më shumë se ç'janë vlerësuar nga komisioni i vlerësimit të testeve. Pjesa e cila u ka ulur më shumë pikët nxënësve të mirë që pretendonin për të marrë notën 10, ka qenë eseja. Mësuesit e Letërsisë shpjegojnë se shtjellimi i esesë ka rezultuar me pasoja në pikë për maturantët. Afati i fundit kur maturantët e pakënaqur, duhet të dorëzonin kërkesën për rishikimin e testit ishte mesdita e djeshme. Dje ishte afati i fundit kur maturantët do të dorëzonin ankesat pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore. Shkollat e mesme i pritën këto ankesa deri në orën 12:30 minuta, ndërkohë që pas kësaj ore nuk pranonin asnjë ankesë. Mesditën e djeshme të gjitha shkollat mblodhën ankesat dhe do t'i dërgojnë pranë drejtorive përkatëse arsimore rajonale, të cilat do t'i dërgojnë më tej në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA). E veçanta nga vitet e kaluara është se këtë herë rishikimi i testit nuk do të ketë thjesht karakter vëzhgimi, por do të bëhet një korrigjim i plotë i testit, ku nëse maturanti rezulton se ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë, këto pikë do t'i shtohen në vlerësimin e dytë. Maturantët që kanë kërkuar rishikimin e testit do t'i marrin përgjigjet në mesin e javës së ardhshme. Për të parë rezultatet e dala nga rishikimi i testit, ata duhet të drejtohen pranë AVA-s, e cila do të vendosë edhe për notën të cilën ata meritojnë në provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe për Maturën Shtetërore 2009.