E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e pahapura, "arkivole" të demokracisë

Në një "grindje", nuk mund të ketë vetëm një fajtor, thonë të moçmit dhe këtë me sa duket, nuk e luan as topi edhe në rastin konkret. Tendenca jonë e lashtë për të marrë anën e të dobëtit, në këtë moment të të humburit që deklaron me të gjitha mjetet e në të gjitha tonet "manipulimin zgjedhor", me të drejtë për mendimin e disave pa të drejtë për mendimin e të tjerëve, nuk e zgjidh aspak lëmshin e stërkoklavitur të spektrit politik shqiptar, veçse u hap rrugë "deklaratave" alternative shpesh kaq "interesante" saqë shqiptarët i dëgjojnë, duke parë njëri-tjetrin me habi të pazakontë, duke ngritur supet a thua se tërë problemet e kombit janë në vijë dhe na mbeti të merremi me majën e gjerit.

Kutitë e pahapura tentojnë të kthehen në "arkivole" të demokracisë sonë të brishtë, ndërsa mazhoranca fitimtare mbrohet me këmbëngulje pas "istikamit" të një vendimi gjyqësor që funksionon kësaj radhe si llozi i Arkimedit. "Eureka!"

Në penxheret televizive luhet kungulleshka e çil e mbyll midis politikaneve të të gjitha ngjyrave e besimeve ndërsa kriza ekonomike bën punën e saj rehat-rehat mbi gërmadhat e katrahurës politike.

Opozita, mbrohet me sulm, zaten s‘ka më ç‘të humbasë dhe dhëmbët e dhëmballët e shkulura, nofullat thyera e trutë e derdhura, fluturojnë në atmosferën e rënduar, duke e turbulluar edhe më keq situatën.

Disa kanë mendimin se e gjithë kjo nuk është reale, nuk është thelbi, por dukja. Është vetëm një copëzë e skenës, ndërsa prapa kulisave mjeshtër të regjur të kuzhinave politike trazojnë kazanin dhe era e orientuar e gatimit arrin deri te flegrat tona të uritura për thashetheme politike.

Kush ka të drejtë? Ose, kush ka më shumë faj? Vështirë se mund të jetë dikush objektiv në këto kushte. "Mafia", "djemtë e bllokut", "Bandat e 97-s", "traditat shekullore të respektit e dashurisë ndaj familjes si celulë e shoqërisë", "biografitë e vjetra e të reja", po nxirren nga muzetë, pastrohen shpejt e shpejt, armatosen dhe hidhen në sulm për të fituar në mos luftën, të paktën betejën e përshtypjeve.

Por… "mjerisht", demokracia ka zgjidhje për të gjitha situatat dhe këtë e dinë mirë edhe "palët ndërluftuese".

E mira e të mirave do të ishte që pa arritur punët deri këtu dikush, e në këtë pikë barra rëndon mbi mazhorancën fitimtare, duhet t‘i kish hedhur pak ujë verës…

…Por edhe opozita me gjithë simpatinë e fituar, mirë do të ishte të kthente herë pas here kokën prapa e të qëmtonte me qetësi fajet e veta në gatimin e të famshmit Kod Elektoral, që do ta çonte Shqipërinë një orë e më parë në pragun e Europës.

Për të dy palët ka ende kohë t‘i thërrasin mendjes e mos vazhdojnë të na çudisin se fundin e këtij skenari e kemi parë dhe tjetër herë.

Do të zgjohet "baba" nga gjumi i drekës, do t‘i kapë prej veshi dhe do valojë "përsëritja e mësimit" me zë të lartë, që do të bindet edhe vetë shejtani. Dhe i bezdisur siç mund të jetë, "baba" gjithmonë, nga që i prishën rehatin, nuk përjashtohet t‘u fusë e nga ndonjë shpullë turinjve, siç ndodh rëndom në të tilla raste, gjetkë. E atëherë ç‘u mbeti?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›