Qipriotët: Humbje katastrofike
Miqësoren e 12 gushtit kundër Shqipërisë, qipriotët do ta mbajnë mend gjatë. Humbja që u shkaktuan kuqezinjtë në "Qemal Stafa" është për-cjellë me nota dramatike në median ishullore. Analistët dhe opinioni sportiv e ka cilësuar një katastrofë të vërtetë disfatën 6-1 ndaj skuadrës së Kuzhesë dhe kritikat për këtë kolaps nuk kanë munguar. Gazeta prestigjioze, "Politis-Sports" në titullin e saj të madh kishte vendosur "Shpartallim kombëtar" ditën e djeshme. Në brendësi të shkrimeve nuk mungonin edhe kritikat në adresë të lojtarëve dhe të stafit. "Miqësorja me shqiptarët kthehet në një makth për ekipin tonë përfaqësues. Skuadra jonë u dorëzohet pa kushte kundërshtarëve duke pësuar një nga humbjet më të thella të 20 viteve të fundit. Ishte një katastrofë e vërtetë", shkruhej ndër të tjera në artikullin që i kushtohej humbjes së të mërkurës në mbrëmje. Ndërkaq, edhe revista sportive qipriote "Gjipedho", nuk i ka kursyer kritikat dhe akuzat në adresë të ekipit përfaqësues. Titulli i saj i madh dje ishte: "Ishim turistë në Shqipëri". Ndërkohë që edhe në artikullin e saj nuk mungonin kritikat e ashpra për paraqitjen e dobët të skuadrës. Sipas saj, lojtarët qipriotë shfaqën mungesë të theksuar impenjimi dhe përqendrimi."E kishin marrë shumë lehtë këtë miqësore, por harruan se edhe në takime të tilla mund të përballesh me disfata", shkruhej ndër të tjera në artikullin që i kushtohej ndeshjes së përfaqësueses. I pamëshirshëm është treguar edhe uebsajti më i njohur sportiv në Qipro, "Protathlima. com.cy" që kryeartikullit i kishte vënë titullin: "Kështu nuk bëjmë asgjë". Në shkrim vlerësohej loja dhe grinta e skuadrës shqiptare, madje nuk mungonin as ironitë. "Ata (shqiptarët) luajtën sikur të ishte një ndeshej botërori, ndërsa ne nuk arritëm të nxirrnim asgjë nga repertori ynë. Ishte për të ardhur keq. Kështu nuk mund të shkojmë larg", citohej në artikull.
Precedentët
1998: Qipro - Shqipëri 3-2
2000: Shqipëri - Qipro 0-0
2004: Qipro - Shqipëri 2-1
2009: Shqipëri - Qipro 6-1