BQE: Recesioni ekonomik po arrin pikën e kthesës
Më së fundmi duket se recesioni global po arrin në pikën e kthesës. Sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE), ka sinjale rritje si ai i faktit që ritmi i kontraktimit të ekonomisë në eurozonë po minimizohet në mënyrë të qartë. Por BQE nënvizon gjithashtu se niveli i pasigurisë mbetet akoma. Në buletinin e muajit gusht, kjo bankë njofton se pritet që në vendet e zonës euro aktiviteti ekonomik të mbetet i dobët në pjesën e mbetur të vitit. Në vitin 2010, një fazë stabiliteti do të çonte në një rritje graduale. Ndërkaq, sipas mediave të huaja, të dhënat e reja tregojnë se recesioni është zbutur në Evropë, ku dy ekonomitë më të mëdha, Gjermania dhe Franca, kanë rifilluar rritjen pas një periudhe rënieje. Sipas disa analistëve, shifrat e reja mund të jenë një shenjë se pjesa më e vështirë e recesionit është kapërcyer. Prodhimi i përgjithshëm bruto në Gjermani dhe në Francë u rrit 0,3 për qind në tremujorin e dytë, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me rëniet e regjistruara në muajt e parë të vitit. “Pas katër tremujorëve rresht, ku u shënua rritje negative, Franca më në fund po del nga recesioni. Ne jemi rikthyer në rritjen pozitive, duke shënuar një rritje ekonomike 0.3%”, ka thënë Ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde. Në këtë tremujor prodhimi, në të 16 vendet që përdorin euron, ra me 0.1%.
Ekziston shqetësimi se sa do të zgjasë kjo periudhë rimëkëmbjeje, teksa papunësia parashikohet të rritet. Gjermania, p.sh., u zhyt në recesion nga rënia e volumit të tregtisë botërore, çka ndikoi negativisht mbi eksportet e këtij vendi. Megjithatë, shifrat e fundit nuk tregojnë ndonjë rritje në volumin e eksporteve gjermane. Ato tregojnë se rritja 0.3% ka ardhur kryesisht nga përmirësimi i treguesve të brendshëm ekonomik. Ekspertët paralajmërojnë se ekonomia mbetet e brishtë. Papunësia në Gjermani ka vazhduar të rritet. Shtimi i shpenzimeve të konsumatorëve gjatë kësaj periudhe ka ardhur pjesërisht nga stimujt e qeverisë, siç janë pagesat me para në dorë për ata që dorëzojnë makinat e vjetra dhe blejnë të reja. Ekspertët paralajmërojnë se këta stimuj nuk mund të vazhdojnë gjatë. Ata vënë gjithashtu në dukje se megjithë rritjen 0.3%, në tremujorin e dytë të këtij viti, prodhimi në Gjermani ishte 7% më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.