Zhduket dokumenti i marrëveshjes së Ohrit
Dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit është zhdukur nga arkivat e Maqedonisë dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë. Dokumenti, i cili i dha fund konfliktit të dhunshëm, mes etnisë shqiptare dhe maqedonase në vitin 2001, nuk ekziston as në dokumentacionin e Presidentit të Maqedonisë dhe as në Arkivat Shtetërore. Origjinali i dokumentit, i cili ishte i shkruar në gjuhën angleze, sipas ligjeve të arkivimit në Maqedoni duhej të ishte nën kujdesin e Arkivave të Shtetit. Por Arkivi Shtetëror i Maqedonisë ka njoftuar se nuk i është dorëzuar dokumenti origjinal i Marrëveshjes. Në dokumentin origjinal të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë të vendosura edhe nënshkrimet origjinale të ish-kryetarit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish- liderit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër i mëparshëm, Lubço Gjeorgjievski, dhe të kryetarëve të atëhershëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe PDSH-së, Arbën Xhaferi. Në dokument, nënshkrime si dëshmitarë zyrtar kishin vendosur edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. Dje në Maqedoni u përkujtua tetëvjetori i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Përfaqësuesit e OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Maqedoni, u kërkuan palëve të plotësojnë deri në fund kërkesat e kësaj marrëveshjeje paqësore. Marrëveshja e Ohrit konsiderohet si një shembull i mirë i zgjidhjes së problemeve ndëretnike në Ballkan. Partia opozitare shqiptare, PDSH deklaroi se nga marrëveshja e Ohrit nuk janë zbatuar 95 për qind e përmbajtjes, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, përfaqësinë e barabartë të minoriteteve etnike në institucionet shtetërore dhe decentralizmin.