Kryeministri Sali Berisha takon kryetarin e Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, Imer Selmani

Bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare në Maqedoni, i rëndësishëm
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim një delegacion të Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, të kryesuar nga kryetari i saj, Imer Selmani.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë për këtë takim. Kryeministri u shpreh se ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare për çështje të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë. Kreu i qeverisë, vlerësoi marrëveshjen e Ohrit, si një dokument të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka njohur zhvillime pozitive, duke shprehur besimin se në të ardhmen do të bëhen hapa përpara në implementimin e plotë të saj.
Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, Imer Selmani, vlerësoi zhvillimet pozitive në rrugën e reformave në Shqipëri, si dhe vlerësimet e bëra në raportin e Bashkimit Evropian për këto reforma. Imer Selmani e njohu kreun e qeverisë Berisha, me zhvillimet në Maqedoni, veçanërisht me historinë e Partisë Demokracia e Re, duke e konsideruar atë një moment historik dhe ofertë të re politike për shqiptarët dhe minoritetet e tjera në frymën e bashkëpunimit politik, si një parti moderne, qytetare të qendrës së djathtë.
Kryetari i Partisë maqedonase Demokracia e Re tha se në radhët e kësaj partie janë tërhequr njerëz të rinj, të pa angazhuar më parë në politikë, nga shoqëria civile, etj, si një nevojë për sjelljen e ideve të reja dhe një fryme bashkëkohore në politikë.
...