E Diel, 1 Nëntor 2026

Silvio Berluskoni në Tiranë, mban premtimin për t’i bërë një vizitë homologut Berisha

Kryeministri italian do vizitojë Tiranën për disa orë, 2 dhjetorin e ardhshëm. Gjatë takimeve pritet të diskutohen forcimi i marrëdhënieve dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni do të vizitojë Tiranën zyrtare më 2 dhjetor. Ardhja e Kryeministrit italian Silvio Berluskoni bëhet me ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.
Kreu i qeverisë së vendit fqinj do të qëndrojë disa orë në kryeqytetin shqiptar dhe do të zhvillojë takime të rëndësishme me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Gjatë takimeve pritet të diskutohen forcimi i marrëdhënieve dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit italian Berluskoni që pas marrjes së detyrës në fillim të këtij viti. Në këtë vizitë Berluskoni do të shoqërohet edhe nga një grup investitorësh italianë për të konfirmuar kështu jo vetëm bashkëpunimin politik, por edhe atë ekonomik.
Në qendër të bisedimeve në krerët e lartë të shtetit, kryesisht me kryeministrin Berisha, do të jenë edhe diskutimet për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri, në kuadër të sigurimit të mjaftueshëm të energjisë dhe eksportimin e saj drejt Italisë. Këtë e ka konfirmuar disa ditë më parë edhe kryeministri Sali Berisha, duke theksuar se pret një përgjigje pozitive nga ana e Berluskonit në lidhje me këtë çështje, duke qene se pala italiane në mënyrë të hapur, ka shprehur nevojën për bashkëpunim me Shqipërinë në drejtim të energjisë.
Pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve do të jetë edhe liberalizimi i vizave të Shqipërisë me BE dhe integrimi në këtë strukturë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›