Reagon Partia Lëvizja e Legalitetit

Plani 6 pikësh i Ban Ki Mun, krijon precedent të rrezikshëm në Kosovë
Planin e OKB-së për Kosovën e ka kundërshtuar edhe Partia Lëvizja e Legalitetit. Kjo parti ka ndjekur me vëmendjen më të madhe zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki Mun si dhe qëndrimin e autoriteteve zyrtare të Republikës së Kosovës për këtë çështje. Partia “Lëvizja e Legalitetit” konstaton se plani gjashtë pikësh hedhur për miratim është në kundërshtim me të gjitha parimet bazë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe të ushtrimit të kompetencave kushtetuese të Qeveris së Kosovës në mbarë territorin e vendit.
Nga ana tjetër, plani gjashtë pikësh krijon një precedent të rrezikshëm për të institucionalizuar ushtrimin e pushtetit paralel të pakicës serbe si parakusht për plotësimin e synimeve të Beogradit për sabotimin e qeverisjes unike të Prishtinës dhe ndarjen territoriale të Kosovës. Për më tepër, ky plan legalizon një ndarje të Kosovës mbi baza etnike, çka është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me planin e Ahtisarit, që parashikojnë një Kosovë multi-etnike, multi-fetare dhe të unifikuar.
Në këtë kuadër Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh qëndrimin e saj se transferimi i kompetencave të UNMIK-uk tek EULEX-i dhe shtrirja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës duhet të bëhet pa kushte dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në Kushtetutën e vendit.
PLL i bën thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë në Kosovë që të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos pranojnë asnjë kompromis që do të ishte në dëm të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
Po ashtu, PLL i bën thirrje qeverisë shqiptare që në pozitat e shtetit amë të intensifikojë aktivitetin diplomatik në mbrojte të interesave kombëtare të popullit shqiptar.
...