Manastiri, serish u harrua
Para disa ditësh në Shkup u mbajt Akademia Solemne e 100 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe. Pa dyshim se kjo ngjarje është gdhendur në historinë tonë si kodi i unifikimit të kombit shqiptar. Mirëpo në kushtet e sotme ,ky qëllim dhe mision i figurave të ndritura të kohës që u mblodhën tok në Manastirin e para 100 viteve, fatkeqësisht nuk respektohet gjithaq. Politikat ditore shqiptare në rastin konkret pa kufij nuk përtojnë t’i zgjasin duart për të hipotekuar, apo monopolizuar data të këtij rangu. Për ta ilustruar, mjafton të sjellim në vemendje, se ceremonia e Jubileut të Kongresit të Manastirit në një mënyrë apo në një tjetër u partizua, ndërkohë që opozita aktuale shqiptare, dje kur ishte në qeveri arriti që ka fusë në kalendarin e festës shtetërore, Kongresin e Manastirit. Gjithsesi, kjo analizë nuk ka për subjekt të nxjerrë në mejdan mangësitë organizuese, sepse asgjë nuk e zbeh ngjarjen e madhe historike. Thelbi i këtij shkrimi është diku tjetër. A ishte e drejtë që Shkupi të merrte nektarin e Jubileut dhe cështja tjetër që e kontrabandon realitetin: a respektohet gjuha shqipe nga qeveria maqedonase , kryeministri i së cilës na doli si “arkitekt” i festimit të 100 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe.
Në ceremoninë e këtij evenimenti tejet të rëndësishëm ndodheshin kryeministri Sali Berisha, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe “mikpritësi”maqedonas Nikolla Gruevski. Në dukje pjesmarrja e trojkës ( treshes) kryeministrore i dha pompozitet të madh ceremonisë, paçka se ata ndodheshin në vendin e gabuar. Në këtë kontekst, adresa e saktë për trojkën kryeministriore duhej të ishte Manastiri, qyteti ku u mbajt këtu e 100 vite më parë Kongresi i Alfabetit Shqip. Duhej të ndoshte kështu për shumë arsye, njera prej këtyre arsyeve është se qyteti i Manastirit po humbet cdo nishan të shqiptarizmës, ngase politikat etnocentrike maqedonase kanë përvetësuar gjithcka duke e shndërruar qytetin historik për kombin shqiptar si pikëtakim ku shkarkohet nacionalizmi identitar i sajuar. Mirëpo si duket dy kryeministrat shqiptarë nuk kanë patur shumë informacion se cfarë është gatuar dhe ç’po ndodh në këto hapësira aq me pak në Manastir. Në këtë kuptim nuk besoj se kishte rast me të përshtatshëm për të korigjuar shancet e humbura historike sesa jubileu i Kongresit të Manastirit. Fundja, historia sado e hidhur mund t’i duket palës tjetër ajo nuk mund të ç’bëhet. Këtë duhet ta ketë të qartë edhe kryeministri maqedonas i cili jo pa qëllim i ka bishtuar qytetin të Manastirit si vendtakim për të pritur bujtësit e tij (homologët shqiptarë). Shikuar në këtë rrafsh, përtej gjuhës diplomatike, falenderimet pa doganë të kryeministrave shqiptare ne drejtim të Nikolla Gruevskit ishin të pakuptimta. Mbeten të tilla për sa kohë që pronari i qeverisë së Maqedonisë luan me dy karta. Me rastin e Jubileut të Kongresit të Manastirit ai u përpoq të krijojë një imazh fallso si njeri i moderuar dhe novator dhe këtë e arriti duke u shkepur mirënjohjen dy kryeministrave të shteteve shqiptare, ndërkaq praktikisht ai vazhdon të gjenerojë dhe implementojë politika diskriminuese ndaj shqiptarëve. Sot e gjithë ditën gjuha shqipe mbetet në shtetin multietnik gjuhë me përdorim privat, e anashkaluar dhe e “nemur” insitucionalisht. Sado të përpiqet partiakët e pushtetit të tundin flamurin e suksesit për ligjin e gjuhës shqipe , e verteta është se me këtë ligj shqiptarët nuk mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre. Një tjetër e vërtetë është se ligji që solli brenda natës Gruevski dhe Ahmeti bie në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese dhe me Marrëveshjen ndërkombëtare të Ohrit. Neni 7 i Kushtetutës thotë: “ Gjuhë tjetër që e flasin 20% e qytetarëve gjithashtu është gjuhë zyrtare”. Së këndejmi, meqë jo të gjithë e kanë lexuar Marrëveshjen e Ohrit, shtrohet pyetja , a përdoret zyrtarish gjuha shqipe në Maqedoni? Përgjigja është jo. Sipas modelit qeverisës gjuha shqipe konsiderohet e “vdekur” në qeveri, ushtri, polici, administratën shtetërore dhe publike, në gjykata, në sektoret e ndryshëm publik ne vendkalime kufitare e deri në udhërrëfime. Në këto kushte, shtrohet një tjetër pyetje a nuk tingëllon ironike fakti që 100 vjetori i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe festohet në kushtet e diskriminimit permanent po të gjuhës shqipe? Përgjigja në këtë rast nuk ka nevojë për koment, megjithatë herën tjetër në vend të falenderimit kryeministri i Kosovës t’i sjellë peshqesh homologut të tij maqedonas një kopje të kushtetutës së Republikës së Kosovës si model se çdo të thotë përdorim zyrtar i një gjuhe. Ndërsa kryeministri Berisha në vend të euforisë të njihet më nga afër me realitetet e hidhura që përjetojnë shqiptarëve e këtyre anëve.
***
Po ta zgjerojmë spiralen e analizën Jubileu i 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit pati impakt pozitiv, sepse ky eveniment u krijoi kushte kryeministrave të tri vendeve të bashkëbisedojne dhe të prononcohen. Madje u zhfrytëzua rasti për tu takuar me kryetar partish dhe për të dhënë mesazhe. Jo vetëm kaq. Përtej këtij këndvështrimi pati edhe momente të përfitimit politik secili për hesap të vet. Më i përfituari në planin politik doli Nikolla Gruevski i cili qysh kur është “nusëruar” për së dyti kryeministër nuk e ka bërë sefte qilimin e kuq sepse askush nuk i ka trokitur në derë. Pra, në kushtet e një izolimi shefit të mazhorancës maqedonase i interesonte të ishte në qëndër të vëmendjes dhe të merrte lëvdata… Pra, Nikolla Gruevski fitoi përkrahjen e dy kryeministrave shqiptare në kushtet e popullaritetit të padiskutueshëm në elektoratin maqedonas nga njëra anë dhe të profilit më të ulët në rrafshin ndërkombëtar dhe atij shqiptar nga ana tjetër. Në këtë rast shqetësimi ngrihet mbi premisat e një diskriminimi të pashoq që u bëhet shqiptarëve pikërisht nga një qeveri që prodhon politika etnocentrike. Sakaq prezenca e z. Berisha mund të analizohet në dy optika. E para ardhja e tij dhe e kryeministrit të Kosovës duhet vlerësuar dhe përshëndetur, por vlerësimet e tij lidhur me procesin politik, Marrëveshjen e Ohrit dhe me marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve karamboloheshin me realitetin faktik. Sot e gjithë kohën vetëm shtetasit shqiptarë paguajnë “haraç” në kufi, mos të flasim për deformimet e M.O-së, apo për ligjet që nëpërkëmbin dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët nuk kanë të drejtë të përdorin simbolin dhe gjuhën e tyre dhe deri tek ligji racist i natalitetit. Por në këtë rast faj nuk është i titullarëve të dy shteteve, por i informacioneve të pamjafueshme që ata kanë patur. Marrëveshja e Ohrit jo vetëm që nuk po përparon , por ajo tashmë është denigruar dhe trajtohet nga qeveritarët maqedonas si letër pa vlerë. Gjithsesi Akademia Solemne e 100 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe, për trojkën kryeministrore pati impakt pozitiv edhe për faktin se ata kanë telashë të mëdha me qeverisjet respektive. Sipas të gjitha gjasave Berisha u përpoq të kompesojë problemet me të cilat ballafaqohet si kryeministër duke i dhënë atributin vetes se ka infuencë është jashtë. Ashtu si Nano në një kohë edhe Berisha u përpoq të japë përshtypjen se gëzon autoritet dhe pushtet ndër shqiptare jashtë Shqipërisë zyrtare. Takimet e tij më dy kryetarët shqiptare te partivë kryesore parlamentare , M.Thaçin dhe Ahmetin , sikundër ftesat e hapura për një vizitë kthyese, japin përshtyjen se kryeministri Berisha e sheh të udhës një kafe në Tiranë në prag të zgjedhjeve lokale. Si përfundim Ahmeti ka meritë për shërbimin falas që i bëri kryeministrit maqedonas duke i’a sjellë dy kryeministrat shqiptare në Shkup. Ndërkaq Manastiri sërish u harrua….