E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiratë, rritet kërkesa dhe oferta, çmimet njësoj

Sipas agjencive imobilare të Tiranës, ndërkohë që po shtohen shumë ofertat për dhënie ambientesh me qira (banesa, zyra e dyqane), tarifat e tyre nuk po ulen, duke lënë të kuptohet që edhe kërkesa është në rritje. 

TIRANE- Në kryeqytet, sidomos për ambiente tregtare në zonat e shtrenjta, si Blloku, Stadiumi "Qemal Stafa" apo pranë Radio-Televizionit Shqiptar, kërkesa është gjithnjë e lartë dhe çmimet gjithashtu, janë të shtrenjta. Agjencitë vlerësojnë se ato ndryshojnë nga zona në zonë, por mesatarisht mund të thuhet se qiratë mujore të zyrave luhaten nga 10-25 euro/m2, të dyqaneve deri në 35 euro/m2, ndërsa për banesat llogaritet një çmim rreth 4-5 euro/m2 në muaj. Këto nivele çmimesh kanë mbetur pa lëvizur gjatë 2-3 viteve të fundit. Çmimet më të larta për sa u takon qirave në tregun imobilar i paraqesin dyqanet. Edhe midis tyre, më të shtrenjtat ofrohen nga qendrat tregtare. Për një ambient tregtar prej 25-30 metrash katrore në një qendër tregtare të Tiranës, mesatarisht, qiraja është 800-1.000 euro në muaj. Por mbi 1.000 euro paguajnë edhe dyqanet e rrugëve të njohura tregtare të kryeqytetit. Për sa u përket shtëpive të banimit, ofertat janë të shumta, ndërkohë që nga ana e klientëve po ndihet preferenca për ambiente me pak metra katrore, theksojnë imobiliarët. Ndër to, dallojnë apartamentet një dhomë e një kuzhinë. Rreth Unazës, një apartament i tillë paguhet 20.000-25.000 lekë në muaj, në varësi të mobilimit. Ndërkohë, për një ambient banimi 2+1, çmimi mund të arrijë mesatarisht 30.000 lekë në muaj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›