E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton ligjin: 8 poligone në gjithë vendin

Shtatë muaj pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit në Gërdec qeveria miratoi ligjin për poligonet, vend ku procesi i demontimit do të realizohet brenda të gjitha standardeve. Ligji parashikon dëmshpërblim për banorët dhe mjedisin, nëse dëmtohen. 

TIRANE-Shtatë muaj pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 qytetarë, qeveria shqiptare miraton ligjin për poligonet, vend ku procesi i demontimit do të realizohet brenda të gjitha standardeve. Ministria e Mbrojtjes parashikon dëmshpërblim nëse banorët dhe mjedisi do të dëmtohet gjatë çmontimit të municioneve të tepërta. “Dëmet e shkaktuara, si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kompensohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sipas marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara. Nëse konflikti nuk zgjidhet me marrëveshje, atëherë palët i drejtohen gjykatës përkatëse”, parashikohen në një nga nenet e këtij ligji. Ky nen është për dëmet që i shkaktohen banorëve, por është parashikuar dhe dëmshpërblim për mjedisin të “rimbursohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, megjithëse forcat ushtarake, që kryejnë asgjësimin e municioneve në këto poligone janë të detyruara të marrin masat e nevojshme, për të minimizuar në maksimum dëmet që mund t’i shkaktohen mjedisit”. Në këtë rast parashikohet një bashkëpunim i gjerë mes dikastereve, që mjedisi të kthehet “në gjendjen fillestare dhe të rimbursimit të fondeve të nevojshme”. Do të jenë tetë poligone, nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, që mund të përdoren nga policia për çmontim të municioneve që kapin ato, por duke u paraprirë nga një marrëveshje mes dy palëve. Gjithashtu, ligji i djeshëm parashikon që për poligon, apo për zonën e sigurisë, të shpronësohet apo të merret në përdorim të përkohshëm tokë publike apo private. Në ligjin e ri, është parashikuar që përveç poligonit, rreth tij të jetë një zone sigurie, e cila nuk duhet të jetë e banuar, në mënyrë që të garantohet siguria e zones në të gjitha pikëpamjet. Sipas ligjit, “Zonë sigurie” është një sipërfaqe territori, hapësire, ajrore dhe detare, që kufizon, nga të gjitha anët, rrethore, poligonin për zhvillimin normal të asgjësimit të municioneve luftarake”, ashtu siç duhet të ishte edhe në Gërdec, për të parandaluar rrezikun. Rregulloren e funksionimit të poligonit do ta hartojë Ministria e Mbrojtjes, ndërtimi i objekteve brenda poligonit do të bëhet po nga kjo ministri, ndërsa “zona e sigurisë” parashikohet të përcaktohet në bashkëpunim me të gjitha ministritë e kabinetit.
Qeveria gjithashtu parashikon dhe paralajmërimin e banorëve të zonave përreth poligonit në momentet ku bëhet procesi i çmontimit. “Njësitë përkatëse të Forcave të Armatosura, 30 ditë përpara zhvillimit të asgjësimit të municioneve, njoftojnë organet e qeverisjes vendore, në territorin e të cilave shtrihet poligoni, apo të atyre me të cilat kufizohet poligoni”, sanksionon ligji. Më tej shtohet se brenda 5 ditëve nga data e marrjes së e njoftimit, duhet të njoftohet popullsia përreth me të gjitha mjetet e mundshme. Kjo gjë nuk u realizua asnjëherë për Gërdecin, kur drejt tij niseshin tonelata me municione në zona të mbipopulluara. Në të njëjtin ligj, të miratuar mbrëmë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, përcaktohet dhe cilët janë vendet ku nuk duhet të çmontohen municionet. “Ndalohet realizimi i asgjësimit të municioneve në det, jashtë kufirit shtetëror, dhe jo më afër se 4 km nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës, nga qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënnujore, monumentet e natyrës, monumentet e kulturës, të kategorisë I e II, si dhe në zonat e tyre të mbrojtura, në korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil, në hapësirën ajrore të vendit”, thuhet në ligj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›