E Shtunë, 31 Tetor 2026

K. i Venecias: Kushtetuta diskutim në dhjetor

Komisioni i Venecias e shqyrton ankesën e LSI-së dhe pas diskutimeve do t’i drejtohet me një letër sqaruese, Kuvendit të Shqipërisë.LSI-ja njohu institucionin e lartë europian me pushtetet që merr Kryeministri pas ndryshimeve që u miratuan më 21 prill. 

TIRANE- Komisioni i Venecias pritet të diskutojë në sesionin e muajit dhjetor, rreth kërkesës së dërguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për ndryshimet kushtetuese të miratuara në 21 prill. Lajmi u bë i ditur vetëm 4 ditë më parë, ndërkohë që LSI-ja i ka dërguar pak kohë më parë një letër Komisionit të Venecias me ankesat e saj të shfaqura kundër ndryshimeve të ndodhura në 21 prill. Përmes kësaj letre, LSI-ja e informon komisionin për mënyrën e ndryshimeve të ndodhura në Kushtetutën e vendit. Ashtu si edhe në praktikat e tjera, Komisioni i Venecias e shqyrton ankesën apo kërkesën e paraqitur dhe pas diskutimeve do t’i drejtohet me një letër sqaruese, Kuvendit të Shqipërisë. LSI-ja i kundërshtoi e para ndryshimet, kushtetuese të prillit të këtij viti, madje ajo mbështeti edhe krijimin e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, i cili gjithashtu u ankua në Gjykatën Kushtetuese për këto ndryshime. Pas ankesave dhe kërkesave të njëpasnjëshme, edhe KQZ-ja rrëzoi pretendimin e këtij komiteti për të iniciuar një referendum popullor për ndryshimet kushtetuese. Në letrën e saj dërguar Komisionit të Venecias, LSI-ja njeh institucionin e lartë europian me pushtetet që merr Kryeministri i vendit pas ndryshimeve dypalëshe që PS-ja dhe PD-ja i bënë Kushtetutës më 21 prill. “Kryeministri i vendit, pas natës së 21 prillit ka marrë një super-imunitet. Ai mund t’u heqë imunitetin atyre deputetëve të tjerë, për t’i pasur më shpejt në kontroll, dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për demokracinë në vend”, - shkruhet në këtë letër të nisur javë më parë drejt Komisionit të Venecias. LSI-ja nuk ka reshtur gjatë kësaj kohe së denoncuari veprimin e dy partive të mëdha, duke i akuzuar se i kanë hequr të drejtën popullit të shprehet përmes referendumit, me të njëjtën mënyrë me të cilën u miratua edhe dokumenti themeltar i shtetit. Në këtë kohë, firmat për të kërkuar referendum i bashkuan edhe dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu dhe një sërë figurash të njohura të politikës dhe shoqërisë civile, por gjithçka u rrëzua. Sipas LSI-së, “këto ndryshime kërkojnë të mbajnë kryeministër Sali Berishën”. Sipas drejtuesve të LSI-së, këto ndryshime e kthyen Kushtetutën e Shqipërisë në atë nivel që ishte projektkushtetuta e Sali Berishës në 1994, ku i jepen të gjitha pushtetet një njeriu të vetëm”.
Reagimi
Ndërkaq, pak kohë më parë, pas një takimi që zv/kryetari i Komisionit të Venecias ka zhvilluar me një grup gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese shqiptare në Strasburg, shprehu rezerva për ndryshimin që iu bë Kushtetutës. “Komisioni i Venecias, i cili ka monitoruar nga afër të gjithë procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 1998, duhet të ishte pyetur rreth amendimeve që asaj iu bënë”, - mësohet të ketë thënë zëvendësi Markert në këtë takim. Ai i ka konsideruar shumë të shpejta ndryshimet e bëra në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në mungesë të plotë të transparencës. Ai ka kërkuar informacion nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese shqiptare rreth mënyrës se si u bënë amendimet e Kushtetutës dhe rolin e Parlamentit në votimin e tyre. Zyrtari i lartë i Komisionit të Venecias ka shprehur ndërkaq edhe shqetësimin, se përse nuk u diskutua me grupet e interesit apo veçanërisht shoqërinë civile rreth këtyre ndryshimeve. Ndërkohë, dy partitë kryesore janë duke u përgatitur të ndryshojnë sërish Kushtetutën dhe këtë herë për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe njerëzve të drejtësisë. Por ende nuk dihet nëse këto ndryshime do të arrijnë të bëhen para ardhjes së një përgjigje nga Komisioni i Venecias.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›