E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, koka e prerë për ekzaminim në Tiranë

Dyshohet se ajo mund të jetë e një fermeri nga Konispoli, i vrarë nga persona ende të paidentifikuar i cili u varros pa kokë më 8 tetor të vitit 2005. Kafka u gjet të enjten pasdite nga disa fëmijë në afërsi të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë. 

SARANDË Kafka e një njeriu të paidentifikuar që u gjet të enjten pasdite nga disa fëmijë në afërsi të ish-kampit të punëtorëve në qytetin e Sarandës, dje është nisur në laboratorin kriminalistik të Tiranës për identifikim. Ndërkohë, burime të policisë lokale, nisur nga rajoni ku u gjet koka e prerë dhe e dekompozuar, hedhin dyshimin se ajo mund të jetë e një fermeri nga Konispoli, vrarë nga persona ende të paidentifikuar i cili u varros pa kokë. "Më 8 tetor të vitit 2005, në një ferrë, afër serave në pronësi të tij, u gjet me kokë të prerë fermeri Zihni Myderizi. Gjatë kësaj kohe është punuar në disa pista, por ende nuk ka motive të sakta dhe emër konkret për autorët. Koka e prerë që u gjet një ditë më parë, ishte e dëmtuar aq sa paraqiste vështirësi identifikimi pa mjetet e metodat përkatëse shkencore. Për këtë është dërguar në Tiranë, nga ku do të synohet identifikimi dhe të marrin udhë drejt zbardhjes së plotë, shumë pikëpyetje që kemi në hetim", - shtojnë për Gazetën drejtues të policisë.
KOKA E PRERË
Disa fëmijë, teksa po loznin bri aksit rrugor Sarandë-Konispol, në afërsi të ish-kampit të punëtorëve, mes hedhurinave, kanë parë një kafkë koke. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka dërguar ekspertë të saj për të kryer veprimet përkatëse ligjore. "Kafka ishte e dëmtuar, aq sa ishte vështirë që të përcaktoje nëse ishte kafkë njeriu. Pas dëshmive të fëmijëve, të dëshmitarëve të parë në vendin e gjetjes së saj, u bë administrimi i kafkës. Të premten ajo u nis për ekspertizë drejt Tiranës", - shtojnë burimet pranë grupit të hetimit. Burimet policore shtojnë se ka thjesht një dyshim se kafka mund të jetë e fermerit Myderizi, nga Konispoli. Për këtë duhet fjala e ekspertëve, pas ekzaminimeve shkencore që do të bëhen në laborator, në Tiranë.
DYSHIMI
Edhe pse priten ekzaminimet e fjala e ekspertëve, paraprakisht, ekspertë të policisë, banorë dhe familjarë të viktimës, e lidhin gjithçka me krimin e 3 viteve më parë, ende pa autor. Ngjarja makabre ndodhi më 8 tetor 2005, në skajin jugor të vendit, në Konispol. "Përroi i Vasilikoit" në Konispol, një emërtim i lidhur me famën e Ali Pashës (nga emri i Vasiliqisë gruas së tij), u bë atëherë edhe vendi i prerjes së një koke njeriu. Trupi i Zihni Myderizi u gjet jo vetëm i pajetë, por edhe pa kokë, hedhur pas një ferre të madhe të atij përroi me emër, ku merr ujë lagjja e poshtme e qytetit. 45-vjeçari Myderizi ishte babai i tre fëmijëve. Duke qenë se vonoi të vijë për drekë, atë ditë, gruaja bëri gati ushqimin dhe ia dërgoi me të bijën në serrën private, në fund të fshatit. E bija e kërkoi kudo brenda në serrë e rrotull saj, e së fundi e gjeti të therur e pa kokë pranë 'Përroit të Vasilikosë'. Organet kompetente, në tre vjet kanë thënë se e kanë pasur vështirë t'i gjejnë autorë kësaj ngjarjeje, ndërkohë që familjarët, duke nisur nga vëllezërit e tij, Ilmi dhe Fiqiriu, kanë bërë denoncime të vazhdueshme. "Sa herë nis të rihapet dosja e vrasjes pa autor, në Sarandë ndërrohen krerët e policisë. Ne kemi dhënë dyshimet tona, por druhemi se ka persona me influencë të madhe që pengojnë zbardhjen e të vërtetës", - thonë familjarët.

(s.g/vi.da/ GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›