SHBA, grupe hetimi antikorrupsion

Ndihma amerikane përfshihet në fazën e dytë të Programit Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit. Zv.Presidentja e këtij programi, Sherri Kraham, deklaroi se faza e dytë do të ketë gjashtë elemente kryesorë:
1. Krijimi i një administrate efeciente gjyqësore.
2. Reforma më e thellë në administratën tatimore.
3. Krijimi i qendrës kombëtare të licencimit, që do të funksionojë sipas parimit “One Stop Shop”.
4. Plani për të krijuar një regjistër kombëtar të biznesit.
5. Krijimi i njësive të hetimit në 6 rrethe të vendit për të luftuar korrupsionit
6. Ndihma ndaj shoqërisë civile. Thelbi i fazës së dytë të Sfidës së Mijëvjeçarit realisht ka dy elemente, reformën e gjyqësorit, si dhe administratën publike.
Pikërisht në pikën ku po zhvillohen debatet më të forta, për të cilat po akuzohet më shumë qeveria është fokusuar Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit.
Elementi më i ri i këtij programi është ngritja e disa ekipeve të përbashkëta hetimore antikorrupsion, të cilat do të ngrihen në gjashtë rrethe kryesore të vendit.
Ky projekt, i cili do të shërbejë si “pilot” me tendencën për t’u shtrirë, koncepton një grup të përbashkët nga prokuroritë, gjykatat dhe pushteti lokal, të cilat do të merren vetëm me luftën ndaj korrupsionit në administratën shtetërore.
Këto grupe hetimore pritet të ngrihen në qendrat më të mëdha të vendit si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça dhe Vlora dhe pritet të kenë një mbështetje në asistencë teknike nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.
Punonjësit e këtyre qendrave do të trajnohen pikërisht për të kryer një punë më të specializuar kundër evazorëve fiskalë, apo edhe zyrtarëve të korruptuar.
Marrëveshja
Marrëveshja dypalëshe e Programit Sfida e Mijëvjeçarit u nënshkrua dhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mhoney.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers, Zv/presidentja e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Sherri Kraham, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Kjo marrëveshje dypalëshe për zbatimin e Fazës II është miratuar në gusht të vitit 2008 nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit dhe do të veprojë gjatë një afati kohor prej dy vitesh të programit Prag.
Në prill të vitit 2006, qeveria shqiptare dhe ajo e SHBA-së u angazhuan të bashkëpunonin për të goditur korrupsionin dhe për të bërë më transparent, më të përgjegjshëm dhe më të efektshëm, shërbimin ndaj publikut në tre sektorë kyç: regjistrimin e biznesit, prokurimin elektronik dhe administratën tatimore.
Disa muaj më pas, në shtator 2006, “Chemonics International”, së bashku me partnerë të qeverisë dhe administratës tatimore, filluan punën për realizimin e projektit me vlerë 13.85 milionë dollarë, nën administrimin e USAID-it.