E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qirjako: Gramozi ska pse të demoralizohet

Nga Kristi Lilo

Edhe pse situata në kampin kolonjar nuk është aq premtuese për ndeshjen në Skrapar me ekipin vendës, sidomos pas dënimit të titullarëve Peçi dhe Shupe, ai që ruan optimizmin është trajneri Ilir Qirjako. Për Sportin shqiptar ai thekson se gjendja e lojtarëve është e kënaqshme: Po punoj me lojtarët që ata të mos dekurajohen, por të kenë besim te forcat e veta, edhe pse për dy ndeshjet e radhës do të na mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm.

Javën e ardhshme kemi një transfertë delikate, prandaj është e domosdoshme që të jemi sa më të motivuar. Për këtë qëllim kam vendosur që lojtarët të pushojnë dy ditë, në mënyrë që ta kalojnë momentin e vështirë psikologjik dhe gjatë javës të jenë të përqendruar. Ndoshta si asnjëherë tjetër, lojtarëve do tu kërkohet të sakrifikojnë në fushë. Ditët e fundit është folur shumë për vështirësitë që paraqet ndeshja në Skrapar, por mund të them se nuk është e pamundur të marrim pikë atje.

Do të kemi përballë një kundërshtar të fortë, por lojtarët tanë e kanë treguar se edhe kur kanë mungesa, dinë të marrin rezultat, ka thënë mes të tjerash numri 1 i stolit kolonjar, Ilir Qirjako. Ai beson shumë se Gramozi do tu kthejë buzëqeshjen tifozëve kolonjarë, por atyre të vërtetëve, që e duan me shpirt ekipin. Edhe nga presidenca kolonjare u është bërë apel lojtarëve për më shumë përqendrim për javët e mbetura të fazës së parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›