Ndalohen tre të rinj, po shpërndanin heroinë në qytetin e Elbasanit
ELBASAN - Tre të rinj kanë përfunduar në pranga pasi dyshohet se bëjnë pjesë në një rrjet të mirorganizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit shprehen se në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë ndaluar në kushtet e flagrancës tre persona, pasi akuzohen për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve të kryer në bashkëpunim". Sipas tyre, të ndaluarit janë shtetasit Ervin Turku, 21 vjeç, Marsen Kopili, 20 vjeç dhe Elis Kushi, 23 vjeç, të tre lindur dhe banues në qytetin e Elbasanit. Ata u ndaluan në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cërrikut". Sipas policisë, Ervin Turku po i shiste lëndë narkotike Marsel Kopilit. Gjatë hetimeve rezultoi se Turku e siguronte lëndën narkotike nga 23-vjeçari Elis Kushi. Mësohet se policia, gjatë kontrolli të ushtruar ndaj 20-vjeçarit Kopili, i gjeti dhe i sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 2 gr lëndë narkotike të llojit heroinë. Policia po punon për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në grupin e shpërndarjes së heroinës në këtë qytet.
Bashkia kërcënon: “Të mbyllet tregu nëse nuk paguhen taksat”
DURRËS - Tregu i mallrave industriale me pakicë, në periferi të qytetit të Durrësit, rrezikon të mbyllet përkohësisht, pasi tregtarët e vegjël nuk kanë paguar një pjesë të detyrimeve fiskale ndaj Bashkisë. "Shlyerja e detyrimit për pagesën e sigurimeve shoqërore për afro 700 punonjës të tregut duhet kryer brenda së mërkurës së ardhshme", - thanë burime nga Departamenti i Tatimeve dhe Taksave pranë kësaj Bashkie. Sipas burimeve, tashmë tregtarët dhe punonjësit e punësuar prej tyre janë njoftuar për masën administrative të mbylljes së përkohshme të tregut. Të njëjtat burime theksuan se nga 700 tregtarë që punojnë çdo ditë për shitblerjen e mallrave industriale me pakicë, 549 prej tyre janë pajisur me NIPT-in përkatës, por shlyerja e detyrimeve vjetore vazhdon të kryhet jashtë afateve të përcaktuara në kontratën e Bashkisë me tregtarët e vegjël. Tregu i mallrave industriale është zhvendosur 6 vjet më parë nga qendra e qytetit në zonën periferike, pranë lagjes së ish-kënetës.
Asnjë i arrestuar për përplasjen me armë në Shkodër
SHKODËR – Policia nuk ka arrestuar asnjë autor për përplasjen me armë të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i plagosur një person. Burimet zyrtare i thanë “Albania”-s se çështja është nën hetim dhe janë shoqëruar disa persona në lidhje me ngjarjen. Sipas tyre, ka përfunduar puna për identifikimin e mjeteve dhe po punohet për gjetjen e autorëve, por që zyrtarisht nuk është bërë i ditur emri i asnjë prej protagonistëve të konfliktit. Mesditën e së premtes ndodhi një përplasje me armë mes dy grupeve, ku më pas u përfshi edhe grupi i shoqërimit të një banke. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i lënduar një kalimtar, i cili, pasi ka marrë ndihmën e parë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
8 Nentor 2008