E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet restoranti, ndalohen disa persona



LEZHË – Një restorant në qytetin e Lezhës është thyer dhe është grabitur një armë zjarri tip çifte dhe dy gurë fresibël. Burimet zyrtare të policisë së këtij qyteti bëjnë të ditur se vjedhja është kryer ditën e premte. “Rreth orës 14:30, jemi njoftuar se gjatë orëve të natës është vjedhur me thyerje një magazinë e lokalit “Bar Restorant Uldedaj”, në pronësi të shtetasit T. U., 42 vjeç”, - thanë burimet zyrtare. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes ku janë gjetur e fiksuar dy gjurmë daktiloskopike në cilësinë e provës materiale, janë marrë deklarime nga persona që tregojnë rrethanat e hetimit. Të gjitha këto materiale kapin vlerën e 50 mijë lekëve. Policia tha se është duke punuar për zbulimin, identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.

Groposet arseniku brenda ish-Azotikut, kundërshtojnë banorët

FIER – Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve të qytetit të Fierit, dy ditë më parë ka përfunduar groposja e 1500 tonë arseniku në një zonë të ndërtuar brenda territorit të ish-Azotikut, në periferi të qytetit të Fierit. Burimet zyrtare pohojnë se bashkë me substancën e rrezikshme janë groposur edhe materialet e përdorura për ambalazhim dhe mbetjet e zonës përreth, të cilat ishin përcaktuar me shkallë të lartë rrezikshmërie për mjedisin. Dita e djeshme ka shënuar edhe përfundimin e kapsulimit të grupës, e cila është izoluar nga ekspertët. Përfaqësuesit e firmës finlandeze “EKOKEM” janë shprehur të sigurt në zbatimin rigoroz të projektit për groposjen e arsenikut. Burimet zyrtare pohojnë se pas dy javësh pritet të nisë gjelbërimi i të gjithë sipërfaqes. Banorët e qytetit të Fierit kanë kundërshtuar groposjen e substancave helmuese në zonën pranë ish-Azotikut, duke pretenduar se kjo nuk e shmang rrezikun.

Konfliktet për pronën, lumë denoncimesh në Policinë e Durrësit

DURRËS – Konfliktet mes personave të ndryshëm, që në shumicën e rasteve janë të motivuara për çështje pronash, kanë sjellë një valë të madhe denoncimesh në Policinë e Durrësit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur tre të tillë.
Sipas burimeve zyrtare, dje nisi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 37-vjeçarit Kujtim Qerimi, lindur në Burrel e banues në Arapaj. Ai dyshohet se ka kërcënuar fqinjin e tij 59-vjeçar, M.R., mbrëmjen e së premtes, gjatë një konflikti për motive pronësie. Po ashtu, forcat e rendit kanë arrestuar 21-vjeçarin Armand Myftari, lindur dhe banues në Durrës, pasi dyshohet se ka rrahur, duke i shkaktuar dëmtime, të cilat u klasifikuan në kategorinë e plagosjes së lehtë, 59-vjeçarin H. N. dhe ka kanosur djalin e tij, 21-vjeçarin B. N.. Përplasja mes palëve dyshohet se ka lindur edhe në këtë rast për pronësinë e një toke. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj 29-vjeçarit Bledi Çerri, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 16 të qytetit bregdetar,
“Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se rreth orës 11. 00 të së premtes, në Lagjen Nr. 16, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur B. N. dhe në grindje e sipër i ka thyer xhamin e krahut të majtë të automjetit tip “Benz”, me targa DR 3313 D”, - tha policia. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit mbërrijnë thuajse çdo ditë kallëzime për konflikte pronësie, të cilat në disa raste përfundojnë edhe me viktima.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›