E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qumështi kinez, këtë javë dalin rezultatet

Në mesin e javës së ardhshme pritet të vijnë rezultatet e para të analizës së kampioneve të qumështit të bllokuar, pasi janë importuar nga Kina. Nga këto rezultate pritet të merret vesh nëse qumështi i importuar nga Kina është pjesë e qumështit me përmbajtje të lartë melamine, që ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra fëmijëve dhe helmimin e mbi 6 mijë të tjerëve menjëherë pas përfundimit të lojërave olimpike në vendin aziatik.

Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bënë me dije për gazetën “standard” se qumështi nuk është bllokuar sepse ka qenë i helmuar, por pasi ishte i dyshimtë për shkak të prejardhjes së tij nga Kina. Për këtë arsye, ai është magazinuar dhe në rast se rezulton i padëmshëm për popullsinë do të lëvrohet në treg; në të kundërt do të asgjësohet.

Qumështi i bllokuar

Ditën e premte, Ministria e Bujqësisë lajmëroi bllokimin e një sasie të konsiderueshme qumështi që ishte importuar nga Kina, pas një udhëzimi të Bashkimit Evropian, për ndalimin e produkteve dhe nënprodukteve të qumështit që vijnë nga vendi aziatik. Urdhri i ministrit së Bujqësisë, z. Jemin Gjana, parashikon bllokimin e qumështit dhe produkteve të tjera me bazë qumështi, nëse gjenden në tregun tonë.

Këtyre produkteve do t’u bëhet analiza mbi përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Evropian. Nëse përmbajtja e melaminës del e lartë, atëherë produkti do asgjësohet menjëherë. Urdhri parashikon bllokimin e qumështit deri në marrjen e përgjigjeve të analizave dhe në rast se produkti del i kontaminuar, atëherë duhet të kryhet menjëherë asgjësimi i produktit. Rezultatet pritet të dalin javën e ardhshme.

Skandali në Kinë

Skandali i ushqimit të foshnjave në Kinë nuk ka marrë fund. Jo vetëm pluhuri i qumështit, por edhe qumështi i freskët duhet të jetë i dëmtuar me lëndën kimike melaminë. Në fillim të shtatorit u konstatuan rastet e para në Kinë, ku disa fëmijë u helmuan nga qumështi i cili kishte përbërje të lartë melamine.

Në mesin e shtatorit në Kinë u shtruan në spital rreth 6000 bebe. Këto raste u konstatuan se ishin helmuar nga qumështi pluhur me melaminë. Por jo vetëm qumështi pluhur, por edhe raste helmimi me qumështin e freskët janë konstatuar në Kinë gjatë muajit shtator. Inspektorët në Kinë, në 10 produkte të kontrolluara, kanë mundur të dëshmojnë lëndën e rrezikshme kimike.

Të prekura janë, ndër të tjera, ndërmarrjet e mëdha të përpunimit të qumështit në vend: "Mengniu", "Yili" dhe "Bright". Nga analizat e bëra në pluhurin e qumështit, në të është gjetur kimikatja industriale melaminë, që shkakton gurë në veshka. Vitin e kaluar melamina ishte shkaktari kryesor për vdekjen ose sëmurjen e mijëra maceve dhe qenve në SHBA, që konsumonin ushqim kinez me këtë shtojcë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›