Statusi i policit të burgjeve dhe gradat
Statusi dhe gradat në Policinë e Burgjeve përcaktohen për herë të parë saktësisht në projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që pritet të kalojë së shpejti në Këshillin e Ministrave. Në këtë draft është qartësuar në mënyrë të veçantë statusi i policit në burgje, duke u dalluar dhe ndarë nga agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe është njohur për herë të parë e drejta që punonjësit e Policisë së Burgjeve të organizohen në sindikata. Projektligji përmban strukturën e Policisë së Burgjeve sipas funksioneve si dhe përgjegjësitë për çdo funksion të saj. Në mënyrë të veçantë, në ndryshim nga ligji në fuqi, ky projektligj rregullon hollësisht marrëdhëniet e punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve, duke plotësuar disa nga mangësitë e konstatuara. Në një krye të veçantë janë përcaktuar në mënyrë të detajuar çështjet që lidhen me kontratën e punës, kohën e punës dhe pushimit, pagën dhe shpërblimin, kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në Policinë e Burgjeve si dhe rastet e lirimit nga detyra. Gjithashtu, në projektligj është rregulluar hollësisht edhe çështja e gradave të Policisë së Burgjeve ku përfshihen çështje si hierarkia për rolet dhe gradat, kriteret për fitimin e gradës, përcaktimi i funksioneve për gradë, heqja apo ulja në gradë si dhe e drejta e ankimit në rast se punonjësi nuk është dakord me vlerësimin për gradën. Efekti financiar i projektligjit “Për Policinë e Burgjeve”, duke llogaritur fondin e pagës, si dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrin shumën prej 1 750 987 mijë lekë. Përllogaritja është bërë duke pasur parasysh që sistemi i gradave i propozuar përputhet me tabelën e pagave të Ministrisë së Brendshme për këto grada, duke i zhveshur nga specifikimet që ka vetë Ministria e Brendshme; gjatë përllogaritjes u konsiderua mesatarja e vjetërsisë dhe gradave sipas vendeve të punës; si dhe u mor në konsideratë niveli aktual i trajtimit financiar për Policinë e Shtetit, përshtatur në shërbimet që realizon Policia e Burgjeve.
Gradat
1. Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Për punonjësit e rolit bazë:
1) Nëninspektor;
2) Inspektor;
3) Kryeinspektor.
b) Për punonjësit e rolit të mesëm:
4) Nënkomisar;
5) Komisar.
c) Për punonjësit e rolit të lartë:
6) Kryekomisar.
7) Drejtues;
8) Drejtues i Parë.
Ngritja në gradë
1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i Parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse.
2. Grada “Nëninspektor” i jepet punonjësit te rolit baze që në momentin e fillimit te punës pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit baze ne Qendrën e Trajnimit.
3. Punonjësit e policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Qendrën e Trajnimit, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij.
4. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi ne Qendrën e Trajnimit.
5. Ngritja në gradën “Kryeinspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi në Qendrën e Trajnimit.
6. Punonjësit të Policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:
a) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” 2 vjet
b) nga “Kryeinspektor” në “Nënkomisar” 2 vjet
c) nga “Nënkomisar” në “Komisar” 3 vjet
d) nga “Komisar” në “Kryekomisar” 3 vjet
e) nga “Kryekomisar” në “Drejtues” 3 vjet
f) nga “Drejtues” në “Drejtues i Parë” 4 vjet
8. Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
a) paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës;
b) paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj.
c) pezullimit apo largimi për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm.
d) pezullimit deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen.
9. Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
a) lejes së përfituar pa të drejtë pagese;
b) pezullimeve për shkaqe disiplinore.
Fitimi i gradës
1. Ngritja në gradë e punonjësit të policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, komisioni i dhënies gradave përcakton gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të Policisë.
2. Punonjësit e policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit përkatës për atë gradë.
3. Punonjësit e policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues.
4. Pas përfundimit me sukses të trajnimit, përzgjedhja për ngritje në gradë bëhet sipas listës emërore të së drejtës për gradë, të përcaktuar në pikën 1, shkronja “c” të këtij neni.
5. Ngritja në gradën deri në “Kryeinspektor” kryhet me urdhër të drejtorit të Policisë të Burgjeve.
6. Ngritja në gradën deri në “Komisar” bëhet me urdhër të drejtorit të përgjithshëm te Burgjeve , me propozimin e komisionit përkatës të gradimit.
7. Ngritja në gradën e rolit të lartë bëhet nga ministri i Drejtësisë me propozimin e komisionit përkatës të gradimit.
8. Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti.
Komisionet për Dhënien e Gradave
1. Komisionet e Gradimeve për rolin e mesëm dhe rolin e lartë propozojnë dhënien e gradave përkatëse mbi bazën e vlerësimit të kritereve të parashikuara në këtë ligj për fitimin e gradës.
2. Përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e mesëm përcaktohet me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve.
3. Përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e lartë përcaktohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Përcaktimi i gradave për funksion
Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Nëninspektor për policët e rolit bazë në detyra të thjeshta shërbimi;
b) Inspektor për përgjegjësit e shërbimit;
c) Kryeinspektor për ndihmësit e specialistëve dhe përgjegjësit e grupeve të shoqërimit.
2. Punonjës i rolit mesëm:
a) Nënkomisar për specialistet e trupës;
b) Nënkomisar, Komisar për shefat e regjimeve dhe specialistët e informacionit;
c) Komisar, Kryekomisar për specialistët në D. P. B dhe përgjegjësit e sigurisë.
3. Punonjës i rolit lartë:
a) Kryekomisar, Drejtues për Përgjegjësit e Sektorëve ne DP të Burgjeve.
b) Drejtues, Drejtues i Parë për Drejtorin i Policisë së Burgjeve.