E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2009, javën e ardhshme në Kuvend

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm pritet t’i kalojë Kuvendit brenda pak ditësh. Burime pranë Ministrisë së Financave shprehen se projekti është gati dhe pritet të shkojë në qeveri brenda kësaj jave, duke bërë të mundur që në Kuvend të mbërrijë në mesin e muajit tetor. Projektbuxheti i vitit 2009 do të ketë shifra rekord. Sipas të dhënave paraprake, totali i shpenzimeve të këtij buxheti pritet të kapin shifrën e 5.2 miliardë dollarëve, më e larta që nga krijimi i shtetit shqiptar. Ministria e Financave po bën gati draftin ligjor për ta kaluar në qeveri. Bisedimet me institucionet, si dhe mbikëqyrja e FMN-së ka përfunduar, ndërsa pritet vetëm dërgimi i projektit në qeveri. Ashtu si në buxhetet paraardhëse, fondet janë përqendruar në projekte madhore dhe prioritete kryesore. Infrastruktura, arsimi, shëndetësia, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e fondeve për institucionet e drejtësisë janë disa nga detajet që bëhen të ditura paraprakisht nga ky projekt. Rritje fondesh të konsiderueshme kanë përfituar investimet publike, arsimi dhe shëndetësia. Ministrisë së Arsimit i shtohen përkatësisht për vitin 2009 1 miliardë lekë për ndërtim shkollash dhe pajisjen me mjete të shkollave ekzistuese. Ministrisë së Shëndetësisë do t’i shtohen 100 milionë lekë për shërbimin parësor dhe 100 milionë lekë të tjera për medikamentet e rimbursueshme. Projektbuxheti i vitit 2009 pritet të vijë brenda 2 javëve në Kuvend për t’u miratuar, pasi të kalojë në qeveri.

Shpenzimet

Në krahasim me vitet e kaluara, institucionet kanë përfituar më shumë fonde. Shtesat për vitin e ardhshëm janë të konsiderueshme, edhe duke pasur parasysh faktin se do të përdoren për rritje pagash, si dhe blerje materialesh për të rritur efektivitetin e këtyre institucioneve. Prokuroria do të përfitojë vitin e ardhshëm 120 milionë lekë të reja shtesë. Nga këto para, 40 milionë lekë do të përdoren nga prokuroria për shpenzime të tilla si shërbime kompjuterike, karburant, përkthime, trajnime, ndërsa 80 milionë lekë do të përdoren për ndërtimin e godinës së re në qytetin e Korçës. Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 i shtohen 21 milionë lekë për mirëmbajtjen e programit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe 39 milionë lekë për projektin e ndërtimit të gjykatës në Korçë. Gjykata Kushtetuese për vitin 2009 do të përfitojë shtesë 2 milionë lekë për blerje pajisjesh. Këshilli i Lartë të Drejtësisë për vitin 2009 do të përfitojë 4 milionë lekë shtesë të cilat do të përdoren për transport dhe dieta. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive të citit do t’i shtohen 1 milion lekë të reja për kancelari dhe 1 milion lekë të tjera për blerje pajisjesh kompjuterike për zyrat. Fonde shtesë për dieta dhe shërbime transporti do të përfitojnë edhe Avokati i Prokurimeve me 1 milion lekë dhe Avokati i Popullit me 2 milionë lekë të reja. Jashtë kësaj liste nuk ka mbetur as Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili do të përfitojë 30 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit “ARIES”. KLSH-ja do të ketë 4 milionë lekë shtesë për shërbime dhe mirëmbajtje të zyrave. Shtesë fondesh do të ketë edhe Ministria e Drejtësisë, të cilës i shtohen 200 milionë lekë për të investuar në shërbimin e zyrës së pasurive të paluajtshme. Ministrisë së Brendshme i shtohen përkatësisht në programin “Policia e Shtetit”, shërbimet mbështetëse, për vitin 2009 1 miliard lekë. Një shtesë prej 300 milionë lekësh do të përdoren për shpenzimet e tjera nga kjo ministri. Njëkohësisht është parashikuar një fond për trajtimin e familjeve të policëve të plagosur apo të vrarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›