Gjendet celulari i anglezit të masakruar, prova të reja për ngjarjen
LEZHË - Policia e Lezhës ka mundur të gjejë edhe një tjetër provë për shtetasin britanik Edward Craythorne, i cili u gjet i masakruar në një pus uji në fshatin Mal Shëngjin në rrethin e Lezhës. Sipas burimeve të sigurta të informacionit, mësohet se policia, gjatë kontrollit që ka ushtruar, ka mundur të gjejë edhe kartën e telefonit celular të 23-vjeçarit anglez, i cili është përcjellë për në banesën e fundit vetëm dy ditë më parë nga ana e familjarëve të tij dhe nga qindra banorë të Shëngjinit dhe Lezhës. Të njëjtat burime të informacionit saktësojnë që karta telefonike është gjetur rreth 10 metra larg banesës së Marjo Pjetrushit. Ndërsa dje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Craythorne. Në këtë mesazh Topi shprehet: "E nderuara Zonja Craythorne. Me shumë hidhërim mësova për humbjen tragjike të djalit tuaj Edward”. Më tej letra vijon: “Në këto momente të vështira për ju dhe familjen tuaj, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të thella dhe të sinqerta. Drejtësia shqiptare do të godasë pa mëshirë autorët e kësaj vepre makabër, e cila nuk pasqyron aspak vlerat e lashta të dashurisë, mirësjelljes dhe mikpritjes së popullit shqiptar ndaj mysafirëve të një vendi tjetër", - përfundon mesazhi i ngushëllimit të presidentit shqiptar për familjen angleze.
27 Shkurt 2008