Quo Vadis? Futbolli shqiptar pa “drita”, shteti pa dritë jeshile

(Speciale) Në mjediset sportive thuhet se "skuadra ka vizionin e trajnerit", ndërsa në ambientet gazetareske: "gazeta ka fytyrën e kryeredaktorit". Albania-sport.com në fokusin e saj dëshiron t'i japë një përgjigje përcaktimit: "Futbolli ynë a ka fytyrën e Federatës Shqiptare të Futbollit?" . Për këtë kontaktuam me katër kryeredaktorët e gazetave të përditëshme sportive: Bashkim Tufa (Sporti Shqiptar), Fatmir Mëneri (Sport Ekspres), Aurel Pepa (Metropol Sport) dhe Gjergji Stefa (Panorama Sport), të cilët përpunojnë opinionin sportiv shqiptar. Albania-sport u drejtoi atyre tri pyetje të përbashkëta.
1. Cila është sipas jush gjendja aktuale në të cilën ndodhet futbollit shqiptar?
Bashkim Tufa (Sporti Shqiptar): "Në të vërtetë jetojmë në një Shqipëri pa drita dhe për rjedhojë edhe futbolli do të jetë pa "drita". Nuk ka mundësi në një vend që e ka pllakosur jo vetëm mungesa e energjitikës, por në një vend modest si Shqipëria në Europë, të pretendojmë të kemi një futboll të nivelit të lartë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që zhvillimet sociale, kulturore ecin pararel me nivelin e futbollit. Nuk mundet që futbolli ynë të ketë nivel të lartë kur kemi parasysh treguesit e sipërpërmendur. Ne radhitemi në vendet e fundit. Nuk duhet të na vijë aspak keq që dhe në ranklistën europiane renditemi në vendin e fundit. Duhet të jemi koshient se tjetër është dëshira të kemi një konkurrim dinjitoz me vendet që janë në elitë si Franca, Italia, kur kurrsesi ne qëndrojmë në nivele të tjera.
Fatmir Mëneri (Sport Ekspres): "Në plan të përgjithshëm do të thoshja se është në gjendjen që i përgjigjet edhe zhvillimin tërësor të Shqipërisë. Nuk jam nga ata që mund të bëjë krahasime me futbollin shqiptar të para një apo dy dhjetëvjecarësh. Gjithmonë jam i idesë se në fund të fundit, futbolli do të reflektojë zhvillimin dhe emancipimin e një vendi. Sigurisht këtu edhe i shmangem një konkluzioni përfundimtar, pasi duke patur edhe ballafaqimin me shumicë me futbollin në Europë edhe mund të gabosh.
Aurel Pepa (Metropol Sport): "Gjendja e futbollit shqiptar në këto momente është pak e shumë e ngjashme edhe në vitet e fundit paraardhëse. Gjendje që lë shumë për të dëshiruar. Si për nga niveli i futbollit, nga organizimi dhe gjithë faktorët e tjerë.
Gjergji Stefa (Panorama Sport): "Gjendja e futbollit shqiptar shkon në përpjestim të drejtë me gjendjen e shoqërisë shqiptare. Mendoj se futbolli në vendin është në nivele të ulëta. Kjo nuk është as për t'u habitur dhe as për t'u bërë alarmante. Parametrat e shoqërisë shqiptare nuk funksionojnë ashtu si duhet dhe futbolli e reflekton këtë. Nuk pretendojmë dot që të jemi si vendet e tjera, për arsyen e thjeshtë, se përpos që jemi vend i varfër, kemi gati 16 vjet që po kalojmë një fazë të vështirë tranzicioni, kemi probleme dhe boshllëqe të mëdha me strukturat sportive, ligjin e sportit, mënyrën se si funksionojnë klubet në Shqipëri.
2. Sa ndikon Federata Shqiptare e Futbollit në mbarë- apo keqvajtjen e futbollit tonë?
Bashkim Tufa (Sporti Shqiptar): "Federatat e futbollit në secilin vend të Botës janë koordinatore, në rastin konkret edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Shpeshherë anët negative ia faturojmë federatës. Jo pak herë edhe ne si gazetarë në raste të vecanta gabojmë duke ia faturuar federatës. Unë mendoj se nuk është Federata Shqiptare e Futbollit për nivelin e këtij futbolli që kemi. "Federata është organizatore e futbollit në Shqipëri, por që të arrijmë në stadin e një futbolli cilësor duhet ndërtuar e tërë infrastruktura e domosdoshme. Ajo me politikat e saj duhet të nxisë rritjen e nivelit të futbollit në Shqipëri, që të ndikojë në rritjen e nivelit të klubeve".
Fatmir Mëneri (Sport Ekspres): "Propozime ka shumë. Do të thoja që kryesorja është ende larg për t'u arritur. Në këtë kohë zhvillimi të vrullshëm dhe kaotik të vendit është ende herët që njerzit të mendojnë seriozisht për sportin. Cka do të thoshja, pa dashur të përifrazoj dikë, që të merresh me futboll, të këndosh apo të bësh dicka tjetër që ka të bëjë me artin, duhet të kesh një shtëpi. Te sporti, nënkupton infrastrukturën. Nëse nuk do të kemi infrastrukturë vështirë që edhe me inciativa nga më të ndryshmet të arrijmë dicka.
Aurel Pepa (Metropol Sport): "Federata Shqiptare e Futbollit është një nga hallkat kryesore. Për vetë detyrën e saj, si organizatore e aktivitetit, ajo ka përgjegjësi kryesore për këtë gjendje, pasi me veprimet e saj ka ndikuar në këtë gjendje negative të futbollit, duke u përpjekur më tepër të mbajë balancat për interesat e federatës dhe nuk është shqetësuar për të investuar në futbolli shqiptar. Më tepër është shqetësuar për ekipin kombëtar, të cilin e ka shfrytëzuar si një vitrinë. Nuk duhet harruar se të kesh një Kombëtare të fortë duhet të kesh në radhë të parë klube të forta".
Gjergji Stefa (Panorama Sport): "Federata Shqiptare e Futbollit ka rol të qartë në detyrën e saj: ka për detyrë që të përpilojë rregullat e lojës. Përsa i përket cilësisë nuk ka absolutisht ndikim. Nëse një klub blen një lojtar të mirë dhe të shtrenjtë dhe tjetri një lojtar të dobët dhe pa pagesë, nuk është problemi i federatës. Edhe nëse në njërin stadium shkojnë 100 veta dhe në tjetrin 10 mijë shikuesë, nuk është problemi i saj. Federata ka për detyrë të hartoje kalendarët, afatet e merkatos dhe t'i zbatojë ato. Në ndonjë rast moszbatimi i tyre nga ana e federatës ndikon në cilësinë e futbollit. Duhet të them një gjë. Federata Shqiptare e Futbollit duhet të heqë dorë nga marrja e kampionatit shqiptar, si të Kategorisë Superiore apo të Kategorisë së Parë në mbrojtje. Dua të shpjegohem për këtë. Në mungesë së Ligës Profesioniste është federata që organizon kampionatin. Por, ajo nuk duhet ta mbrojë atë kampionat, nuk duhet të mbrojë një trukim ndeshje që ka ndodhur në një "iks" sezon të vitit të kaluar, nuk duhet të mbrojë "filan" president. Federata ka për detyrë që dy skuadra t'i nxjerrë në fushën e lojës: të arrijë marrëveshje me policinë, që ndeshja të shkojë pa probleme dhe dhunë, të caktojë drejtuesit e takimit, por nuk është faji direkt i federatës nëse dy presidentë të dy klubeve bien në marrëeshje për një rezultat të paracaktuar të një takimi. Kjo nuk është përgjegjësi direkte e federatës. Për këtë duhet ngritja urgjente e Ligës. Federata Shqiptare e Futbollit ka mision parësor ekipin Kombëtar si në cdo vend të Botës. Federata nuk e bën dot Ligën, ku janë presidentët që vendosin rregullat e lojës.
3. Cila do të ishte formula më efikase për t'i shërbyer rritjes cilësore të futbollit shqiptar?
Bashkim Tufa (Sporti Shqiptar): "Unë mendoj se mundësitë e kësaj federate janë të kufizuara, pasi duhet të jetë shteti ai që duhet të hapë dritën jeshile për të krijuar një mjedis komod që të promovojë lulëzimin e futbollit shqiptar. Kam mendimin se pa patur një futboll masiv, pa krijuar një lëvizje futbolli për të gjithë, do të jetë tepër e vështirë për të patur një futboll cilësor. Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Nuk është përgjegjësi e FSHF që nga 33 fusha futbolli, të cilat ekzistonin para viteve '90, sot janë në gjendje të ndryshme 12 të tilla, së bashku me Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa". Kjo është një politikë e mbrapshtë që kanë ndërmarrë të gjitha hallkat e shtetit shqiptar në dëm të futbollit. Shteti kujtohet për futbollin në raste fushatash zgjedhore, ose për ta vjelur dhe për interesa të tyre. Buxheti i qeverisë shqiptare për të gjithë veprimtaritë sportive akordon në një vit vetëm 3 miljonë dollarë, kur vetëm buxheti i deklaruar i Sport Klub "Tirana" është 1 miljon dollarë. Imagjinoni që ky buxhet është për mbi 30 lloje sporti. Si mund të drejtohen menaxhohen 3 milionë dollarë, kur vetëm Tirana, klubi më i pasur në Shqipëri ka si fond në të tretën e kësaj shumë. Nuk flasim për Celsin e rusit Roman Abramovic që për klubin e tij ka shpenzuar rreth mbi 470 milionë stërlina apo gati 800 milionë euro, që e përkthyer në vitet shqiptare do të duheshin mbi 250 vjet me buxhetin që akordon shteti ynë. Do të përmendja vetëm një shprehje të një mikut tim: ‘Më mirë të bëjnë në Shqipëri 2 km rrugë më pak, që bëjnë rreth 2 milionë dollarë dhe t'i krijojnë mundësi zhvillimi sportit tonë".
Fatmir Mëneri (Sport Ekspres): "Do të thoja që federata është në rolin e një mekanizmi. Në rast se nuk kemi një politikë dhe strategji të mirëfilltë sportive, cka e ka zanafillën te shteti, edhe federata qoftë me iniciativat e saj që mund të ketë, financat e saj që posedon, do të jetë e cunguar në veprimtarinë e përditshme të saj. Në këtë drejtim marrëdhëniet e acaruara midis shtetit dhe federatës, sigurisht që ndikojnë për keq.
Aurel Pepa (Metropol Sport): "Për mendimin tim rruga më efikase nuk është ndonjë shpikje. Për vite të tëra thuhet nga gazetarët dhe specialistët se duhet për zhvillimin e futbollit në Shqipëri duhet marrë shembulli i vendeve të vogla. Duhet një investim te të rinjtë, te moshat. Futbolli ynë duhet të mbështetet te nxjerrja e talenteve, që do të thotë: infrastrukturë në futbollin e moshave, profesionizëm në skuadrat elitare. Ne kemi ende skuadra që nuk e dimë se kush i drejton: bashkitë, presidentët që në të vërtetë janë donatorë. Një sqarim i statusit të ekipeve elitare. Duke marrë shembullin më të mirë ndërkombëtar të vendeve të vogla si ne, do të mund të krijojmë një fidanishte të prodhimit të talenteve. Është e papranueshme që në skuadrat tona luajnë një numër i pakufizuar lojtarësh të huaj. Për më tepër që edhe këta janë futbollistë që nuk gjejnë vend në kampionatet e kategorive të treta apo të katërta të vendeve me futboll të përparuar"
Gjergji Stefa (Panorama Sport): "Kjo duhet studiuar më shumë kujdes dhe këtu rol parësor luajnë shumë faktorë. Dëshiroj të kujtoj një deklaratë të trajnerit të njohur Hasan Lika, njëherësh edhe një nga futbollistët e spikatur të viteve '80-90. "Mos kujtoni se futbolli i mëparshëm kishte diferenca më të mëdha. Njerzit nuk shihnin as futbollin italian apo anglez. Dhe në mungesë të tyre vinin në stadium për të na parë ne". Ndryshimi i orareve mund të ishte një zgjidhje. Problemi tjetër. Futbolli në Shqipëri nuk i përket federatës, por shtetit. Duhet të fillojë privatizimi i klubeve. Ndodh shpesh që akuzohet federata për presidentë klubesh të korruptuar, të vrarë apo hajdutë. Njerëzit duhet të kuptojnë që në thelb presidentët e klubeve vendosen nga klubet që varen nga pushteti vendor. Klubet shqiptare jane shoqëria aksionere apo të pjesshme aksionere. Klubi i Tiranës që ka katër donatorë me nje vendim kryesie apo asableje mund t'i shkarkojë apo mund të shtojë të tjerë. Nëse do të vazhdojmë me ketë sistem emërimi presidentësh apo më mirë donatorësh futbolli ynë nuk do të ecë kurrë përpara. Anjë investim që nuk mund të prodhojë, nuk mund të kthejë vlera.
Intervistat: Dash Frashëri
Editor i ALbania-sport.com
---------------------------------
Të nderuar lexues: Komentet apo opinionet tuaja mund t'i drejtoni në adresën e e-mail: asport@albania-sport.com