E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulqini, aty ku sterviten shqiptare, serbe e malazez

Nga Ulqini, Ledjo SEFERKOLLI
Sapo kalon kufirin shqiptar në pikën doganore të Muriqanit (Sukobina në Malin e Zi) syri të has fshatrat e parë shqiptarë përtej kufirit. Dhe vetëm pas 27 kilometrash rrugë qyteti i parë malazez me të cilin përballesh është Ulqini. Qyteti me predominancë shqiptare (73% e popullsisë janë të etnisë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër serbë, malazez e pakica të tjera) këto ditë janari është i qetë. Një xhiro në zonën e plazhit të vogël (malla plaza) dhe një birrë apo dicka tjetër në lokalet e natës janë nga të vetmet mënyra për të kaluar një mbrëmje të qetë, të një qyteti që tashmë regjistron diku te 25 mijë banorët, ndërkohë që në verë popullsia katërfishohet aq sa nuk ke vend për të hedhur kokrrën e mollës. Pikërisht qetësinë dhe rehatinë e qytetit bregdetar të Ulqinit kanë zgjedhur edhe një pjesë e madhe e ekipeve shqiptare për të zhvilluar një periudhë dy javore përgatitjesh. Qetësia e qytetit, ajri i pastër buzë detit, rehatia, lehtësia e komunikimit (në pjesën dërrmuese flitet shqip dhe gjithandej syri të has shkrimet e dyqaneve e lokaleve në gjuhën shqipe) dhe mbi të gjitha mikpritja e ulqinakëve ka bërë që skuadrat shqiptare të gjejnë në Ulqin strehën ideale për 2 javë me radhë. Por, vec klubeve shqiptare (Partizani, Flamurtari, Teuta, Luftëtari, Besa, Besëlidhja, Lushnja) nuk mungojnë që në këtë qytet të gjejnë paqe dhe rehati edhe disa skuadra të tjera jo shqiptare. Serbët e Hajdukut të Kulës dhe malazezit e Zetës janë dy klube të tjera jo shqiptare që kanë zgjedhur si stacion dimërimi pikërisht Ulqinin. Një miks gjuhësh, kulturash dhe etnish. Të gjitha ballkanas, të gjithë të ndryshëm, të gjithë së bashku. Gjithcka për mrekulli të mbledhur në Ulqin, duke i dhënë sadopak gjallëri qytetit me shumicë shqiptare në këto ditë dimri, që në të vërtetë i ngjajnë një pranvere të parakohshme. E mbi të gjitha, shqiptarë, serbë e malazez të grumbulluar në një hotel ku gjithcka funksionon në rregull, në një harmoni të plotë, duke përcjellë edhe një mesazh shumë të qartë për të gjithë. QYTETI QE JETON ME FUTBOLLIN Një mori skuadrat shqiptare sigurisht që kanë tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve ulqinakë. Edhe pse disa kilometra larg qytetit (rreth 3km) "zhurma" e ekipeve shqiptare ndihet edhe në zemrën e Ulqinit. Rrugës duke ecur për të bërë një shëtitje normale prej një turisti të thjeshtë jo rrallë na ka rastisur të dëgjojmë të pëshpëritet "Sa mirë në Ulqin që kanë ardhur shumë skuadra shqiptare. Partizani, Flamurtari". Edhe qyteti i vogël duket se ka filluar të jetojë me futbollin, ndërkohë që ata më fanatikët nuk ngurrojnë të marrin rrugën dhe t'i drejtohen hotel "Olimpik" për të shijuar pak caste stërvitje apo ndeshje kontrolli të skuadrave shqiptare. Pëshpëritjet e rrugëve bëhen edhe më të forta kur ulesh në kafene, vecanërisht në ato të specializuara në fushën e sportit, ku diskutimet për futbollin janë edhe më të shumta. Dhe skuadrat shqiptare pa dyshim që zënë vendin kryesor. Emrat e Partizanit, Flamurtarit, por edhe të Teutës e Besës nuk janë të panjohur, duke të krijuar përshtypjen se je në Shqipëri. Ulqinakët duket sikur po jetojnë me futbollin, duke mos ngurruar të shprehin edhe kënaqësinë e tyre që skuadrat shqiptare në masë kanë zgjedhur qytetin e tyre për të zhvilluar përgatitjet dimërore. "Me sa mbaj mend unë si vjet në këtë kohë në Ulqin ka pasur fare pak skuadra, ndërkohë që këtë vit ato janë të shumta. Na vjen mirë që skuadrat shqiptare zgjedhin pikërisht qytetin tonë. Kjo është gjë e mirë për ne",- deklaron një ulqinak kur e pyet në lidhje me një fakt të tillë. FUTBOLLISTET TANE POPULLOJNE XHIRON NE "MALLA PLAZZA" Rrugë lart e poshtë që destinacion të tyrin kanë vetëm një vend, xhiron në zonën e plazhit të vogël. Nëse në pjesën tjetër të qytetit jeta bie në qetësinë e saj normale, zona e kalasë së Ulqinit, zona e plazhit të vogël duket si një qytet më vete që nuk ka lidhje me Ulqinin. Pikërisht aty derdhen të gjithë të rinjtë e Ulqinit, të cilët shijojnë ajrin e pastër e me jod të detit ngjitur me rrugën si dhe kafetë apo pijet e ndryshme sipas dëshirës e preferencave të vetë të rinjve. Edhe shumë më e varfër se në verë, përsëri kjo zonë mbetet më e frekuentuara dhe këtë e dinë edhe skuadrat shqiptare, por edhe ato serbe e malazeze. Pikërisht ato orë të pakta lirie futbollistët e skuadrave shqiptare i kalojnë në këtë zonë (sigurisht të pajisur me leje nga trajnerët e tyre). Ngjyrat kuqezi, bluzi, të kuqve, bardheblu, te verdha të ekipeve shqiptare i japin një kolorit mbrëmjeve në breg të detit, duke e bërë edhe më të zhurmshme atmosferën, e cila mbetet e tillë deri kur sahati shënon orën 24:00. DYQANET HAPUR QE TE KUJTOJNE SHQIPERINE Një tjetër gjë e vecantë janë dyqanet e shërbimit të përditshëm. Edhe pse fundjavë, rrallë se gjen ndonjë dyqan të mbyllur. Edhe pse kohë dimri asgjë nuk i pengon tregtarët ulqinakë që t'i mbajnë hapur qepenat e tyre për të kryer aktivitetet e zakonshme tregtare. Me përjashtim të zyrave shtetërore gjithcka tjetër private në qytet është hapur, përjashto zonën e plazhit ku shumë dyqane janë të mbyllur, pasi ato janë vetëm në funksion të turizmit gjatë verës. Të gjesh një dyqan ushqimor hapur në Gjermani apo Itali në orën 23:00 ditë të premte apo të shtunë është e pamundur. Por, jo në Ulqin. Deri në mesnate pothuajse gjithcka është hapur, duke të kujtuar Shqipërinë. PUB "CAPITAN HOOK" OAZI I FUTBOLLISTEVE Pas një dite të lodhshme, pas një dite të ngarkuar me stërvitje dhe një xhiroje normale buzë detit në shëtitoren në plazhin e vogël, stacioni i radhës janë lokalet e natës së Ulqinit. Mungesa e njerëzve ndihet, por asgjë nuk i pengon 4-5 pub-et e Ulqinit që deri në orët e para të mëngjesit të argëtojnë klientët e tyre, mes të cilëve edhe mjaft futbollistë të skuadrave shqiptare. Pas "sorollatjeve" lart e poshtë, këmbët të lënë pikërisht në dyert e pub-eve të vegjël të Uliqnit, ku muzika. Një ndër më të preferuarit është edhe "Capitan Hook". Në këmbët e dashezës që të con në zonën e plazhit të vogël, "Capitan Hook" është bërë këto ditë më i preferuari për futbollistët e skuadrave shqiptare. Kuptohet edhe të trajnerëve të këtyre skuadrave që nuk dëshirojnë ndonjë shkarje të vogël, pasi një ditë e lodhshme pune i pret. Në tingujt e muzikës live tip rock orët kalojnë pa u ndier dhe gjirokastritë, tiranas, vlonjatë, lushnjarë, lezhjanë, durrsakë, kongolezë e plot të tjerë futbollistë të skuadrave shqiptare shijojnë një birrë që duket si ilac pas një dite të lodhshme. E premtja dhe e shtuna është dita e tyre sic ka ndodhur edhe këtë fundjavë. Pa dashur të bëjmë të ditur emra, futbollistë të Luftëtarit, Flamurtarit, Besëlidhjes apo të ndonjë skuadre tjetër kanë preferuar këtë pub për të kaluar disa momente clodhëse. KALAJA VENDI I PREFERUAR I TE DASHURUARVE Ka nga ata që preferojnë ambiente edhe më romantike, larg zhurmës së xhiros apo të lokaleve të natës së Ulqinit. Janë të dashuruarit, të cilët preferojnë qetësinë dhe madhështinë e kalasë veneciane të Ulqinit për të kaluar disa momente qetësie krejtësisht të izoluar nga pjesa tjetër. Kudo rreth kalasë, në rrugët e gurta të saj të has syri cifte të rinjsh që përjetojnë momente kënaqësie nën ajrin e freskët në kala dhe zhurmën e valëve të detit që përplasen në shkëmbinj. QEBAPTORET ATO QE NUK MUND TE MUNGONIN Nuk ka të mundur që në qytet shqiptar të mungojnë qebaptoret. Kjo vlen edhe për Ulqinin. Qyteti me shumicë shqiptare duket se nuk ka kuptim pa to. Nuk ka rrugë e rrugicë në Ulqin pa qebaptore. Qebap të freskët e të shijshëm që i shtojnë qytetit një element shumë të pëlqyer nga të gjithë. ULQINI QYTETI I BASHKEJETESES Është vetëm rreth 23 mijë banorë, por në Ulqin mund t'i gjesh të gjithë. Shqiptarë (pjesa dërrmuese rreth 73%), serbë, malazez, arumunë, etj të gjithë janë përfshirë në një, të gjithë në harmoni të plotë. Problemet e shumta të hamendësuara nuk ekzistojnë në Ulqin ku të gjithë e ndjejnë veten ulqinakë pavarësisht kombësive të tyre. PLAZH EDHE NE DIMER Që Ulqini është një qytet i destinuar për turizmin e më saktë për plazhistët, kjo nuk përbën një te re. Por pak kujt mund t'ja merrte mendja se në këto ditë janari të gjeje edhe nga ata që preferojnë ujrat e ftohta të Adriatikut për t'u kredhur në ujë si të ishte mesi i korrikut. Duke pirë një kafe në mëngjes herët në tingujt e mrekullueshëm të muzikës folklorike boshnjake të Ari Mataharit, përtej rrugës në det të kap syri një "të cmendur" që duket se ka nostalgji për plazhin, duke shfrytëzuar ditët pranverore të dimrit për të shijuar edhe ujin e ftohtë të detit. Një notim që të rrënqeth dhe më pas një vrap për t'u ngrohur dhe një ritual i përditshëm i një njeriu që sic tregojnë ulqinakët është i birësuar me detin. HOTELI DHE HISTORIA E LAKRAVE U nisëm me futbollin dhe këtu po e mbyllim. Përtej anëve të shumta pozitive që ka përcjellur te të gjithë qyteti i Ulqinit nuk mund të anashkalohen edhe problemet. Pa dashur të bëjmë një antireklamë, duhet thënë se nëse i ka munguar dicka për ta kthyer cdo gjë në perfekte këto kanë qenë kushtet e hotelit ku po qëndrojnë skuadrat shqiptare. Kushte të cilat vetë futbollistët i pranojnë si jo ndër më të mirat, po kështu edhe drejtuesit e klubeve, sikurse dhe vetë qytetarët ulqinakë, nga bisedat me të cilët ka dalë qartë se është faqkeqësi që në zonën e plazhit të madh nuk është vënë dorë prej vitesh. Duke filluar nga ambjentet stërvitore ku fushat janë jo në gjendje optimale, deri në problematike, për të kaluar te ushqimi, që ndoshta i ka bërë jo me pak dhembje koke vecanërisht futbollistët. Problemi i shtruar edhe dy ditë më parë në gazetë ku futbollistët ankoheshin se ushqeheshin vetëm me lakër, sallatë e mish lope të zier mbetet një pikë e dobët e ku duhet vënë dorë. Drejtuesit e hotelit ndoshta e dinë më mirë, por një problem i dalë sot është më mirë për nesër. Këtu le t'i qëndrojmë një fjale të një banori të Ulqinit, dikur ish-punonjës në këtë hotel: "Është fatkeqësi, por në atë hotel nuk është vënë dorë prej kohësh",-tregon një banor, i cili justifikon edhe më shumë problemin e ngritur nga gazeta ditë më parë. Klubet shqiptare do të vijnë sërish në Ulqin dhe mikëpritjes së shkëlqyer të banorëve duhet t'i shtohen edhe kushtet më të mira.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›