Qyeti i akullt, hapet në Kinë festivali impresionues
HARBIN- Ekipe skulptorësh u mblodhën në Harbin, kryeqyteti i provincës veriore kineze Heilongjiang, për të bërë maksimumin e mundshëm me materialin kryesor që ofron ky qytet, akullin. Nëntëmbëdhjetë ekipe artistësh nga shtatë vende kanë në dispozicion tre ditë kohë për të prerë, sharruar, gdhendur e lëmuar një kryevepër të përftuar nga një bllok akulli gjatë një konkursi për realizimin e skulpturave prej akulli, aktivitet i cili përkon me edicionin e këtij viti të Festivalit Ndërkombëtar të Akullit dhe Dëborës. Përveç konkurentëve kinezë këtë vit ky aktivitet ka tërhequr edhe ekipe nga vende më të mësuar me akullin e dëborën si Rusia e Mongolia, si dhe nga vende si Tajlanda, kur banorët nuk shohin një flok dëbore me sy tërë vitin. Secilit ekip i jepet një bllok akulli me lartësi dy metra, gjerësi dy metra, trashësi 50 centimetra e peshë rreth dy ton i nxjerrë nga sipërfaqja e ngrirë e lumit Songhua i cili rrjedh në rrethinat e Harbin. Skulptorja amerikane Tatjana Shremko Shriempf, në fillimet e punës për realizimin e skulpturës së një ketri në një bllok të stërmadh akulli, tha se ka material ishte i përkryer për këtë proces. "Mendoj se në njëfarë mënyre ky material të jep mundësi të shprehësh më mirë idenë tënde e njëkohësisht të përftosh diçka gjatë gdhendjes së tij. Ky material është gjithashtu tepër i këndshëm përsa i përket shikimit falë transparencës. Por edhe puna me blloqet e dëborës është po ashtu e këndshme" tha ajo. Ky konkurs skulpture, i cili sipas organizatorëve shënon edicionin e tij të 24-ët këtë vit, nisi një ditë më parë ndërkohë që vlerësimet nga ana e jurisë do të jepen mbrëmjen e të premtes. Ekipi fitues do të marrë një çmim prej rreth 732 dollarë si dhe do të ketë mundësi ta ekspozojë veprën e tij përpara turistëve të shumtë në parkun Zhaolin, vendi ku po zhvillohet konkurimi. Skulptori danez Soren Lingbi u shpreh i ngazëllyer nga pjesëmarrja në këtë aktivitet dhe mundësia e ekspozimit të veprës së tij. "Më pëlqen pasi më krijon përshtypjen e një skene në të cilën kushdo mund të admirojë krijimin tim. Kur jam në studion time kam mundësi të punoj në vetmi e vetëm më pas e ekspozoj atë tek të tjerët. Ndërsa në këtë rast ne punojmë duke pasur qindra sy të përqëndruar tek ne" tha ai. Harbin po përballet me një ndër dimrat më të ashpër ndër vite ku temperaturat po arrijnë në minus 30 gradë Celsius. Por banori i Harbin, pensionisti Sheng Yadong, tha se ata nuk lodheshin së përfituari nga përparësitë që ofronte moti i ftohtë. "Ne banorët e Harbin ndjehemi mirë në këtë mot të ftohtë. Ne jemi në gjendje t’i bëjmë ballë të ftohtit, madje të përfitojmë prej tij" tha ai. (e.n/S.Topi/BalkanWeb)