E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e protestës

Vërtitet në të gjitha mënyrat e në emër të kujtdo e të çfarëdoje teza e heshtjes, bindjes, nënshtrimit, unifikimit. Thuhet e shkruhet nga shumë: intelektualë, krerë partie, qeverie, shoqatash, organizatash, krerë asgjëje. “Nuk duhet protestuar se humbasim vizat…nuk duhet protestuar se prishim imazhin… nuk duhet protestuar se nuk duam shumë Atdheun…nuk duhet protestuar se sjellim trazira… nuk duhet protestuar këtu, por aty…”. Të gjitha këto thirrje të thëna troç, hollë, keq apo sofistikuar përkthehen në një linjë fine në dukje, por në thelb të trashë e të rëndë sa ajo që mund të ketë lënë në subkoshiencat e shumë bashkëkatdhetarëve të mi nostalgjia e një dikature. Thuhet nuk duhet protestuar, sepse nuk duhet të bezdisen ata që sot kanë marrë të drejtën të vazhdojnë të grabisin e të dhunojnë Shqipërinë, vetëm a në bashkëpunim. Këta njerëz, të liçensuar për hir të së vërtetës, I bëjnë këtij vendi ndonjëherë pak tualet, ashtu siç një tutor kujdeset që vajza e skllavëruar prej tij të lyhet me buzëkuq, të veshë takat e larta e minifund që të jetë sa më joshëse për të bërë më shumë lekë në rrugë. Pra këta tutorë të punës së Shqipërisë, të cilën nuk e trajtojnë më mirë seç një kriminel trajton një vajzë të rrëmbyer, bëjnë apel për qetësi. Tani kërkojnë të vrasin protestën, si mjetin më dallues të një shoqërie në demokraci. Si mund të pretendohet sot të mos protestosh? E çdo të thotë të protestojmë këtu apo aty? Protesta është mendimi ndryshe, kundër, plus denoncimi i abuzimeve. Pas shumë kulmeve të realizuara në vendin tim, kjo është më e rrezikshmja për një demokraci. Mund të mos mbështet një protestë, por krijimi i kushteve për realizimin i saj është një detyrë për shoqërinë.

albamalltezi@hotmail.com

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›