E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarë, gazetarë dhe shqiptarë

Nga Ernest Bunguri

Ju thashë në shkrimin e mëparshëm që po plasin “pisllëqet” sheshit. Në një tjetër shkrim, për kujtesë, shkruaja që në fushatë janë përfshirë të gjithë. Kjo zezonjë (klasë politike) që ka mbërthyer Shqipërinë bën që shikimi të mos jetë i kthjellët, që dëgjimi të mos jetë i qartë e që zëri të dalë mbyturazi.

Në ring kanë hipur dy forca politike që këto 20 vjet kanë zaptuar jo vetëm toka e pasuri, por edhe shpirtrat. Zënkat e sharjet pa fund, kronikat politike pa masë nëpër televizionet që ende sot mbijnë si kërpudhat pas shiut. Në ato palo gazeta që kanë mbetur, gjysma lexohen shkarazi në internet e gjysma mezi shiten me shifra qesharake të tipit 15 mijë kopje (në një vend me 3.2 milion votues sipas të dhënave zyrtare)!

Më thoni kush nga ju nuk ka një komshi “demokrat” të flaktë. Nga ata që mobilizojnë gjithë lagjen për mitingje, që zgjidhen komisionerë votash, që të pyet hapur për kë do të votosh. Ky është rangu më i ulët i militantit tipik, dhe më i padëmshmi, po ta krahasojmë me militantë në krye të disa mediave ndaj të cilave përdoret një cilësim mjaft i butë, “pro-qeverisë”.

Ata që e kanë parë “sherrin” Bushati-Bejtja, do të më kuptojnë kur të them se Fevziu tashmë ja vlen të ndiqet vetëm për shpëlarje hesapesh. Cili nga ne (të këtij profesioni) nuk është ankuar se dhe në këtë fushë, njësoj si në të gjithë të tjerat në Shqipëri, një ‘klub’ gazetarësh, kryesisht miq me njëri tjetrin (për shembul Bejtja me Bushatin), kishin zaptuar kryet e mediave kryesore dhe ndërroheshin me njëri- tjetrin sa herë të ishte nevoja. “Nuk di të punosh për veten”, ia preu Bushati, Bejtes, i cili me leximin e gazetave ditën e vendimit për vizat, në monitorimet e Armir Shkurtit, i vuri vulën vetes me problemet e të parit (të pirit), edhe atij në gradën e parë.

Në këtë ambient të tendosur ku disa gazetarë, njësoj si shumë të tjerë në fusha të tjera, kanë shitur një nga një rruazat e kurrizit, kur argumenton me to, përfundimi nga njëra shkallë e militantit tek tjetra, është i njëjtë: po më presin rrogën, po mbetemi pa bukë, s’kemi rrugë tjetër. Shprehje këto që ndoshta kanë frymëzuar dhe mesazhin elektoral të PS-së, ‘Rruga e Vetme’.

Tek ra fjala për reklamat e partive. Kur shoh të ndryshmin Lulzim Basha, pedagoge Erisa Xhixhon, patriot Shpëtim Idrizin, ashtu të bukur e me alamet video-montazhesh nga ato që duan ti kalojnë dhe nëpër lajme për ti nxjerrë engjëj, pyes veten, mirë ajo shumicë shqiptarësh/tironcish, që nuk i njeh. Po për ata që kanë patur “fatin” ti njohin nga afër, nuk ju vjen ndonjë çikë ndot nga vetja këtyre palo-kandidatëve? Po si do të na shfaqen nesër në rrugë xhanëm, ashtu të paturp, njësoj si Fatmiri dhe Iliri, të padënuar?

Pisllëqe të këtij lloji që dalin sheshit, do të dëgjojmë edhe në ditët që vijnë. Nga ato që nuk na bëjnë më përshtypje sepse të gjithë i dimë, i kemi dëgjuar, në atë copë vend tepër thashethemexhi ku asgjë s’të bën më përshtypje. Ja një prej tyre të cilën nuk e kam rrëfyer e as harruar kurrë, nga seriali ‘Blendi në botën e çudirave’:

Berisha (Basha) na futi në NATO.

Në Bukuresht, një natë para marrjes së vendimit zyrtar për ftesën që do i lëshohej Shqipërisë, ndërsa një tufë gazetarësh nga vendi raportonin mbi konferencën zyrtare për shtyp, ku Xhejms Apathuraj kishte thënë që “për Shqipërinë dhe Kroacinë u kry, dhe nesër shohim për Maqedoninë”, Blendi, i cili nuk rrinte me gazetarët por ishte pjesë e delegacionit zyrtar me Berishën, intervistonte ambasadorin tonë në Aleancë, dhe citonte ministrin e jashtëm spanjoll Moratinos të kish thënë të njëjtën gjë, por me rezerva.

Dallimi i madh është se ministrat e jashtëm nuk ishin në sallë, ndërsa Xhejmsi po. Meqë e zgjata pak, me këtë më lart, desha të dal tek një këshilltar shumë i afërt i Berishës, nga i cili më vonë mësova se lajmin në fakt ua kish dhënë Iv Leterm, kryeministri belg, të nesërmen e këtij raportimi, në mëngjes, sëbashku me përgëzimet. Berisha, sipas këshilltarit, i ish kthyer i eksituar këtij të fundit duke i thënë, “më duket se e morëm”. Pra, kryeministri i vendit, me gjithë ato këshilltarë, ministra, administratë, nuk e kishte marrë vesh ende që do merrej ftesa, gjë që dihej prej muajsh, se ashtu kishin ca plane për veten e tyre amerikanët. As Gërdeci si bëri gjë asaj të vluare ftesë për të cilën paskësh negociuar e djersirë Basha.

Në fakt Aleancës po ia shohim hajrin, me diplomatë “pa status”, ashtu në ajër as në ministri të jashtme as në ministri të mbrojtjes, në mes të Brukselit, nën hundën e NATO-s, për turp; me rrjedhje informacionesh sekrete e me qëndrime që mungojnë në vendim-marrje të rëndësishme se nuk kthen kush përgjigje nga ministria. Kujtoj dhe ditën që ngrihej flamuri në selinë e Aleancës në Bruksel, ku kryeministri kroat Ivo Sanader fliste për integrimin e Kosovës, ndërsa homologu i tij shqiptar, sapo kishte folur për 300 banda kriminale, rritje të paparë ekonomike, dhe rreth 2 milion turistë (para kroatit që numëron 11 milion në vit, për dy vjet anëtarësohet në BE, e sot është në burg), në mes të gjithë atyre ambasadorëve të shushatur nga ky fjalim historik që e nxirrte Shqipërinë “Zvicër me dy dete”.

Specialistët i njohin detajet, por që ta mbyll me këta, “gazetarët pabuksa” (një pjesë e të cilëve s’dinë as të punojnë për vete siç thotë Bushati), ajo që më pati shokuar ditën që Berisha mësoi se kishim marrë ftesën, ishte që pallton nuk ia mbante Juela Mecani, zëdhënësja, as Arben Imami, shefi i kabinetit, as roja personale, as Luli i cili se nga humbej për të takuar sa më shumë njerëz, por Sandri (personazh edhe i Antenës së Meros e jo më kot), i cili e shtynte nga një kamera në tjetrën disa herë edhe duke i bërtitur. Ndërsa në telefon, pak hapa më tutje, përgjigjej Blendi: “Alo? Hashim? Jo, kryeministri është i zënë në këto momente, por ia kaloj unë urimet tuaja”. Edhe sot e kësaj dite pyes veten, atëherë pse s’kandidoi Blendin Berisha në Tiranë, po Bashën, se të dy, “njësoj kanë djersirë”.

Kur dëgjoj se na kanë futur në NATO, nuk më vjen keq për “qytetarët” e Bashës që kanë lënë postet në administratë për të bërë fushatë, sepse prandaj dhe i ka futur në punë, as për gazetarët “pro-qeverisë” që pikturojnë një Shqipëri-Zvicër, e në fund të muajit nuk blejnë dot as preshin se nuk ju jep Nexhi rrogat, e as për “shqiptarët” e Idrizit që bën koalicion me Berishën (= Dule me Ramën), por vetëm për ata qytetarë që llogorja blu PD i shtyn me forcë drejt “të majtës” për t’ju vënë shenjën e barazimit, o me ne o kundër nesh. Kundër jush me ç’do çmim (vetëm jo për të mbushur zorrën), se nuk mund të ndërrohet liria e demokracia me rrena kasetash e me rroga frike! Në këto kohë presionesh e kërcënimesh të drejtpërdrejta, pavarësisht fjalëve të buta për të gënjyer të huajt, ata gazetarë që sot janë në opozitë me pushtetin/pushtetet, është koha ti përvishen punës siç e do zanati e të mos tremben nga politikanët dhe as nga ish-kolegët që kanë filluar të përpëliten nga dëmet që kanë bërë e që vazhdojnë të bëjnë në emër të zorrës së trashë, e jo të  parimeve e vlerave të këtij profesioni të shenjtë. Janë kohë purifikimesh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›