Dhuna e burrave, gratë tërheqin paditë në gjykatë
Tiranë- Gjyqtarët që shqyrtojnë urdhërat e mbrojtjes, të kërkuar në shumicën e rasteve nga gratë e dhunuara, ngrejnë për gazetën IDEA shqetësimin e tërheqjes së grave të dhunuara në proceset, ku ato padisin bashkëshortët e tyre për dhunë, çka sjell, sipas togave të zeza, edhe pushimin e çështjes.
Por kjo gjë sjell më pas pajtim të hapur me dhunën e cila nëse më parë ka qenë e padenoncuar, tashmë që përfundon në gjykatë, ajo sërisht nuk merr zgjidhje pavarësisht ligjit të vitit 2008 për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.
Ne nuk mund të saktësojmë – pohoi një gjyqtar – nësë ky fenomen po ndodh pasi këto femra po kërcënohen dhe nuk kanë mbështetje në mjedisin e tyre, apo duhet të shikohet sa më parë ligji konkret në bazë të të cilit vendoset urdhëri i mbrojtjes.
Një burim i gjykatës shtoi për gazetën IDEA se, nëse për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar mjaft gra nuk tërhiqeshin për urdhërin e mbrojtjes, gjatë këtyre pesë muajve, 150 çështje të tilla janë pushuar pikërisht për këtë shkak. Ndërsa këto raste të dhunës në familje i ka referuar vetë komisariati apo policia, më tej në sallat e gjykatës po ndeshet një fenomen i tillë, ose gratë nuk paraqiten, ose vijnë në sallën e gjykatës dhe pohojnë se dhuna nuk ishte aq shqetësuese dhe madje ka nga ato graë që bëjnë vetën me faj duke deklaruar se është nxituar.
Megjithatë në të gjitha këto cështje të pushuara, nuk ka asnjë të tillë që të jetë mbyllur në rregjistrin e gjykatës me pajtim, ndërsa referuar dosjeve që janë pushuar për shkaqet e mësipërme, rezulton se janë pranuar vetëm 70 urdhëra mbrojtjeje, ku përfshihen jo vetëm gra që kanë marrë urdhërin e mbrojtjes nga bashkëshorti, por edhe vjehrra nga nusja, apo anasjelltas, ose të moshuar nga djemtë e tyre.
Shkaqet e tërheqjes së grave nga urdhërat e mborjtjes
1. Gjyqtarët pohojnë për gazetën IDEA se pala e dhunuar mungon pa asnjë shkak ligjor, pavarësisht se ajo njoftohet jo vetëm për datën dhe orën por edhe për numrin e zyrës ku do të kryhet seanca gjyqësore. Më tej, gjykata verifikon shkaqet e mos paraqitjes duke kërkuar informacion pranë kryesekretarisë së gjykatës dhe zyrës së protokollit dhe pasi njofton për disa seanca të tjera, pushon gjykimin.
2. Disa gra, thonë gjyqtarët, pas njoftimit të rregullt paraqiten në seancë por në mënyrë të cuditshme heqin dorë nga padia për urdhër mbrojtjeje.
Por nga ana tjetër, avokatë që përfaqësojnë viktimat e dhunës në familje në gjykatë, pohojnë se ligji i 2008 duhet ndryshuar, pasi po vërehet një humbje e besimit të palës së dëmtuar për tju drejtuar gjykatës. Më së shumti, shkak është bërë masa që vendos gjykata për urdhër mbrojtjeje, më së shumti qëndimin në distancë të çiftit për gati 500 metra larg njëri-tjetrit, në një kohë që paradoksi është se ata jetojnë në banesa pranë njëri-tjetrit dhe dhuna është e pashmangshme. Se sa efektiv është ky ligj për urdhër mbrojtjeje tha një avokate mjafton të shohim rastet e fundit kur një grua edhe pse me urdhër mbrojtjeje është vrarë nga bashkëshorti.