Rreziku nga maunat pa frena
Shoqëritë ku gazetaria është gojë e politikës ditore e gazetarët janë argatë të pushtetmbajtësve, janë shoqëri ku është zhdukur kufiri që ndan të vërtetat që karakterizojnë gazetarinë, nga gënjeshtrat që janë shenjë njohëse e politikës. Dhe në ato shoqëri gazetaria është në kthetrat e politikës dhe bëhet mjegull që pengon popullin të shohë nga ecin hijet e politikanëve. Mbase duke e ndjerë shtrëngimin e kthetrave politike dhe ato të pushtetmbajtësve, gazetarët e Maqedonisë dolën këto ditë rrugëve të Shkupit që të protestojnë kundër “burgosjes” së fjalës së lirë. Ata dolën rrugëve e thanë se nuk duan të jenë as shërbëtorë të politikanëve e as pronë e biznesmenëve që mendojnë se, duke financuar mediet, kanë blerë edhe shpirtin e gazetarëve. Por ata nuk shkuan më tej të tregojnë se kush duhet t’i shpëtojë nga kjo “robëri” e dyfishtë, robëri, e cila në thelb shpjegon atë që mbase gazetarët e këtushëm nuk duan ta pranojnë: forcën dhe zgjuarsinë e qarqeve pushtetmbajtëse dhe inferioritetin dhe joprofesionalizmin e një pjese të gazetarisë së këtushme, si edhe atë se Maqedonia e sotme është në mbyllje të dy fazave që i kaloi Serbia e viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shekullit të kaluar: fazën e parë kur gazetarët e lartësojnë “prijësin” dhe e dehin popullin me nacional-romantizëm dhe, atë të dytën, kur prijësi i përdor mediet si kalë në betejat drejt humbjes kolektive.
Andaj, shikuar nën sipërfaqen e asaj që i mundon gazetarët e Maqedonisë, do shohësh se, sa iu përket gazetarëve të medieve në gjuhën maqedonase, ata i farkuan me duart e veta grilat e burgut mediatik ku i ka mbyllur Gruevski dhe partia e tij në pushtet, VMRO-DPMNE. Në të vërtetë, gazetarët maqedonas, të dehur nga fitorja e Gruevskit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, të mahnitur nga vendosmëria e tij që të mos përfillë “terroristët” e Ali Ahmetit, pa marrë parasysh vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, pra të dehur nga “trimëria” e Gruevskit që t’u marrë hakun shqiptarëve për luftën e 2001, gazetarët maqedonas e pritën atë sikur t’u kishte ardhur në Shkup personalisht Aleksandri i Madh i hipur mbi Bukefallin e tij. Nga kjo mahnitje dhe nga mrekullia që iu ofroi Gruevski, shumica e gazetarëve maqedonas nuk panë as atë që do ta shihte edhe një gjysmë i verbër: se nga një politikani i keq dhe demokrat i shtirur mund të lindë vetëm një diktator qesharak i hipur mbi gomar, siç është sot Gruevski.
Duke u ndjerë përnjëherë aq i madh sa e bënë mediet maqedonase dhe aq i dashur për popullin që ia shpërbleu antishqiptarizmin me rejting të lartë politik dhe me fitoren absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008, Gruevski bëri atë që mund të pritej nga një politikan, i cili i beson më shumë ëndrrës se realitetit. Në fillim ai e barazoi të mirën e partisë së vet me atë të shtetit dhe thuajse ia doli që Maqedoninë ta bëjë pronë të VMRO-DPMNE. Pastaj i bëri mediet zëdhënëse të qeverisë së tij dhe vazhdoi më tej t’i ndërlidhë pushtetin dhe kishën ortodokse si dy dikastere të të njëjtit institucion që e ndërton dhe përkujdeset për shtetin. Dhe duke mos pasur me çfarë ta begatojë të sotmen e popullit të vet, Gruevski filloi ta pasurojë të kaluarën e maqedonasve. Kështu që u nis shtigjeve të shekullit të nëntëmbëdhjetë duke gërryer sa më thellë në varret antike nga nxirrte eshtrat e heroizmit të popullit të vet dhe njëkohësisht duke shndërruar në skelet pa mish të sotmen e Maqedonisë. Edhe atë, gjithmonë i shoqëruar nga priftërinjtë ortodoksë, të cilët barazonin vullnetin e Zotit me atë të prijësit, si dhe bënin bekimin e parave të mbledhura nga taksapaguesit myslimanë për t’i përdorur për ngritjen e kryqeve dhe kishave ortodokse.
Ecja e Gruevskit rrugëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë e bëri Maqedoninë me shumëçka t’i ngjajë Serbisë së kohëve të Millosheviçit. Pra, e çoi shtetin drejtë kishave ortodokse e përmendoreve të larta, që do të stolisin qendrën e Shkupit dhe ndoshta do të groposin të ardhmen e këtij shteti. Kështu që këto ditë ai shpalosi planin e “madhërishëm” dhe numrin e përmendoreve që do madhërojnë të kaluarën e popullit maqedonas, një të kaluar, e cila pa dyshim se ka bark aq të madh, sa mund të gëlltitë cilindo hero të Ballkanit. Pra, Gruevski shpalosi se sheshi i Shkupit në të ardhmen do bartë mbi vete Aleksandrin e Madh, e ura e gurit do ketë nga të dy brigjet kalorësit e mëvonshëm të historisë maqedonase, Goce Dellçevin dhe Dame Gruevin. Dhe duke i vënë përmendoret e tyre nga të dy anët e Vardarit, mbase Gruevski do t’i shënojë kufijtë e Shkupit, i cili me këto përmendore mund edhe ta fillojë fazën e “bejrutizimit” të vet, gjë që mund ta çojë BDI në pushtet më në fund të pyesë veten për atë që pa dyshim do ta pyesnin nesër gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve të këtushëm: ǒrol patën? Çfarë bënë dhe ku ishin pushtetarët e BDI, në kohën kur Gruevski e mbuloi Maqedoninë me kryqe, kisha ortodokse dhe me ciriliken sllave? Mbase këto janë pyetjet e munguara që sot duhet t’ia shtrojnë BDI gazetarët e këtushëm shqiptarë, përpara se të dalin të protestojnë kundër dhunës politike që bëhet mbi ta, dhunë, e cila mbase do përfundojë, atëherë kur rrugëve të Maqedonisë, njësoj si dikur nëpër Serbinë e Millosheviçit, do shëtisin mauna pa frena, të cilat shumë rastësisht do të përplasen me makinat e gjithë atyre që thonë se Gruevski i ndërton vetvetes përmendore mbi mjerimin e popullit të vet dhe mbi themelet e inferioritetit të partive të këtushme shqiptare. Dhe mbase kur të dalin rrugëve të Maqedonisë këto mauna pa frena, BDI do e kuptojë se mëkat politik nuk është vetëm ai kur bën keq, por edhe kur nuk bën asgjë ta pengosh të keqen e paralajmëruar, dhe se mëkat nuk është vetëm mbajtja e Albin Kurtit pesë orë në zyrat e policisë maqedonase, por mëkat mbi gjitha mëkatet është kur bën sikur nuk e kupton se qëndrimi i këtillë i Policisë së Shtetit ku je bashkë-qeveritar, ka vetëm një shpjegim: U përcjell porosi shqiptarëve të këtushëm të kenë kujdes me cilin bashkëkombës të tyre të kontaktojnë apo u thotë shqiptarëve të këtushëm: Bashkëkombësit tuaj që nuk i do pushteti, ju s’keni pse i pranoni në shtëpitë tuaja.
Marrë nga gazeta “Koha Ditore”