Kërcënoi nënën dhe motrën, arrestohet
Policia e Vlorës ka arrestuar dje një 40-vjeçar, i cili kishte kërcënuar me armë nënën dhe motrën e tij. Burimet policore thanë se u arrestua shtetasi Çezar Gjomema, pasi në orën 17.40 të ditës së djeshme, në grindje e sipër ka kërcënuar me armë zjarri nënën dhe motrën e tij. Sipas policisë, sherri në familjen Gjomema është dëgjuar nga fqinjët, të cilët kanë njoftuar policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt në banesë dhe 40-vjeçari ka fshehur pistoletën sapo ka vënë re praninë e policëve pranë shtëpisë. Ai është dorëzuar pa rezistencë, por policia nuk e ka mbyllur me kaq aksionin dhe ka kryer një kontroll në banesë. Si rezultat i këtij kontrolli u zbulua se 40-vjeçari, përveç armës pa leje, kishte edhe disa pajisje policore, që mund të përdoreshin për të mbuluar veprimtari kriminale. Në shtëpinë e tij u gjetën dhe sekuestruan: një radio policie, një pistoletë TT me silenciator, një jelek antiplumb, si dhe një fenelinë policie, të cilat Çezar Gjomema i mbante pa leje. Policia gjeti gjithashtu 100 gramë bimë narkotike. Pas gjetjes së armës dhe pajisjeve policore kanë nisur hetimet për veprimtarinë e 40-vjeçarit.