Kallëzohen shtatë vjedhje në polici
Edhe gjatë ditës së djeshme, policia shënuar shtatë vjedhje, ndërkohë që menjëherë ka nisur puna për zbulimin e autorëve. Në këto krime, policia tha se kanë ndodhur dy vjedhje mjetesh, një vjedhje biznesi dhe katër vjedhje të ndryshme. Duke detajuar këto ngjarje, policia tha se ka bërë kallëzim Vladimir P., 47 vjeç, se kishte parkuar pranë parkut të autobusëve te Rruga e Kavajës, automjetin tip "Benz 240", ngjyrë bizele, me targë PR 0609 B, por rreth orës 07.00, ka konstatuar vjedhjen e automjetit. Gjithashtu, ka bërë kallëzim Jani K., 40 vjeç, banues në rrugën "Naim Frashëri", se gjatë natës në adresën e mësipërme i kanë vjedhur automjetin tip "Benz 250", ngjyrë gri, me targa FR 7828 B. Më tej, policia tha se në rrugën "Ali Demi", është vjedhur dyqani "Distributor" në pronësi të Eris K., 28 vjeç, lindur dhe banues në rrugën "Jordan Misja". U kryen veprimet hetimore, ku rezultoi se autorët kanë hyrë nga dritarja, duke e hapur me forcë dhe kanë marrë 100 karta telefoni rimbushëse AMC. Ndërkohë, te Nish Tulla nr.3, është konstatuar vjedhja e banesës së Shuaip I., 50 vjeç, ku rezultoi se ajo është kryer pa thyerje, ku janë marrë një kompjuter Laptop dhe 28 mijë lekë. Po te Nish Tulla nr. 3, pranë Ndërmarrjes Rruga-Ura është konstatuar vjedhja e repartit të riparimit elektrik, në pronësi të Adriatik D., ku rezultoi se hajdutët kanë thyer xhamin e dritares së katit të dytë, ku janë marrë 250 kg tel bakri. Policia tha se gjatë ditës së djeshme është konstatuar edhe vjedhja e banesës së Violeta Ç., banuese në lagjen 4, Kamzë. Autorët kanë hyrë nga dritarja e dhomës së gjumit dhe kanë marrë rreth 300 euro, 30 mijë lekë dhe një kuti me bizhuteri. Ndërkaq, ka bërë kallëzim edhe Anila Z., se rreth orës 15.30, në rrugën "Jordan Misja", afër Burgut 313, i kanë thyer xhamin e parë të pasagjerit, të mjetit tip "Opel, me targë LA 7835 A dhe i kanë vjedhur çantën, ku në të kishte 300 euro, 30 mijë lekë dhe disa sende personale.