E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetërim modern apo fund i solidaritetit social?

Nga Gëzim Tushi

Gezim TushiNga që kemi ndryshuar me shpejtësi marramendëse marrëdhëniet sociale dhe kemi transformuar radikalisht institucionet bazë të organizimit të jetës sociale dhe lidhjeve njerëzore drejt horizonteve liberale dhe individualiste duket se gjithnjë e më pak hapësirë ka për ndjenja të tilla me sfond të gjerë social siç janë humanizmi dhe solidariteti. Kjo ka krijuar tronditje të thella dhe ka zgjeruar hendekun e mosbesimit social tek njëri tjetri. Në mënyrë evidente në shoqërinë e sotme shqiptare nga këto ndryshime të thella tipologjike në lidhjet sociale dhe marrëdhëniet njerëzore, ka disa probleme që kanë dalë në evidencë dhe janë bërë vërtetë shqetësuese për të sotmen dhe të nesërmen e shoqërisë tonë. Janë probleme sociale, sociologjike, etike dhe antropologjike që kanë nevojë së pari të kuptohen drejt në ndryshimin e tyre, të interpretohen saktë ne thelbin e vet, të shpjegohen hapur dhe pa eufemizma sociologjike apo ambalazhe ideologjike.

Në thelb problemet dhe debatet që kanë filluar të zhvillohen në shoqërinë tonë (të cilat trajtohen në librin tim të fundit Individi dhe shoqëria) kanë të bëjnë me situatën sociale dhe dilemën e madhe sociologjike: A do të ekzistojë apo do të bëhet fare i huaj solidariteti qytetar në shoqërinë tonë ? A mund të ketë mënyra për të diagnostikuar nivelin e agravimit të egoizmit, antihumanizmit dhe desolidarizimit në shoqërinë tonë dhe mbi këtë bazë çfarë mund të bëhet për të shëruar sëmundjen e asocialitetit ? A ka më forca, energji, tutkall social kjo shoqëri që duke ecur në mënyrë të vendosur dhe pa kthim në rrugën e ndërtimit të shoqërisë liberale dhe individualizimit të thellë të marrëdhënieve njerëzore, të mund në të njëjtën kohë të ndalë procesin e thellë të zgjerimit të epidemisë së desolidarizimit të shoqërisë?

E thënë akoma më qartë, në kushtet e ndryshimeve politike, ekonomike e sociale që kanë ndodhur në shoqërinë e sotme shqiptare, a do mund të ekzistojë një nivel optimal i solidaritetit social të qytetarëve ? Do të jetë kjo ndjenjë që do të ekzistojë dhe funksionojë me të vërtetë apo do të mbetet iluzive dhe e gënjeshtërt? A ka rrezik që rruga nëpër të cilën po ecim, mund të na çojë në humnerat e egoizmit individual dhe të ndodhemi si shoqëri në situatën, kur mund të vijë koha kur solidariteti njerëzor do mund të bëhet ndjenjë e kapërcyer nga përshpejtimet e paparashikuara të lëvizjeve të përshpejtuara të motorit të modernitetit social?

Zhvillimet e natyrshme të qytetërimit por dhe trajtat dramatike që ka marrë zhvillimi i individualizmit në shoqërinë tonë, në fakt e kanë vënë në krizë konceptuale dhe ekzistenciale pranimin e nevojës së solidaritetit social, si ndjenjë e natyrshme, e pashmangshme, e ndërtimit të jetës qytetare dhe stabilitetit ekzistencial të qytetërimit tonë. Padyshim, është e natyrshme të evidentohet, që në kohën e sotme shoqëria shqiptare po dominohet dukshëm nga prirja individualiste e qytetarit, i cili është njeriu i sotëm që në rradhë të parë mendon për vete, lufton me dhëmbë për të mbrojtur, siguruar dhe garantuar interesat e shumëllojshme të tij.

Në të vërtetë që të kuptohemi me njerëzit tanë duhet thënë se nuk është e keqja pse jetojmë në një shoqëri, në të cilën ka solidaritet të kufizuar, për pasojë dhe zgjerim të tipologjisë së njeriut individualist që mendon së pari për vete dhe interesat e tij. Kjo gjë është thelbësore për shoqërinë modern, në thelb e lidhur ontologjikisht me natyrën e njeriut individualist. Në këto rrethana ajo që përbën shqetësim që duhet vlerësuar në qytetërimin tonë, është fakti që njeriu duke u mbyllur në guackën e interesave të veta, mendon vetëm për vete dhe nuk do të dijë asgjë për fatin e të tjerëve.

Në se e gjithë shoqëria do të orientohet dhe frymëzohet vetëm nga ky qëndrim i ngushtë, e ardhmja e saj dhe cilësia e jetës shoqërore në Shqipëri nuk do të jetë e mirë. Një kombinim më i mirë i raportit të interesave individuale dhe qëllimeve sociale në jetën e qytetarit, jo vetëm do të ishte më i mire, por do të shërbente si bazë e mënyrës së jetës, në të cilët të garantohet qytetërimi mbi platformën e funksionimit të filozofisë sociale, sipas të cilës në kohën e sotme njerëzit nuk duhet të mbajnë vetëm përgjegjësi për vete por dhe për zhvillimin e shoqërisë dhe botës ku jetojnë. Kjo është e domosdoshme, sepse Si njerëz – në një kuptim të gjërë jetojmë së bashku, ne nuk mund ti shpëtojmë mendimit se dukuritë e tmerrshme që shohim përreth janë në thelb problemet tona. (Amartya Sen, Zhvillimi si liri, f 344)

Në këtë pikëpamje duhet të mësohemi me rregullat e reja, të kombinimit të individualizmit me parimet e jetës komunitare, të qëllimeve personale dhe interesave sociale. Në një qytetërim normal analiza e problemeve të shoqërisë dhe problematikat që shqetësojnë qytetërimin, duhen bërë patjetër duke u nisur nga parimi i gjykimit të gjërave në rradhë të parë sipas interesat individual por pa harruar se në shoqëri është i domosdoshëm respektimi qytetar i rregullit të shumicës. Ky është kusht për ti garantuar shoqërisë tonë jo vetëm plotësimin sa më mirë të interesave individuale të qytetarit, por dhe përparimin e arsyeshëm social të shoqërisë tonë.

Kjo është arsyeja që edhe sociologët më liberalë të kohës, janë detyruar të bëjnë korrigjime të arsyeshme të formulave puritaniste liberale dhe individualiste, duke sjellë një ekuacion të modifikuar midis komunitarizmit dhe individualizmit, që ndërton më mirë kombinimin e natyrshëm të interesave të individit me ato të shoqërisë. Sipas sociologut francez Dominik Wolton në shoqërinë individualiste të masave, duhen menaxhuar të dyja dimensionet e lirisë dhe barazisë. (D Wolton, Të shpëtojmë komunikimin, f 83) Kjo do të thotë se qytetërimi ka nevojë për kombinimin e duhur të parimeve individualiste me ato komunitariste. Por kujdes! Asnjëherë të kuptuara si kolektive dhe shoqërore, sipas ideve të vjetra që kemi patur në jetën e shoqërisë tonë.

Problemi i rregullimit të raporteve midis individualizmit dhe komunitarizmit në shoqërinë tonë, nuk është vetëm problem sociologjik por dhe një shqetësim i madh social. Sepse qytetërimi ynë si asnjëherë më parë, krahas forcimit të statusit social të lirisë dhe individualizmit qytetar, është duke pësuar deformime të thella, që vijnë si pasojë e paqëndrueshmërisë dhe segmentimit të thellë të jetës sociale në Shqipëri. Kjo do të thotë se është koha kur duhet të fillojmë të ndërgjegjësohemi për ato që po ndodhin rrotull nesh, sepse tashmë janë të sigurta shenjat që mungesa e balancave midis qëllimeve individualiste dhe synimeve komunitariste, me siguri që në shoqërinë tonë do të sjellë më shumë copëtim dhe pabarazi sociale.

Në debatet që zhvillohen sot për individualizmin dhe solidaritetin ka ide të ndryshme. Filozofi i Shkollës së Frankfurtit Jurgen Habermas, është i mendimit se Shteti demokratik ushqehet nga një solidaritet jo i detyrueshëm ligjor i qytetarëve të vet, të cilët njeri tjetrin e çmojnë si anëtarin e lirë dhe të barabartë të bashkësisë së tyre politike. (J Habermas, Midis natyralizmit dhe religjionit, f. 9) Sipas tij në shoqërinë moderne bëhet gjithnjë e më shumë e mundur që shteti liberal u mundëson qytetarëve një sjellje kooperuese përtej kufijve botkuptimorë individual. Me fjalë të tjera, duke i dhënë vendin e duhur prirjes liberale të shoqërisë, natyrës individualiste të njeriut, nuk duhet të bëhemi të skajshëm. Ideja se ajo që fshihet pas jetës moderne, apo që është përtej realitetit të sotëm social, është shqetësimi i përbashkët për mungesën e solidaritetit social dhe human, që ka filluar të pasqyrohet në boshllëkun metafizik dhe natyrën individualiste të njeriut të vetmuar.

Situata duhet vlerësuar duke marrë në konsideratë efektet dhe kundërefektet e faktorëve të modernitetit, si urbanizimi i

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›