E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetet me harta

Ka kohë që në Kosovë shumë të huaj kanë pasur probleme në orientimet e tyre në qytetet kryesore, pasi që kanë munguar hartat që ata të orientohen te vendet turistike, kulturore por edhe vendet më të frekuentuar nga të rinjtë në Prishtinë.

Për këtë është dashur që të kalojnë pothuajse 10 vite që kompania për hartimin dhe përpunimin e hartave, OrGis, të fillojë një projekt të tillë. E tashmë janë bërë me hartat rrugore dhe turistike Prishtina dhe Prizreni.

Drejtori i kësaj kompanie, gjeografi Ismail Gagica, thotë se ka filluar qysh herët për të marrë informata të shkruara nga terreni për harta të këtilla.

“Ato jo vetëm që janë harta, por kanë edhe informacione për trashëgiminë tonë kulturore dhe natyrore të qytetit dhe rrethinës. Pastaj ka informacione lidhur me objektet shërbyese (hotele, restorante) dhe orientim se ku gjenden organizatat kryesore në vend”, thotë ai për Express.

Gagica thotë se faqet kanë një “guide” të shkurtër për qytetin dhe monumentet si dhe ka përshkrime të shkurtra me fotografi të ndryshme në gjuhën shqipe dhe angleze.

“Thjesht janë udhëzues praktik për të gjithë ata persona që nuk i njohin qytetet dhe monumentet në Kosovë. Lexuesit mund t’i lexojnë ato në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze; në gjuhën angleze janë përkthyer nga albanologu i njohur kanadez, Robert Elsie”.

Sa i përket interesimit, Gagica thotë se ka një interesim të madh, sidomos nga të huajt, por edhe nga kosovarët të cilët ende nuk i njohin mirë qytetet dhe vlerat kulturore të tyre.

“Shumë nga ne nuk dinë se ku gjenden këto vlera, qoftë turistike apo kulturore të qyteteve tona”, thotë ai.

Ndërmarrja për hartimin e hartave OrGis thotë se ka në plan që të punojë edhe hartat turistike dhe kulturore për qytetin e Pejës dhe Gjakovës.

“Kemi në plan që të punojmë edhe hartat e Pejës dhe të Gjakovës, mirëpo ka një rëndësi të madhe se sa i përkrahin ato edhe Kuvendet Komunale”, thotë Gagica.

Këto dy harta pritet që të botohen në fillim të shtatorit, nëse iniciativën e OrGis e përkrahin Peja dhe Gjakova, ndërkaq dy hartat për qytetet më të mëdha të Kosovës, Prishtina dhe Prizreni tashmë janë në treg.

Shtypi i Hartës se Prishtinës ka gjetur mbështetje nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport e Komunës se Prishtinës, por mbështetje Kuvendi Komunal i Prizrenit nuk e ka përkrahur atë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›