Pse i refuzon Eni ofertat ?

Tiranë, 5 gusht - Pas lançimit të saj në tregun muzikor shqiptar, me dhjetëra diskoteka kanë kërkuar që këngëtarja simpatike Eni Koçi të jetë pjesë e mbrëmjeve të tyre me performancat e saj “live”. Por, pavarësisht kësaj, Eni i ka refuzuar pothuajse të gjitha ofertat që i kanë mbërritur. Përveç rasteve kur është e shoqëruar nga motra e saj, këngëtarja Greta Koçi, Eni nuk është parë të interpretojë e vetme në ndonjë diskotekë. “Bluetooth” u interesua dhe zbuloi se arsyeja që Eni i ka refuzuar këto oferta është se për të nuk janë ngritur ende strukturat e duhura për ta shoqëruar në këto performanca “live”. Aktualisht, prindërit e Enit, që janë njëkohësisht edhe menaxherët e motrave të suksesshme, janë duke krijuar stafin e nevojshëm për ta shoqëruar Enin në koncerte të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Sikundër edhe Greta, Eni duhet të ketë pas saj një staf që ta shoqërojë në çdo performancë. Prindërit janë duke kërkuar personat e duhur dhe të kualifikuar në fusha të tilla si: teknik zëri, teknik ndriçimi, bodygard, shofer, etj. Ideja e tyre është që tek Eni të sjellin një të veçantë, ata kërkojnë që stafi i saj të përbëhet vetëm nga femrat. Se sa do t’ia arrijnë ta realizojnë këtë dëshirë nuk e dimë, ajo që dimë me siguri është se Eni Koçi vitin tjetër do të vijë vrullshëm me koncertet e saj në të gjitha trevat shqipfolëse.