E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naber: Më duket vetja qesharak përballë njerëzve të Valbonës

Trupa e filmit shqiptaro-gjerman "Shqiptari", me regji të Johannes Naber, ka filluar përgatitjet për xhirime. Vendet, Lugina e Valbonës, në mes fshatit Rragam i Shalës dhe në Valbonë, në qytetin Bajram Curri, si dhe kufirin Shqipëri-Kosovë. Aktorët: Nik Xhelilaj, Yllka Mujo, Çun Lajçi


Lugina e Valbonës, Tropojë
Përgatitjet për fillimin e xhirimet të filmit "Shqiptari", projekt shqiptaro-gjerman, janë drejt përfundimit. Drejtori, regjisori dhe bashkëskenaristi i këtij filmi, gjermani Johannes Naber, bashkë me bashkëkombësin e tij që do të jetë operatori kryesor i filmit, si dhe aktori kryesor Kreshnik Xhelilaj, tashmë janë vendosur në majën më të lartë, në Luginën e Valbonës, në afërsi të fshatit Rragam i Shalës, në një kompleks turistik ku do të realizohet edhe një pjesë e xhirimeve. Me një hartë dhe kompjuter, si dhe me gotën e çajit përpara, regjisori bashkë me operatorin diskutojnë për xhirimet që do të fillojnë në shtator. "Siç e shihni, ne jemi vendosur në njërin prej vendeve ku do të realizohet një pjesë e madhe e xhirimeve, ku bashkë me operatorin dhe aktorin Kreshnik Xhelilaj, po bëjmë përgatitjet e fundit," -shprehet për gazetën regjisori. Filmi, një projekt i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, trajton temën e një shqiptari emigrant, një histori e shkruar nga Ani Spahivogli dhe vetë Naber. I riu emigron për të siguruar një shumë parash që të martohet me Etlevën, vajzën që do.

Tashmë e gjithë trupa thuajse është vendosur në vendin e xhirimit. Një pjesë janë në qytetin e Bajram Currit, ndërsa pjesa tjetër në pikën turistike "Fusha e Gjesë", në fshatin Rragam të Shalës. "Skena e xhirimeve do të jetë rajoni midis fshatit Rragam i Shalës dhe Valbonës, në luginën e Valbonës, qyteti i Bajram Currit dhe kufiri Shqipëri-Kosovë, në zonën midis Tropojës dhe Gjakovës. E zgjodhëm këtë vend, pasi u përgjigjej kërkesave të filmit. Kemi gjetur mënyrat më tradicionale të jetesës shqiptare," - shprehet Naber.

Ai sqaron në vazhdim se vendi ku jeton personazhi kryesor, është një vend ku njerëzit janë të varfër, por që jetojnë në harmoni me natyrën, me gjërat që i rrethojnë. "Ndryshe nga sa kishim menduar, njerëzit këtu në luginën e Valbonës janë shumë të qetë dhe mendojnë shumë gjatë kur bëjnë një punë. Nganjëherë më duket vetja shumë qesharak kur mendoj ndryshe dhe shpesh herë mendoj të veproj si ata", - thotë ai.

Ndërkohë, ai shpreh habi që njerëzit në Valbonë po i largohen tradicionales dhe po investojnë në turizëm. "Vërej se njerëzit nuk po punojnë më arat, por janë orientuar drejt turizmit. Kjo është një gjë e mirë, por ka edhe një të keqe nga mbrapa. Shpresoj që ky orientim drejt zhvillimit të turizmit të mos i bëjë ata që të harrojnë traditat dhe kulturën e tyre të vjetër duke përqafuar të renë." Duke ju rikthyer filmit, ai pohon se trupa e aktorëve përbëhet nga aktorë të njohur shqiptarë dhe të rinj të talentuar. Bëhet fjalë për Yllka Mujon bashkë me të birin, Amos Zaharia, Bruno Shllaku, si dhe aktorët nga Kosova Çun Lajçi e Luan Jaha. Ndërsa për historinë e shqiptarit, ai e ka bërë zgjedhjen prej kohësh, është aktori Kreshnik Xhelilaj.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›