Qyteti i ministrit të Energjetikës, 8 orë pa energji
Gjirokastër- Banorët e qytetit të Gjirokastrës prej disa ditësh po kalojnë orë të tëra të ditës, pa drita. Edhe pse ky qytet ka ritme të kënaqshme të arkëtimeve kundrej OSSH-së sërish vuan mungesën e energjisë elektrike.
“Energjia elektrike na ikën në orën 7.00 dhe vjen në orën 15.00”, shprehen qytetarët duke mos shmangur dot zemërimin nga Operatorit të Shpërndarjes për këtë kufizim të theksuar. Pjesa më e madhe e ditës, kur është edhe piku i aktiviteteve, energjia mungon. Për pasojë bizneset kanë nisur përdorimin e gjeneratorëve, ndërsa qytetarët përpiqen ta përballojnë me mjetet e ngrohjes dhe gatimit me gaz.
Të pyetur për këtë shqetësim autoritetet e OSSH për Gjirokastrën sqarojnë se aktualisht po kryhen remonte të energjisë ndaj edhe mungesa është për një afat të gjatë. Por duket se kjo nuk është e verteta, pasi burimet konfidenciale nga ky institucion thonë të kundërtën. Sipas tyre kufizimi do të vazhdojë pasi është shpenzuar kuota e energjisë për këtë qytet, ç’ka do të thotë se konsumi është më i madh se norma. Deputet i zonës së Gjirokastrës ështe Ministri i Ekonomise dhe Energjetikes, Genc Ruli, qe me sa duket ne rastin konkret as si deputet nuk eshte prane problemeve te zones se tij.