Tuberkulozi, tani kontroll nga mjeku i familjes
Tiranë- Kontrolli i sëmundjes së tuberkulozit do të kalojë në shërbimin publik dhe do të bëhet nga mjeku i familjes, njësoj si ndodh me sëmundjet e tjera. Kjo është e reja e strategjisë për Tuberkulozin, prezantuar sot në Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.
"Roli i mjekut të familjes në kontrollin e tuberkulozit do të jetë i ngjashëm me të gjitha sëmundjet e tjera, kështu që merr vend të rëndësishëm dhe kjo do një periudhë parapërgatitore (rreth 2 vjeçare) që mjeku i familjes të marrë rolin e kësaj sëmundjeje, si të sëmundjeve të tjera kronike", tha menaxheri i Programit Kombëtar të Tuberkulozit, Dr. Hasan Hafizi, gjatë prezantimit të strategjisë.
Sipas tij, situata e stabilizuar epidemiologjike e tuberkulozit, reforma shëndetësore, ndryshimi i misionit të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi", si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së popullatës në përgjithësi, kanë bërë të domosdoshme rishikimin e strategjisë kombëtare për kontrollin e tuberkulozit në vendin tonë dhe hartimin e strategjisë së re.
Sipas të dhënave të fundit, incidenca e rasteve të reja me tuberkuloz për vitin 2007 ka qenë 13 për 100 000 banorë, rezistenca bakteriale dhe veçanërisht multidrug-rezistenca është në shifra të ulëta, nën 2 % në shkallë vendi, duke mos paraqitur problem për momentin, mortaliteti vazhdon të jetë i ulët rreth 5 për 100 000 banorë, rezultatet e suksesit të mjekimit janë rreth 87 % për të gjitha rastet e reja me TB.