E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti pa xhami kremton Kurban Bajramin

Presidenti Topi: “Uroj të gjithë besimtarët myslimanë, shqiptarët kudo ku ata jetojnë! Qoftë kjo ditë e paqes, e begatisë për çdo familje shqiptare. Besoj që sot secili ka një moment reflektimi për ta konsideruar këtë ditë si pikë referimi për sakrificën njerëzore, për atë që është në nevojë, për atë që ka nevojë të ndihmohet, por natyrisht dhe një ditë solidariteti dhe paqeje!”

Kryeministri Berisha: “Festojmë sot këtë ditë të bekuar, këtë ditë të bardhë, ditë në të cilën nderojmë sakrificën, faljet, mëshirën, përkushtimin, devocionin. Ky Bajram i gjen shqiptarët më mirë se kurrë, i gjen ata më afër ëndrrave dhe qëllimeve të tyre, gjen Kosovën e pavarur. Jam i bindur se Bajrami tjetër do të na gjejë edhe më mirë.”

Kryetarja Topalli: Kryetarja e Kuvendit uroi të gjithë besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit. Topalli bëri një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ajo bëri urimet për më shumë shëndet e harmoni në familjet e të gjithë shqiptarëve, jetë sa më të lumtur e të gjatë dhe që viti që vjen t’i gjejë të gjithë më mirë e me më shumë mbarësi e paqe.

Gramoz Ruçi: “Në ditën e Kurban Bajramit, në emër të Partisë Socialiste, formulojmë urimet më të përzemërta, për të gjithë myslimanët shqiptarë kudo që ndodhen. Urimet më të mira, Gëzuar festën e Kurban Bajramit, lumturi, begati, gaz dhe hare për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet fetare”. Ruçi dhe Leskaj vizituan selinë e komunitetit mysliman shqiptar

FESTA/ Në një qytet ku vetëm 1-2% e banorëve janë myslimanë, dita e Kurban Bajramit është festuar nga të dy besimet

MIRDITË – Nuk ka asnjë xhami në këtë qytet dhe pothuajse e gjithë krahina është katolike, ndërsa familjet myslimane përbëjnë 1-2 për qind të banorëve të qytetit. E megjithatë edhe në këtë vend nuk është harruar që të kremtohet Kurban Bajrami, duke u lutur për ditë më të mira dhe ndriçim shpirtëror. Në Rrëshen shënohen fare pak familje të besimit mysliman, madje disa prej tyre, sidomos të rinjtë e këtyre familjeve, e kanë ndërruar besimin duke u bërë të devotshëm ndaj kishës, por megjithatë ata e kanë festuar Kurban Bajramin, ndërsa kanë pasur mysafirë dhe qytetarë vendas të besimit katolik. Është një rit i kahershëm që besimtarët e të dyja feve në këtë krahinë u kthejnë festat njëri-tjetrit, kryesisht Pashkët dhe Krishtlindjet me festën e Bajramit, por dhe festa të tjera fetare që në këtë krahinë janë të shumta, sipas bajrakëve tradicionalë që kanë funksionuar para shumë viteve në vetëqeverisjen e kësaj krahine homogjenikisht katolike. Ndërkohë që festa të veçanta janë shënuar në disa fshatra të Selitës së Mirditës, ku familjet janë të përziera në katolike dhe myslimane, ashtu siç ngjet dhe në krahinën e Lurës së Dibrës, madje brenda së njëjtës familje jetojnë vëllezër apo motra myslimanë dhe ata të besimit katolik.

Ky respekt i besimeve vihet re dhe në qytetin e vogël të Rubikut, ku ka një numër të vogël familjesh të besimit mysliman, por që tek Kisha e të Shëlbuemit, e shënuar për historinë 900-vjeçare, në oborrin e saj është vendosur një simbolikë multifetare, e quajtur “Guri i Shpresës me Kupën e Jetës”.Duket se kjo simbolikë u shërben dhe myslimanëve për të kuptuar se janë të mirëkuptuar në një “oaz” homogjen katolikësh.

Ndërkaq, edhe pse nuk është një zakon i personave që punojnë për firmën amerikano-turke “Bechtel-Enka”, të cilët deri më tani nuk kanë bërë asnjë ditë pushim, dita e djeshme është vendosur që t’i kushtohet Kurban Bajramit dhe si rrjedhojë punëtorët kanë festuar nëpër kampingje, ndërsa një pjesë e madhe e tyre kanë shtegtuar për në qytete të mëdha të vendit pranë xhamive.

Somario: Tek Kisha e të Shëlbuemit, e shënuar për historinë 900-vjeçare, në oborrin e saj është vendosur një simbolikë multifetare, e quajtur “Guri i Shpresës me Kupën e Jetës”.Duket se kjo simbolikë u shërben dhe myslimanëve për të kuptuar se janë të mirëkuptuar në një “oaz” homogjen katolikësh.

Sarandë, qingjat dhe pulat “mbysin” tregun

SARANDË - Si në të gjithë vendin, edhe në rajonin jugor Sarandë dhe Delvinë, nga komuniteti dhe besimtarët myslimanë është festuar Kurban Bajrami. Kjo ditë ka mbledhur në institucionet fetare klerike, banorë të dy qyteteve dhe drejtues të pushtetit vendor. Në Sarandë ceremonitë fetare janë kryesuar nga imami i xhamisë së qytetit Blendi Mullaj, i cili ka uruar shëndet, begati, lumturi dhe solidaritet besimtarëve të ardhur edhe nga fshatra të largët për të festuar. Në tregun e qytetit qingjat dhe pulat ishin malli më i parapëlqyer për festimet e Kurban Bajramit. Festimet në qytetin e Delvines u kryen në xhaminë e qytetit dhe në xhaminë e Gjin Aleksit, monument i rrallë kulti që i është nënshtruar procesit të restaurimit. Lutjeve dhe faljeve për fenë i është bashkuar edhe kryebashkiaku Dhurim Alinani. Pas ceremonive në institucionet fetare, festa ka kaluar në mjedise familjare dhe në lokalet publike të zbukuruar për festë ku nukka munguar mishi i pjekur dhe ëmbëlsirat. Mesazhi i kësaj dite u përcoll me mjaft emocion. Lypësit, festa disafishon numrin

VLORË - Jo pak herë gjenden në rrugë të qytetit, por festa i mbledh të gjithë aty. “Më fal një 100-leksh, është refreni që dëgjohet, duke u bashkuar me urime nga më të ndryshmet. Të thëna edhe nga fëmijë të vegjël. Shumë prej tyre kanë ardhur sot në Vlorë nga zona e Levanit, duke u shpërndarë në akse të ndryshme. Fëmijë me shumë motra e vëllezër, fëmijë që arsimimin e kryejnë paralel me zanatin e lypësit apo të tjerë që fati nuk i ka ndihmuar për të bërë më tepër se kaq. Me dorën e zgjatur, një prej tyre 7-vjeçar, tregon se janë 9 fëmijë në shtëpi. Herë pas here ai lyp për të siguruar ushqimin e përditshëm. Shkon në shkollë, por kur ka festa apo edhe ditë të cilësuara të mira për të mbledhur të ardhura, edhe lyp.“Falma 100-lekshin”, i cili i ngjan më tepër copëzave migjeniane, është dëgjuar sot jo pak në qytetin e Vlorës. Shumë fëmijë kanë qenë në xhami, të tjerë në rrugë të qytetit, të ulur e me një tjetër fëmijë më të vogël në prehër. Fraza të tilla kanë rimuar më tepër në shkundjen e egoizmit dhe indiferencës njerëzore, ndërsa dita festive duket se ka buzëqeshur paksa më tepër për ta. Pyetur për sot, thonë se kanë mundur të fitojnë më shumë lekë, ndërsa një ditë e zakonshme, shkon deri në 3 apo 4 mijë lekë të vjetër.

Durrës, policia “reklamon” dy ditë të qeta

Në njoftimin e saj, zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit është shprehur se në qytetin e Durrësit në prag të festës së Bajramit nuk ka pasur asnjë rast të regjistruar për situatë të vecantë të ndodhisë së ndonjë krimi. Qyteti i Durrësit i njohur për tolerancën e tij edhe në prag të festës së Kurban Bajramit, që festohet rregullisht edhe nga të gjitha komunitetet e tjera fetare, ka treguar me këtë rast një prej vetive më të mira të edukatës së tij qytetare. Asnjë rast grindjeje, as plagosje dhe vrasje të “natyrshme” për një vend të mbipopulluar me banorë nga shumë treva të vendit që mund të bëhet edhe shkak për ndezje konfliktesh. Mungesa e kronikës së zezë për këtë rast është një veprim domethënës kur në momente të përbashkëta festimesh, që bartin mesazhe të mëdha shpirtërore të tolerancës e të paqes edhe personat e inkriminuar kërkojnë paqen e njëtrajtshme me komunitetin ku jetojnë. Duke lexuar këtë njoftim, nuk mbetet tjetër vetëm që të urohet që kjo paqe të zgjasë sa më shumë. Interesante është se, sipas njoftimit, kanë reshtur edhe aksidentet, vërtet e rrallë për një qytet si Durrësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›