Sulmet në Greqi Digjen Ministria e Jashtme dhe ajo e Financave
Dita e tretë e protestave në qytetet kryesore të Greqisë ka parë një valë të re dhune ku, këtë herë, janë sulmuar institucionet shtetërore dhe komisariatet e policisë. Pezullohet mësimi në të gjitha shkollat
Për të tretën ditë radhazi, në qytetet e Greqisë vazhdon të mbizotërojë kaosi nga përleshjet dhe shkatërrimet që kanë pushtuar Athinën, Selanikun, por edhe shumë qytete të tjera. Këtë herë, sulmet janë përqendruar jo vetëm në dyqane, por edhe në institucionet më të rëndësishme shtetërore. Bomba molotov janë hedhur drejt Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë. Ministria e Jashtme është përfshirë nga flakët dhe vetëm ndërhyrja e zjarrfikëses ka shpëtuar djegien e plotë të saj. Gjithashtu, të rinjtë i janë drejtuar edhe Bankës Qendrore, duke shprehur qëllimin e tyre për të pushtuar institucionet kryesore në vend.
Që në mëngjesin e ditës së djeshme, nxënësit e një numri të madh shkollash në të gjithë vendin, kanë braktisur mësimin për t’iu bashkangjitur protestës. Ata u drejtuan drejt Komisariatit Qendror të Policisë, duke goditur drejt saj me objekte nga më të ndryshmet. Përveç këtyre, shumë nxënës të shkollave, pas organizimit që bënë në mëngjes, janë drejtuar duke sulmuar me gurë komisariatet policore lokale. Shkatërrimet janë përshkallëzuar gjatë drekës së djeshme, kryesisht në qytetin e Selanikut, në Pirea, Trikala, Larisa etj. Të rinjtë kanë sulmuar, përveç Komisariateve Policore, autoveturat që ndeshnin gjatë rrugës, stacionet e autobusëve, ndërsa forcat policore janë përgjigjur me gaz lotsjellës. Paralelisht me këto, ka pasur protesta edhe në Qipro, ku të rinjtë kanë sulmuar komisariatet policore, ndërsa policia vendase ka arrestuar dy prej tyre. Gjatë ditës së djeshme ka mbizotëruar një kaos dhe ngrirje totale në qytetin e Athinës. Janë mbyllur një pjesë e konsiderueshme e stacioneve të metrosë, të linjave urbane, të linjave të tramit dhe kanë pësuar dëmtime të rënda objekte si, teatri Rex apo hotel “Titania”, të cilat janë sulmuar nga protestuesit me gurë.
Nga vendngjarja, deri në orët e mbrëmjes, kanë rezultuar tre të dëmtuar, të cilët janë transferuar menjëherë në spitalin më të afërt. Sipas burimeve nga spitali, të dëmtuarit nuk kishin dëmtime të rënda.
Duke parë gjendjen e rënduar që po përfshin qytetet kryesore të Greqisë, ministri i Arsimit, Evripidis Stilianidis, pas një presioni edhe mediatik, shpalli ditën e djeshme, ditë zie kombëtare dhe deklaroi ndërprerjen e mësimeve. Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, profesorë të gjimnazeve dhe liceve në mbarë vendin, kanë shpallur grevë 24-orëshe për të protestuar për vdekjen e 15-vjeçarit. Ndërsa profesorët e universiteteve, kanë shpallur një grevë treditëshe për t’iu bashkangjitur edhe ata protestës. Largim nga puna nga ora 12, do të bëjnë edhe punonjësit e administratës shtetërore gjatë ditës së sotme.
Gjatë ditës së djeshme është bërë edhe autopsia nga mjeku përkatës, nën prezencën edhe të një pjesëtari të familjes së 15-vjeçarit. Në përfundim të autopsisë u tha se vdekja e fëmijës kishte ardhur si pasojë e një plumbi në kraharor. Por, nga kjo autopsi nuk është marrë përgjigje ende, nëse plumbi i gjetur në kraharor të 15-vjeçarit ka ardhur nga një gjuajtje e drejtpërdrejtë e policit apo jo. Varrimi i 15-vjeçarit, Aleksi Grigoropulo, pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme në orën 15. Vdekja e tij ka ardhur si pasojë e gjuajtjes me pistoletë të një punonjësi policie në mbrëmjen e së shtunës, në një lagje të Athinës, të quajtur Eksarhia.
“Pushtohet” Ambasada Greke në Berlin
Në protesta janë ngritur, gjatë ditës së djeshme, shtetasit grekë edhe në disa qytete kryesore të Evropës si, Berlin dhe Londër. Të rinjtë kanë arritur që të pushtojnë Ambasadën Greke në Gjermani, që nga mëngjesi i së hënës. Ata protestuan kundër vdekjes së 15-vjeçarit dhe hodhën parulla të ashpra kundër qeverisë që është më pushtet. Deri në pasdite thuhet se brenda në godinë janë rreth 15 vetë, kryesisht studentë, të cilët kanë nxjerrë një parullë, e cila shkruan: “Shteti Vret”.
Londër, digjet flamuri grek i ambasadës
Në Londër, gjithashtu, ka pasur përleshje midis 100 protestuesve grekë dhe forcave policore, ku këta të parët u përpoqën për të shtënë në dorë Ambasadën Greke në Britani. Pas përpjekjeve të dështuara për të hyrë në këtë godinë, ata kanë zbritur flamurin grek, duke e djegur atë. Në këtë mënyrë, ata shprehën vulgaritetin e tyre ndaj kësaj forme të qeverisuri në Greqi.
Ndërhyrja
Policia e Ndërhyrjes së Shpejtë përdori gaz lotsjellës dje për të shpërndarë protestuesit që qëllonin me gurë pranë Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit. Forcat e policisë kanë rrethuar institucionet kryesore, duke tentuar të parandalojnë sulmet e dhunshme.
Karamanlis: Ju lutem ruani qetësinë
Ndërkohë, duke parë gjendjen e rënduar që është krijuar në të gjithë vendin, Kryeministri Karamanlis, ka bërë thirrje për qetësi, për të ulur sadopak gjakrat në vend. Deklarata është bërë gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që në vend mbizotëronin ende trazirat. Karamanlis dënoi sulmet mbi pronën, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe ndërkohë i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë që të sigurojë se, ata që kanë pësuar dëme, do të kompensohen. Por, ndërkohë që Kryeministri i Greqisë fliste për qetësi, të gjithë nxënësit e shkollave dolën në rrugë për të protestuar ndaj vrasjes së 15-vjeçarit dhe që tani konsiderohet si dëshmor i gjeneratës së tyre. Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Karamanlis pritet që të takohet edhe me Presidentin e Greqisë, Karolos Papulias. Në këtë bisedë pritet që të diskutohen masat që do të ndërmarrë shteti grek për përballimin e kësaj emergjence, për të mos u përsëritur më në të ardhmen.
Papandreu: Shteti grek është në zi
Ndërsa në një konferencë për shtyp, lideri i së majtës në Greqi, Jorgo Papandreu, është shprehur se dita e djeshme ka qenë një ditë që ka prekur të gjithë opinionin publik grek. “Sot është në zi i gjithë shteti, të gjithë njerëzit”,- është shprehur Papandreu. Gjatë ditës së djeshme janë organizuar gjithashtu protesta nga forca politike në qendër të Athinës. Në sheshin “Omonia”, u zhvillua një manifestim nga Partia Ekstreme Komuniste në Greqi KKE. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj force, Papariga, është shprehur se vdekja e 15-vjeçarit nuk është një rastësi, por tregoi edhe një herë mënyrën se si e ushtron pushtetin zoti Karamanlis.