E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytezat profesionale

Dy shkolla të mesme profesionale me kosto shumëmilionëshe, në shtator të këtij viti do t’i hapin dyert e tyre për 1700 nxënës kosovarë.

Këto dy shkolla, të filluara në tetor të vitit të kaluar në Malishevë dhe Skenderaj, do të përfundojnë në fillimin e këtij viti të ri shkollor.

Sipas planifikimeve të bëra, shkolla e Skenderajt është themeluar për të ofruar mësim dhe trajnim për studentët në fushën e ndërtimit dhe konstruktimit, kurse shkolla në Malishevë do të ofrojë mësime në fushën e ekonomisë, kontabilitetit, administratës dhe tregtisë.

Buxheti i përgjithshëm i paraparë për ndërtimin e dy objekteve shkollore, është prej 10,7 milionë eurosh. Në këtë projekt, Ministria e Arsimit ka marrë pjesë me 1,2 milion euro dhe pjesa tjetër e buxhetit prej 9,5 milionë euro është dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme norvegjeze (NMFA). Ky projekt është implementuar nga Grupi Ndërkombëtar i Menaxhimit – SND.

“Ky është projekti më i madh që kemi në vazhdim në këtë periudhë”, kishte thënë ambasadori norvegjez, Sverre Johan Kvale me rastin e vënies së gurthemelit të këtyre dy shkollave në tetor të vitit të kaluar.

Sipas konceptit të disenjit për ndërtesën, shkolla për konstruktim dhe ndërtim e Skenderajt, do të ndërtohet në kodër të kësaj qyteze dhe do të ketë kapacitet për 850 nxënësish, ndërkaq sipërfaqja e saj bruto do të jetë 9600 metra katrorë.

Sipërfaqja e brendshme e ndërtesës në të cilën përfshihen hapësira për multi-media, biblioteka, amfiteatri, kabinetet e mësuesve, menaxhmenti, kantina, salla sportive, depo, tualetet dhe korridore etj, do të përfshijë një hapësirë prej 1800 metrash katrorë. Një hapësirë e njëjtë do të jetë e rezervuar edhe për pjesën e jashtme të shkollës, për oborr dhe shtigje të gjelbra. Shtrirja e tërë shkollës në natyrë është planifikuar të jetë në rreth dy hektarë e gjysmë.
Ndërkaq, vetëm klasat dhe laboratorët profesionalë janë paraparë të shtrihen në 1560 metra katrorë.

Hiç më e vogël nuk do të jetë edhe shkolla për ekonomi, kontabilitet dhe administratë e Malishevës, e cila po ashtu do të ketë kapacitet për 850 nxënës.

Kjo shkollë profesionale është paraparë të shtrihet në kodrën pranë Malishevës, e cila do të zërë tre hektarë të kësaj kodre.

Sikurse shkolla në Skenderaj, edhe shkolla profesionale e Malishevës është paraparë që përpos klasave dhe laboratorëve të ketë edhe hapësirë për multi-media, bibliotekë, amfiteatër, kabinet të mësuesve, sallë sportive, depo etj.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, këto dy institucione do të përfaqësojnë një qasje të re në arsimin dhe aftësimin profesional në Kosovë. Si të tilla, ato do të jenë dy nga shtatë qendrat e kompetencës në Kosovë në pajtueshmëri me Strategjinë për zhvillimin e arsimit parauniversitar 2007- 2017.

“Qëllimi i ndërtimit të tyre është krijimi i profesionistëve të rinj të arsimuar dhe të përgatitur mirë, të cilët do të jenë të gatshëm për të marrë detyrat dhe përgjegjësitë në vendin e tyre të punës, të harmonizuara me kërkesat e tregut, të ofruar nga mësimdhënës kompetent dhe të trajnuar në hapësira shkollore të pajisura mirë dhe në mënyrë adekuate”, thuhet në një komunikatë të lëshuar kohë më parë nga MAShT-i.

Përpos hapësirave të mëdha dhe moderne, e që janë të rralla ne vendin tonë, këto dy shkolla do të jenë më ndryshe nga të tjerat me faktin se që të dyja do të përdorin burime ricikluese të energjisë.

Sipas planit të ndërtimit, disenjet për ndërtesat duhet të nxisin konsum më të ulët të energjisë.

Shkolla e Skenderajt edhe ajo e Malishevës do të ngrohen përmes energjisë së quajtur gjeo-termale, e cila është planifikuar të kursejë deri në 60 për qind të energjisë së ngrohjes.

Rrezet e diellit do të bëjnë që këto dy shkolla ta shndërrojnë atë në energji solare, e që do të shndërrohet në energji elektrike, kurse reshjet e shiut do të grumbullohen për të pastruar shkollën dhe për të ujitur hapësirat e gjelbra.
Në vënien e gurthemelit të këtyre shkollave, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi kishte thënë se ky projekt është ndërtimi më i fuqishëm në Ballkan dhe se tashmë nxënësit kosovarë do të shkollohen në bazë të standardeve të larta evropiane.

“Është një përgjegjësi, por edhe mundësi e re e cila ka munguar. Për Kosovën shtet të pavarur janë hapur mundësitë e mëdha, këto mundësi po shfrytëzohen me ndërtimin e shkollave, të cilat do të krijojnë hapësirë dhe perspektivë për zhvillimin më të fuqishëm ekonomik që të rinjtë tanë të jenë më afër tregut të punës, në mënyrë që të ndërtojmë edhe mirëqenie sociale shumë më të lartë”, kishte thënë Thaçi.

Zbatimi i këtij projekti është planifikuar të jetë për një total prej 25 muajsh, duke filluar nga nëntori 2008 deri në fund të dhjetorit 2010. Dy ndërtesa shkollore janë parashikuar të vihen në funksionim për vitin e ri shkollor, në shtator të vitit 2010.

Koncepti i disenjit për ndërtesën e shkollës në Skenderaj

• Numri i nxënësve: 850
• Sipërfaqja e ndërtimit bruto: 9.600 m2
• Sipërfaqja e brendshme e ndërtesës: 1800 m2
• Sipërfaqja e jashtme e punishteve: 1800 m2
• Sipërfaqja e klasave dhe laboratorëve: 1560 m2
• Sipërfaqja e zonës në natyrë: 25000 m2

Koncepti i disenjit të ndërtimit të shkollës në Malishevë

• Numri i nxënësve: 850
• Sipërfaqja e ndërtimit bruto: 9200 m2
• Sipërfaqja e brendshme e ndërtesës : 1300 m2
• Sipërfaqja në klasa dhe laboratorë: 1670 m2
• Sipërfaqja e zonës në natyrë: 30.000 m2

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›