E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pingpong politik me nenin 72 të Rregullores së Parlamentit

Topalli: S’na sollën kërkesën me shkrim, do të hetojmë zgjedhjet

Politika shqiptare luan sërish pingpong me vakumin ligjor në vend. Pas interpretimit me argumente të ndryshme të çështjes së hapjes së kutive ka nisur një precedent tjetër pas seancës plenare të së enjtes, ku mazhoranca dhe opozita bëjnë një interpretim krejt të ndryshëm të nenit 72 të rregullores së Kuvendit, i cili flet për tërheqjen e nismës ligjore nga deputetët apo drejtuesi i grupit nismëtar. Njëra palë, opozita thekson se ajo e ka tërhequr, por mazhoranca thotë se nuk na e solli me shkrim. Në një vend ku marrëveshja e xhentëllmenëve nuk ekziston, ligji siç duket duhet të jetë me detyrim përcaktim. E gjithë beteja e fundit politike bëhet për dy radhë e gjysmë përcaktim ligjor siç është neni 72 i rregullores. I cili thekson se “Nismëtari i projektligjit ose i projektvendimit mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancë plenare”. Në fakt, kreu i grupit të deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, deklaroi në seancën e së enjtes para votimit në parim se PS tërheq të dyja nismat ligjore që kishin të bënin me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por kryeparlamentarja Topalli, kundërshton argumentin e opozitës, pasi thekson se nismëtarët e kanë thënë me gojë, por nuk kanë dorëzuar kërkesën me shkrim ndaj ka hedhur në votim vetëm njërën nga nismat e opozitës, projektvendimin për krijimin e komisionit hetimor për zgjedhjet. Nismë që u votua me 73 vota nga deputetët e pranishëm të mazhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në proces. Por kryeparlamentarja ka bërë të ditur dje se do të nisë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, edhe pse ajo ka pakicën e komisionit hetimor, përkatësisht shtatë nga 15 anëtarët e tij. Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, me anë të një deklarate të zëdhënëses, ka injoruar paralajmërimin e opozitës, duke thënë se jemi të vendosur të ecim përpara. “Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 73 vota ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. “Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi t'i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë”. Sipas Topallit, “grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve procedurale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit, nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetët nismëtarë nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma”. Në deklaratën e saj, Topalli thekson se gojarisht asnjë nga deputetët socialistë përveç Taulant Ballës nuk është tërhequr asnjë gojarisht nga nisma, megjithëse kreu i deputetëve socialistë e kishte bërë publike në fjalën e tij këtë tërheqje.

Sipas kreut të Kuvendit, “Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgënjeshtrojnë çdolloj pretendimi për shkelje të procedurave”. Më pas në deklaratën e saj Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›