E Shtunë, 31 Tetor 2026

REUTERS: Parlamenti grindavec shqiptar dështon në zgjedhjen e presidentit

Share

Parlamenti shqiptar dështoi në zgjedhjen e presidentit në votimin e parë të mërkurën për shkak të rivalitetit për këtë post kryesisht ceremonial.

Presidenti supozohet të jetë një figurë e unitetit kombëtar, e zgjedhur me konsensus në parlament, por opozita ka akuzuar Partinë Demokratike në pushtet se po përpiqet të zgjedhë Xhezair Zaganjorin pa u konsultuar me të.

Të mërkurën në mëngjes, blloku i udhëhequr nga demokratët propozoi ish- anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe ambasadorin e dikurshëm për të zëvendësuar presidentin në largim, Bamir Topi, për pesë vitet e ardhshme.

Partia Socialiste në opozitë e bëri të qartë se ai ishte i papranueshëm. Raundi i parë u ezaurua pa votim, çka do të thotë se procesi kalon direkt në raundin e dytë.

Në tre raundet e para, fituesi duhet të marrë 3/5 e mazhorancës. Nëse dështohet, atëherë steka ulet në mazhorancë të thjeshtë me 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë.

Qeveria e kryeministrit Sali Berisha, kreut të Partisë Demokratike, ka mazhorancën, por përzgjedhja e presidentit në raundin e katërt ose të pestë do i hapë rrugën ankesave të opozitës se është bërë një padrejtësi.

Unë ju bëj thirrje të gjithë partive të ndjekin shpirtin e pranimit dhe zgjidhja do vijë në raundin e dytë ose të tretë, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Topalli u kërkoi liderëve të partive të bien dakord për datën e votimit të ardhshëm. Procesi mund të zgjasë disa ditë.

Që kur ka dalë në vitin 1991 nga dekada të tëra izolim dhe diktaturë komuniste, politika në vendin e varfër të Ballkanit është shoqëruar nga konfrontime të hidhura mes dy blloqeve kryesore, socialistëve dhe demokratëve.

Rivaliteti ka ngadalësuar reformat dhe ka mbajtur Shqipërinë me vendosmëri pas fqinjëve të saj, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë në radhën për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

BE po bën presion që Shqipëria të tregojë më shumë pjekuri demokratike përpara se ta bëjë vendin me 2.8 milion banorë një kandidat zyrtar për anëtarësim, pasi e ka refuzuar dy herë në vitet e shkuara.

Pasi protestat e opozitës shpërthyen në dhunë vitin që shkoi, BE i ka bërë thirrje Shqipërisë që të përmirësojë sistemin zgjedhor përpara se të votojë për presidentin, por partitë nuk kanë rënë dakord se si.

Edhe pse një figurë kryesisht ceremoniale, presidenti ka fuqinë për të firmosur ligjet dhe për të emëruar prokurorin e përgjithshëm dhe kreun e shërbimit sekret.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›