E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori: Në fillim kundërshtova. Shpresoj në mbështetje sa më të gjerë

Share

Që nga momenti që i ka thënë po ofertës për postin e Kreut të Shtetit, Xhezair Zaganjori ka kaluar një natë të trazuar, ndoshta plot telefonata e mesazhe, por gjithsesi në mëngjes është paraqitur i përpiktë në zyrën e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Dita ka qenë pak a shumë e njëjtë si ditët e tjera, edhe pse para se të fillonte seanca plenare ka konsumuar një kafe me kreun e LSI-së, Ilir Meta për t’u ulur më pas në zyrë, para televizorit si mënyra e vetme për të parë se çfarë do ndodhte ne Kuvendin e Shqipërisë.

Pas orëve të gjata pritjeje, kamera e Ora News ka mundur t’i marrë ekskluzivisht impresionet e para njeriut që për momentin është më në qendër të vëmendjes se askush tjetër.

E vlerësoj shumë, siç dihet unë jam propozuar nga mazhoranca për të kryer detyrën shumë të nderuar, President i Republikës. Fillimisht e kam kundërshtuar për disa arsye. Unë mendoj që pozita dhe opozita kanë minimalisht dhjetëra persona që mund ta kryejnë këtë detyre shumë mirë. Së dyti, mendoj që është përgjegjësi e madhe. Së treti nuk më ka shkuar asnjëherë në mend të kryej këtë detyrë. Pa dyshim që është një nder shumë i madh dhe unë pranova, me vështirësi por e pranova. Tani fjalën e ka politika ta vlerësojë. Nëse do votohem, do përpiqem të bëj më të mirën për të përmbushur detyrimet e mia ligjore e kushtetuese në mënyrë të veçantë që ta meritoj fjalën përfaqësues i unitetit të popullit, të jem zëdhënës i qytetarëve dhe të ndikoj brenda kuadrit ligjor e kushtetues për një jetë politike dhe institucionale sa më të mirë. Nëse nuk do miratohem, atëherë do të bëj atë punë që kam bërë gjithmonë, mandati im ka përfunduar, shpresoj të zëvendësohem sa më parë dhe pastaj do merrem me mësimdhënie, me konferenca, me shkrime që i kam bërë gjithmonë, shprehet ai.

I pyetur se sa konsensual ndihet si kandidat duke qenë se është propozuar nga mazhoranca, Zaganjori thotë:

Në fakt shpresoj që të garantohet një mbështetje sa më e gjerë, shpresoj. Kjo është dëshira ime, pastaj nëse jo, atëherë mund të ketë persona të tjerë ndaj të cilit garantohet konsensus më i madh, po të ketë me kënaqësi do thoja që të zgjidhet ai tjetri që garanton konsensus më të madh.

Javën e ardhshme emri i tij synon të marrë edhe votat e socialistëve, ashtu siç bëri 10 vjet më parë kur me vota konsensuale mori një vend në institucionin më të lartë të drejtësisë në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›