ROJAT E VARREZËS FRANCEZE
Roland GJOZA
Ushtria austrohungareze ishte vendosur në Voskopojë, ndërsa ajo franceze në Korçë. Në mëngjes austrohungarezët qëllonin tri herë me top, po kaq herë dhe francezët në mesditë. Në kodrën e Shën Anës francezët varrosën trupat e ushtarëve të vrarë dhe, para se të largoheshin, caktuan një rojë. Ai ishte një fshatar, që tërhiqte për kapistalli një kalë.
- Merre këtë copë letër dhe ruaje, o njeri, - i tha komandanti francez, një burrë i shkurtër me sy të ëmbël e të zgjuar prej femre, me një blanë në mjekër.
Ç'ishte ajo letër?
- O fshatar, kërko ç'të duash nga ne!
- Një kalë. Ky që kam s'tërheq më.
I dhanë një kalë race dhe shkuan. Që prej asaj dite, ai u vu të ruajë varrezën franceze.
Pas njëfarë kohe, njeriu me letër u paraqit në konsullatën franceze. Atje e pritën me mirësjellje të tepruar, i treguan një kolltuk të vjetër ku mund të ulej dhe i shërbyen çaj me biskota. Ajo letër e bute, që ai e kishte mbajtur me kujdes, ishte ç'ishte. I caktuan pension, një shumë parash që as në ëndërr s’e kishte parë. Fshatari ynë s'dinte ku t'i fshinte duart e dirsura dhe mbeti si guhak, kur e drejtuan për tek arka dhe i dhanë 40 napolona ar.
Nuk i rrëfeu njeriu. Ndërtoi shtëpi te re me plitharë e dru lisi, u bë me dy djem e katër vajza, i martoi e i gezoi, rrojti a s'rrojti ai fshatar fatmadh që, në vend të parmendës e bagëtisë, mori të ruajë varrezën e francezëve. Kaloi kohë e gjatë. Shkoi mbretëria, erdhi lufta e madhe, Lufta e Dytë. Fshatari ynë vdiq, po në këmbë të tij këtë punë nisi ta bejë i biri, një shurdhmemec që e mbushi varrezën me trëndafila, barbaroza e krizantema të të gjitha llojeve e ngjyrave, dhe anëve mbolli meshtekna të bardha, fort delikate, kavakë e plepa te argjendtë që u mbushën me fole shtergësh.
S'kish më pension e s'dukej njeri, por i biri e bënte këtë punë për shpirt... Një natë, erdhën të vidhnin të vdekurit, por ai nuk i la, i mbrojti me pushkë dhe, pas një kohe, mbeti i plagosur e hoqi shpirt nën kavakë.
Më pas, një nipi i tij i zuri vendin. Atij i vinte ndoresh për të gdhëndur drurin e për të sajuar me frymë perëndie ca femra të holla e nazike, që të ndillnin e të joshnin me një fuqi të fshehtë turbulluese. Ja, atje mbi varret e francezeve, i shpikte ato femra delikate dhe, kur e kur, i binte fizarmonikës e këndonte për dashurinë. Pastaj na erdhi një shpurë ciganësh me arushë, dajre e kuaj hergjele. Shpura i ngriti çadrat ngjitur me varrezën. Djaloshit na i ra në kokë për një grua të madhe që, kur kërcente në fushën me zjarre, ngrinte fustanin me fruda dhe zbulonte kofshët e kolme përplot shndëritje e vezullime të befta, që ta shtrëngonin zemrën e të shkaktonin një dhimbje të padurueshme. Pa ç'pa djaloshi, e mori në varrezë dhe aty e bëri me të, nën kavakë e meshtekna, mbi krizantema e barbaroza. Në mëngjes i gjetën të dy të therur si berrat ditën e Shëngjergjit. Mbeti fizarmonika, që i ra një nip tjetër më tuaf se i pari, pasi vazhdoi ta bënte atë punë për shpirt.
Kështu rodhën ngjarjet pa ngjarje më, në atë varrezë mbi kodrën e Shën Anës, gjersa erdhi i fundmi i atij fisi të çuditshëm, që unë e takova vetë një ndajnatëherë, kur na hapi portën e madhe dhe na futi brenda. Hipur mbi një kalë të bardhë, fort qesharak në sjellje, na vështronte nga lart poshtë me një krenari që s'i shkonte.
Ndërsa xhironim me një kamera kabahe e të rëndë emrat e ushtarëve francezë mbi pllakat prej mermeri, ato emra muzikalë të ushtarëve të kolonive, ai kalëronte me një trokth të lehtë mbi zhurin e bardhë të varrezës.
- Ç'eshte ky kalë kaq i bukur? - e pyeta
- Zherar Zherar, - tha, - është stërnipi i atij kalit të racës, që komandanti francez ia dhuroi të parit tonë.
Në vitin 1997 e vranë me një breshëri kallashnikovi, kalin ia vodhën. Varreza mbeti pa roje. Atëherë u kujtuan të dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Francës, se varreza e francezëve mbi kodrën e Shën Anës ishte ruajtur për shpirt 80 e ca vjet me radhë nga një familje fshatare, që tashmë qe shuar.
Në një ceremoni zyrtare në Ambasadën Franceze, ku ishin te pranishëm politikanë e gazetarë, familjes së panjohur iu dha Kryqi i Legjionit të Nderit. Një pension iu caktua pinjollit më të fundit, një skërfyelli të gjatë, më tuhaf se të parët e tij, i larguar me kohë në dhe të huaj, andej nga Australia, ku merrej me gjuetinë e fluturave të rralla. Në emër të atyre që s'ishin, kutia me Kryqin brenda iu dorëzua Muzeut Historik Kombëtar. Ajo kuti e hapur, e gdhëndur nga një dorë mjeshtri, ruhet në një nga stendat me xham të muzeut, e mbrojtur me masat e sigurisë më të lartë, si ikonat e Onufrit, e paprekur, e pahitur qysh tani nga pluhuri i hollë, që nuk kursen asgjë në këtë botë.
16 Qershor 2008