E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORKU

Roland GJOZA

Dua të shkruaj për Nju Jorkun, këtë qytet barbar, siç e ka quajtur Sinxher... Shkrimtari, më tepër se sa një njeri i zakonshëm, veç pamjeve reale, shikon dhe imazhe të tjera të çuditshme, mistike, ndoshta i kapluar nga një ngasje e fshehtë e perëndishme. Me imazhet e mistershme ka lidhje kjo që do t'ju rrefej.
Atëherë banoja në një shtëpi të tipit irlandez në Kuins, pranë bulevardit Myrtle. Ky emër më sillte ndërmend një lule, por ama ai vend disi i zymtë e sapak i rendomtë më kujtonte më fort rrugët e rrethinave të Nju Jorkut, ku endeshin personazhet e mafias italiane, veçmas të asaj siçiliane. Zakonisht, në mes të lagjeve të pafundme, shfaqeshin me një madhështi funebre, përplot art të hollë, qimiteret e famshme të Nju Jorkut. Kam hyrë brenda në to dhe s'më kanë zënë sytë njeri. Para meje shtrihej një shkretëtirë gurësh vertikalë dhe skulpturash gri, ku vdekja ishte më se e njerëzishme. Pak më tej, pas kangjellave, putheshin dashnorët, vërshonte lumi i makinave, kullosnin pëllumbat te këmbët e kalimtarëve, ndërsa në varreza mezi mbahej një heshtje e përmortshme që, për çudi, nuk të pikëllonte, por të frymëzonte për diçka të pakuptueshme që të mbushte me një ndjenjë të ngrohtë. Amerika është optimiste. Shpesh, kur mendoja për madhështinë e saj, nuk i shpëtoja tundimit që më nxiste t'i pohoja vetes se, në këtë vend të bekuar, ditën punojnë të gjallët, ndërsa natën të vdekurit.
Duke kuturisur kështu, m’u kujtua një ditë kur ndodhesha te varrezat e Sharrës në Tiranë. Kisha shkuar për të xhiruar (në varreza vete shumë rrallë) dhe fare papritur më zunë sytë shumë emra të njohurish, shokësh e shoqesh që kishin vdekur me kohë, të cilët, pa e kuptuar, më buzëqeshnin nga fotografitë me ngjyra. Ajo buzëqeshje tronditëse, që tashmë më qe shndërruar në nostalgji të rëndë, m'u lëbyr me një ndriçim të beftë këtu në Nju Jork një mbasdite të përhimtë, kur fare papritur pashë njërin prej tyre, një mik të dikurshëm që ngiste një Land Rover nëpër bulevardin Myrtle, me fare pak njerëz. Ai më pa me nje shikim të lehtë e të hareshëm, por nuk ndaloi. Ishte apo s'ishte? Padyshim ai qe, vdeketari i Sharrës, i ri siç e mbaja mend unë, kur ishim takuar në një bar të Tiranës dhe kishim pirë uiski. O Zot, është gjallë, ai, këtu në Amerikë. Po çuditë e mrekullitë s'do të mbaronin me kaq. Një ditë tjeter, pashë në bankën e Cejsit ne Rixhvud një shoqe të fakultetit, edhe ajo e vdekur në Sharrë, që po dorëzonte në arkë një çek. Më buzëqeshi lehtë, pasi unë ia kisha ngulur sytë fort dhe mori për nga dera, ashtu e re dhe e bukur si atëherë, me atë përhedhjen e lehtë të vitheve të kolme dhe sigurinë sfiduese në të ecur, që t'i merrte mendtë fare e të bënte ta ndieje veten krejt teveqel.
E ndoqa pas si i marrë, doja t'i thërrisja me emër, po isha në Amerikë dhe amerikanët janë të edukuar. Ajo m'u zhduk nga sytë, në një grimëhere, kur e kisha humbur mendjen. U enda për një kohë nëpër rrugë, po muzgjet u dyndën me një dritë të mekur prej argjendi në hije dhe unë u ktheva në shtëpi.
Të nesërmen pashë një tjetër mik, që ende dinte të buzëqeshte bukur. Edhe ai kishte mbetur i ri, si atëherë kur ishim ndarë për herë të fundit, në një fshat të veriut, në një shkollë në mal. Më kishin thënë se kishte vdekur nga zemra. Po ja, ai jetonte në Nju Jork, ngjitur me mua, udhëtonte me një Honda të re ngjyrë gri. Sa më pa, ashtu shkarazi, tundi kokën me një mirësjellje të imtë për ta patur zili dhe, ndërsa prisja një shenjë tjetër prej tij, m'u zhduk nga sytë si fantazmë. Në Amerikë nuk ka shumë kohë për takime.
Si t'ia bëja, doja patjetër të takoja njërin prej miqve te mi të dikurshëm. Po më gërryente malli, një ndjenjë e topitur plot me hare dhe brengë, që më mundonte.
Fare rastësisht, te një tregtizë pijesh, takova Melania S, që pasi pagoi në arkë 170 dollarë për një shishe vodkë dhe një shishe konjak, iu pergjigj me po ftesës sime për një kafe.
- Ç'kemi, - më tha, - pse me shikoni ashtu?
- Me mbani mend, Melani?
Ajo pinte makiato. Ishte shumë e bukur dhe unë rashë në dashuri si atëherë, menjëherë dhe pa burrëri.
- Ju jeni Rolandi, ai që shkruante ato tregimet me pak dashuri
- Unë nuk e di që më keni lexuar. Si të janë dukur tregimet e mia?
Ajo më këqyri për një kohë me ato sytë e saj të mëdhenj e të ëmbël dhe ia shkrepi gazit.
- Ti gjithmone më bën për të qeshur, - tha.
- Pse?
- Nuk e di. Ke diçka qesharake në qëndrim. Nuk je i sigurt në vetvete, sado që përpiqesh ta fshehësh këtë gjë. E di qysh më parë që i ke të humbura shanset.
Unë isha 54 vjeç, ndësa ajo 27. Kishte shumëvite që kishte vdekur, të paktën atje në Sharrë, se këtu në Nju Jork gëzonte shëndet të plotë dhe, për më tepër, më kishte lexuar tregimet.
- Mund te shkoj? - tha me ngut. - Shefi ka ditëlindjen. Ai pëlqen më tepër këtë lloj vodke dhe këtë lloj konjaku. Në zarf i kam futur dhe 2000 dollarë. Jam e përkohshme në punë, ndoshta më mban përgjithmonë. Në Amerikë s'ka garanci, por ka mundësi të pafundme.
Iku, pasi më puthi lehtë në buzë. Amerikanët të puthin, po kjo nuk do të thotë se të dashurojnë.
Ishte e kotë të lija një takim me të. S'do të pranonte, me mirësjellje të stërholluar që mua do të më ngrinte qimet e kokës përpjetë. Nuk ia tregova askujt të fshehtën time, se kisha frikë mos më quanin të çmendur. Për amerikanët gjëra të tilla janë të parëndësishme.
Sinxheri nuk ka të drejtë, kur thotë se Nju Jorku është qytet barbar. Përkundrazi, ai është qytet i shpresës dhe i takimeve post mortum.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›