Valdete ANDONI
Vesë tingulli
Hyj në një kraharor Zoti
si në një djep fyejsh
dhe luaj në fjetje
me mijëra këmbanëza
që gjej atje
si të vërtetat më të paçuditshme të
kësaj bote.
Gjej veten në harkun burrëror
si një vesë tingulli
Nga habia ngrij
dhe bëhem femër.
Të dielën
Të dielën në KISHË
Shën Mëria po më shihte
Vetëm mua
Me gjoksin e puthur
Nga besimtarët
Mbylla sytë t’i mbuloja
Atë fshirje prekjesh
Aty rrije ti duke më parë
Të çveshur
Përrallë e ëmbël
Pum, pum, pum
Po vjen një burrë
Jo, një ari
Që më çon te pema
Ku është fshehur zgjoi
Pa bletë, po me një gisht
Të mjaltëzuar fëmije
Virgjëria
Lakuriqësia e gruas rrinte
Në shtratin e hotelit të vogël
Dhe pyeste ç’ishte në çarçaf një njollë
E kuqe
Gjak i dashurisë së virgjër
Apo Kryevepra e atij Burri?
* * *
Dielli te dritarja ka lënë
Një piramidë drite
Po rri ulur në mes të saj
Nuk shtrihem
Kam frikë se më ballsamosin
Dëshirë kanguri
Dëshira më ka marrë formën e kangurit
Ruan pjesë këngësh që duhet të pëlqejnë
Ngjarje nga filmat që dua t’i rrëfej
Tinguj drite që dua t’i shohim të dy
Po kur vij, ata si këlyshë janë rritur
Aq sa ma kanë ngrënë “kangurin”
* * *
kam ecur shumë nëpër shtrat ditë - natë
pa lëvizur as këmbët, as duart, as kokën e thatë
tani nëpër diell do dal duke ecur pa zemër
* * *
bukuria qenka te drita e syrit që të flet
te fjala që të nis një dritë në trupin e errësuar
bukuria nuk lind me gruan po krijohet nga ai
që di ta shohë dhe të zgjeshë pasqyrat, burri.
* * *
Çfarë po murmurit “plaka kohë”
Se mua më thotë aq çmëndurira
Sa unë i mbyll fort
Me gojën e shtrembëruar
Ia kemi lënë asaj “të fshehtën”
Por kam frikë
Se mua më thotë
Tjetër gjë
Dhe ty tjetër
Çfarë t’i bëjmë kohës pra
Sikur ta dehim?
* * *
Frika nga lumturia
Qenka ajo
Që i bëka
Njerzit të trishtuar
* * *
Dikush pren flokët e dendur
me dorën e tjetrit
Dhe tjetri heq flokët
Që i mbeten në dhëmbët e krëhërit
Me duart e atij
Që ka flokë të prerë
Afër dhe larg
Ai shtyn pamjen e saj
Në vijat e pesëmbëdhjetëvjeçares
Që nuk e puthi
Ajo i ndan vijën e flokëve
Ashtu siç matej kaq herë
Kur e kish para bange
Preken si adoleshentë
Dhe largohen
Si të kenë mbërritur
Në takimin tjetër
Pas tridhjet vjetësh
* * *
po shoh tani
veten time
në dritaren e një shtëpie pylli
* * *
pse shoh plagët e qenit
dua të shoh fytyrën
e atij që po i shëron plagët
* * *
Atë e gjetën në mëngjes
të zvogëluar në buzën e fryrë
lulevjollce nëpër trup duke u shkrirë
kërkuan gjurmë të dikujt tjetër
po nuk gjetën
vetëm ai tha në heshtje
ajo ka ngrënë veten
Teatri i vërtetë
Ata që pëshpërisin
Janë aktorët
Ata që na shohin
Janë autorë dramash
Ne mbetemi spektatorë
Në shkatërrimin e krijimeve të tyre
Tri stinët e mia
Në një verë të largët
Isha fëmijë dhe fola si grua
Në vjeshtën më të afërt
Isha grua dhe fola si fëmijë
Tani në dimër harroj shpesh
Se jam plakur
Dhe puth një dorë
Që m’i bën lëmsh stinët
Pema e heshtjes
Heshtja mban dy pemë në duar
Njërën për të bërë hije
Kur e shohin të panjohurit
Dhe tjetën për të çelur lule
Kur është vetëm me veten tjetër
Poezia
Është shenja që më dha Zoti
Në nisje
Dora që më mungoi rrugës
Vetja ime pa ty
Nëse Zoti më bëri femër
Parealizimi ma la në krahë
Poezinë
Si një fëmijë që nuk u lind
16 Qershor 2008